Simfonia / Symphony
(1974)
Simfonia / Symphony për orkestër të madh (1974)
Simfonia është shkruar për orkestër simfonik (a tre) gjatë viteve 1973/74, dhe paraqet veprën e parë në rradhë e disa veprave orkestrale që do të krijohen nga ky autor në harkun kohor të tridhjetë vjetëve të ardhshëm.
Vepra përbëhet nga një cikël simfonik tri kohësh, me ç’rast koha e dytë (Largo) ndihet si një lloj intermexoje në mes dy kohëve kryesore (apo dy bloqeve boshte të simfonisë). Pikërisht ky konceptim i ciklit, ka shtyrë autorin që nëntitullin e veprës ta emërtoj si “Simfonia në dy bloqe”.
Koha e parë e Simfonisë (Andante) përshkohet me një atmosferë të zymtë dhe me një notë tragjizmi (një tragjizëm në momente patetik) ndonëse në të do të gjejmë një “shkëputje” të shkurtër nga ky emocion themelor, krejtësisht të papritur /në taktin 74/, që ndihet më tepër si një reminiscencë poetike apo një përkujtim nostalgjik për një realitet të kaluar optimist, të cilin e sjellin frymorët e drunjtë me një orkestracion luminoz.
Koha e dytë (Largo) është trepjesëshe e ndërtuar nga një trajtimi i lirë i tripjesores. Mbi një triler të klarinetit dhe basklarinetit, zhvillohet një melodi meditative dhe e qetë të cilën e sjellë flauta in G, të cilës i bashkangjitet flauta e lartë. Në vazhdim mbi një fon të harkorëve, violinat e para zhvillojnë këtë melodi themelore.
Koha e tretë është në formë Allegros së sonatës me të gjitha pjesët përbërëse e bazuar në dy tema kontrastuese, të parën, dramatike që e sjellin violinat dhe të dytën lirike që e ekspozon alt saksofoni. Dimensionet e saja, orkestracioni shpërthyes, ndryshimet e papritura dramatike dhe orkestrale, bëjnë që mbi këtë kohë të bie pesha dramaturgjike e tërë veprës.
Simfonia është neoklasike qoftë në shtjellimin formal, qoftë në përdorimin gjuhës harmoniale (tonaliteti i zgjëruar), qoftë në orkestracion. Mund të thuhet se neoklasicizimi i shprehur në të është më i theksuar nga e tërë periudha e parë e R.Rudit, në të cilën krijohen një mori veprash ( Suita për piano, Sonata për violinë dhe piano, Variacionet për Trio si dhe Kuarteti harkor),
Me këtë vepër kompozitori është paraqitur në vitin 1976 në Festivalin e muzikës moderne në Opati (Tribuna e Krijimtarisë Muzikore të Jugosllavisë), dhe në Festivalin “Lojrat verore të Dubrovnikut”. Kurse vepra, deri më tash, është luajtur prej tri orkestrave të ndryshme të ish Jugosllavisë.
Vepra është shpërblyer në Konkursin e Festivalit Internacional të Beogradit (BEMUS) për vepra të mëdha simfonike, në vitin 1974.