RËNKIM FUNEBËR

  • Rënkim funebër për Sopran, Kor dhe Orkestër harkor 2014

Vepra është shkruar për sopran, kor e orkestër harkor paraqet veprën e katërt të këtij siklit AFRESK ARBERESH. Vepra formalisht është e ndarë në tre seksione (tri kohë të lidhura attacca), që mbajnë emërtimet: “Lutja”, “Trishtimi” dhe “Pikëllimi”. Tingëllima themelore e tërë veprës mbështet në strukturat melodike të këndimimeve tradicionale liturgjike arbëreshe dhe është ndërtuar me një shtjellim kompozicional minimalist (sidomos në strukturën vertikale të veprës).

Reljefi dramaturgjik i veprës mbështetet në dy pika kulminante tensionuese të cilat kanë një ngritje graduale dhe të gjatë në rrafshin e dinamikës. E para arrihet në përfundimin e pjesës së parë “Lutje” (pjesë që i takon vetëm korit dhe orkestrës) dhe e dyta që shprehet me rolin e sopranos të seksionit të dytë (“Trishtimi”) , i cili përfundon në Allegro dhe me kadencë dramatike virtuoze vokale. Në pjesën e parë përdoret teksti latin nga mesh Agnus Dei, në kohën e dytë shrytëzohet teksti origjinal liturgjik arbëresh, kurse në kohën e fundit “Pikëllimi” përdoret poezia impresive me të njejtin emër e poetit Ali Podrimja nga përmbledhja LUM LUMI, si shpehje monumentale e dhembjes prindrore për humbjen e fëmiut.

 

Shpirti im

Unë nuk qaj voglushi im

Shi bie dhe vjeshtë e keqe mori

 

… Në fund të syrit tënd

Hap fatin e kobshëm

Ishe larg shumë larg

Vdekja ishte më e shpejt se unë

 

E tash ec vetëm

Në hapësirë…

 

Unë mbyllem në dhimbje

E klith në ëndërr

Dëgjon vogëlush?

 

E tash ec vetëm

Në hapësirë… (Ali Podrimja)

 

Ndjenja intime e dhembjes e shpehur në këto vargje në vepër kanë kuptimin universal të dhembjes, që lidhet me fatin tragjik të fëmijëve në luftën e fundit. Akcenti kryesor dramaturgjik i veprës bie pikërisht në pjesën e tretë (“Pikëllimi”), në rënkimin funebër që shprehet në partin solistik e që ndihet si klithje e qetë rezignuese për humbjen e fëmiut.

Vepra i dedikohet viktimave të luftës, në veçanti fëmijëve, fati të cilëve është segmenti më pikëllues i tragjedisë kosovare. 

 

WordPress Image Lightbox