Concerto

Kohë koncertante për Piano dhe Orkestër (1975)

Vepra “Kohë koncertante për piano dhe Orkestër”, filliminisht është menduar se do të jetë koha e mesme e një Koncerti trekohësh. Gjatë punës në të, kam vërejtur se kjo Kohë koncertante mund të funksionoj si vepër e veçantë, andaj, idea fillestare është braktisur. Së këndejmi, mund të konsiderohet se kjo vepër është komplete dhe funksionon si një tërësi e plot.

Vepra është kompozuar në një periudhë periudhë time krijuese, gjatë të cilës isha I përkushtuar muzikës simfonike. Është kompozuar më 1975, pra një vit pasiqë kisha kompozuar Simfoninë time të vitit 1974, me të cilën kam pasur një sukses të konsiderueshëm, meqë, Simfonia në atë kohë kishte fituar çmimin e BEMUS-it, Festivali kryesor i Beogradit. Pikërisht ky fakt ka qenë një shtysë që t’i qasem një vepreje të re orkestrale.

Veçantia e kësaj vepre është se ky koncert paraqet moment kthese në krijimtarinë time. Përmes saj unë kam tentuar që ta ndryshoj kahjen e gjuhës time shprehëse. E konsideroj si përpjekje time të parë që të braktis koncepcioni neoklasik të trajtimit të formës, dhe si një orvatje që të dal jashtë skemës formale, harmonike dhe melodike që logjika dhe praktika e neoklasicizmit ka determinuar. Veprat e tre vjetëve të mëparshme (1972-1975), kanë qenë nën ndikimin e madh të kompozitorëve neoklasik (Shostakoviq, Prokofjev etj.). Si hap i parë, në këtë përpjekje për ndryshim të gjuhës time shprehëse dhe braktisjes së “kthetrave” të  neoklasicizmit, ka qenë vendimi që të shkruaj një vepër dodekafonike (kushtimisht thënë). Duke u nisur nga fakti se seria dodekafonike është bosht mbi të cilën ndërtohet një vepër dodekafonike, unë jam përcaktuar që pikërisht tema kryesore (temë të cilën e prezenton parti solistik që në masat e para të veprës), të jetë një seri boshte dymbëdhjetingullshe. Në vazhdimin e veprës unë lundroj në botën dodekafonike imagjinare, gjithmonë duke aplikuar disa prej procedimeve bazë të kësaj teknike kompozicionale. Është një dodekofonizëm me një trajtim relativisht të lirë. Nëse dëgjohet me vemendje vepra, në të do të vërehet edhe ndikimi i pjesërishëm edhe i muzikës impresioniste, me të cilën unë, gjithashtu, në atë kohë kam qenë i preokupuar.

Njëkohësisht, kjo vepër është edhe një “revoltë” ndaj orientimit stilistik, të cilin pedagogjia kompozitoriale, në Beogradin e asaj kohe, e ka pasur, dmth., unë kam filluar të eksploroj një muzikë më të avancuar. Sidomos më është dukur atë kohë tërhjekëse muzika e treshes (së dytë) vjeneze (Shoenberg, Vebern dhe Berg). Në nanë tjetër, më duhet ta ceku se unë, në atë kohë, intenzivisht jam thelluar në fushën e estetikës muzikore dhe filozofisë muzikore (Theodor Adorno, Erih From, Ivan Focht, Eduard Hanslick, Zofia Lissa dhe sidomos Nicolai Hartmann), por edhe filozofisë së pastër (si Platoni, Kant, Hegel etj.). Kjo periudhë e preokupimit me një literaturë të till ka zgjatë më së paku dhjetë vjet rresht (Vepra teorike « Sprova estetike » e botuar disa vite më vonë, në  vitin, ka lindur nën influencën e kësaj periudhe dhe shkrimeve të mia në këto fusha, pikërisht nga kjo kohë. Si rrejdhojë edhe të pikëpamjeve të mia të ndërtuara nga literatura e till, Kanë pasur ndikim në krijimtarinë e asaj kohe. Pra, njohja me muzikën e treshes vieneze dhe në anën tjetër thellimi në literaturën filozofikë ka bërë që pikëpamjet e mia estetike të ndryshojnë me kalimin e kohës, gjë që të gjitha këto kanë pasur ndikim të konsiderueshëm.

Një ndikim të madh, në kuptimin e përgjithshëm teorik dhe muzikor-profesional, kam pasur nga informacionet e shumta të cilat unë i kam marr (dhe me të cilat jam entuziazmuar, pamasë) nga Festivali i muzikës avangarde që atë kohë është zhvilluar në Opati. Është fjala për një festival shumë interesant dhe me shumë vlerë që lidhet ngusht me krijimtarinë e gjeneratës time të kompozitorëve jugosllavë – Festivali i Krijimtarisë avangarde jugosllave apo si është quajtur Tribuna e Krijimtarisë Muzikore Jugosllave, ku kam qenë prezent shumë vite me rradhë. Dmth., të gjitha këto segmente të cilat po i përmendi kanë luajtur rol determinant në profilimin përmbajtësor të veprës. Thjeshtë, unë kam qenë i preokupuar me muzikën avangarde të kohës, atë edhe e kam aspiruar, andaj veprën e konsideroj si një përpjekje që ta njoh këtë muzikë më përafërt. Pra unë jam thelluar në zbulimin e misterit të muzikës moderne përmes kompozimit të një vepreje të re. Siq mund ta paramendoni edhe ju, gjatë punës në një vepër, kompozitorët (sidomos kompozitorët e rinj), paralelisht analizojnë një spektër të gjërë veprash me qëllim që të jenë sa më të sakt në zbërthimin e problemeve të shkrimit modern. Pikërisht kështu edhe unë kam vepruar.

Edhe në domenin e orkestracionit, e sidomos të trajtimit të partit të partit të solistit, jam përpjekur që të jemë koherent ambicieve të mia të kohës, duke bërë një kalim nga një sferë tradicionale e trajtimit të instrumentit të pianos, në një sferë tjetër, shumë më ambicioze dhe më moderne, sidomos në mënyrën e shkrimit dhe pamjes grafike të partiturës.  Më duket se trajtimi i pianos (kjo mund të vërehet në shiqim të parë), ka një dozë të ambicies që parti i solistit të ketë  një pamje  virtuoze. Por, unë njëkohësisht e kam pasur të qartë se vepra gjithashtu duhet të luhet edhe  në Prishtinën e asaj kohe (jo aq të zhvillueme në fushën e interpretimit). Dmth., përfundimisht vepra në këtë drejtim është e balancuar

WordPress Image Lightbox