Rafet Rudi: Vetmia krijuese e Feim Ibrahimit

Vepra e Feim Ibrahimit paraqet  kontributin më të madh në profesionalizimin e vërtet të muzikës shqiptare krijuar në Shqipëri

Nëse me kujdes analizohet vepra e Feim Ibrahimit, pjesën më të madhe e të cilës ai e krijoi në kohën e diktaturës komuniste, dhe nëse ajo analizohet me kujdes në raport me kohën dhe hapësirën në të cilën krijohet, nëse në të, pos mjeshtrisë kompozitoriale, vërehen fijet e holla që e lidhin këtë me personalitetin e tij si artist, bindjeve të tia estetike, të ambicieve për një muzikë tjetërfare nga ajo që atë e rrethon, mendoj se e zbulojnë Feimin si njërën prej figurave më « jotipike » dhe të thuash, « tragjike » të muzikës shqiptare.

Si është e mundur kjo kur ai për kohën që jetoi dhe veproi ishte i pranuar, veprat e tij ishin të botuara, të ekzekutuar; vepra e tij ishte e respektuar nga i gjithë rrethi që atë e rrethonte. Nuk mendoj se ishte tragjika në pengimin e ushtrimit të profesionit të kompozitorit (ashtu siq kanë pësuar kolegët e tij në ndonjë vend tjetër të Lindjes). Nuk i quaj as tragjike tronditjet që ai ka përjetuar kohë pas kohe si njeri publik. Nuk është cenuar seriozisht as  pozita e tij shoqërore (përkundrazi, ai si edhe krijuesit tjerë të nivelit të tij, gëzonte disa favore të zakonshme, për aq sa mund të konsiderohen  favore kur kihet parasysh Shqipëria ekonomikisht e mjerë e asaj kohe). Tragjike dhe pikëlluese e quaj pengimin që i është bërë atij që të realizojë pikëpamjet e tij estetike, pikëpamjet e tia që kanë qenë aq mirë të fokusuara në drejtim të modernitetit. Tragjike dhe pikëlluese  e quaj pengimi që i është bërë atij, në të gjitha format që të realizojë senzibilitetitin e tij, afinitetin e tij dhe  kureshtjen e tij të madhe për muzikën e re.

Feimi e ndiente peshën e kësaj situate tragjike, dhe pwr dallim prej krijueswve të tjerë, qw nuk trazoheshin nga mungesa e lirisw, ai e ndjente vetminw e tij krijuese nw te cilwn gjendej.

 Kritikë ndaj « stilit kombëtar » të ndërtuar mbi bazë të metodës së realizmit socialist.

Veprat me të cilat Feim Ibrahimi prek linjën e kuqe, linjë që ka shënuar kufirin apo limitin e « modernitetit » të asaj kohe, i cili nuk është guxuar të kalohet janë, para se gjithash, veprat koncertante – Koncerti i parë dhe i dytë për piano dhe orkestër të viteve 1971 dhë 1974 si dhe Koncerti për oboe dhe orkestër i vitit 1981.

Që të shiqohen përmasat reale që këto vepra e trondisin botën (idilike) muzikore të Shqipërisë së asaj kohe, për aq sa duhet analizuar vet veprat në rrafshin profesional-teknik aq duhet të analizohet edhe ambienti kulturor i asaj kohe. Mendoj se për muzikologët nuk është vështirë analiza muzikore e veprës për shkak se veprat e përmendura janë lehtë të lexueshme dhe të analizueshme, realisht është vështirë që me precizitet të shiqohet dhe analizohet se çka është konkretisht ajo që në veprën e Feimit u ka penguar pushtetarëve të atëhershëm por dhe mbrojtësëve fatkeq (ndër artistët) të kësaj erësire kulturore që ata kanë arritur ta përhapin. Do të bëhej i qartë kontributi i Feimit por edhe më tepër do të bëhet e qartë natyra restriktive e kësaj kohe.

Ai është, pa mëdyshje, personalitet që ka nxitur më së shumti debate esenciale për rrymën që artistët shqiptarë duhet të (mos)ndjekin.  Ajo që në këtë moment nga një largësi e konsiderueshme kohore mund të gjykohet është fakti se ai është krijues kyq për një periudhë jo të vogël kohore dhe personalitet i cili me pikëpamjet e tia (të shprehura përmes veprës) ka mundur t’i ndryshojnë rrjedhat në rireshtimin stilistik të muzikës shqiptare në Shqipëri. Dhe siq ndodhë me veprat e mëdha, vepra e Feimit ishte kritikë ndaj  ambientit ku nuk njihej rëndësia  dhe pesha  estetike e modernës europiane të shekullit XX ; ishte kritikë ambientit ku muzika e mbështjellë me folklorizëm transparent dhe ndonjëherë me joprefosionalizëm eklatant jetonte si vlerë me  rekompenzim të madh shoqëror; ishte kritikë ndaj ambientit ku parametrat vlerësues ishin të ultë dhe jashtë kritereve të mirëfillta të muzikës që krijohej në botë ; ishte kritikë ndaj stilit (kinse) kombëtar dominant në krijimtari të ndërtuar mbi bazë të metodës së realizmit socialist.

Feimit i bëhën edhe vërejtjet se ai megjithatë gëzoi frytet (privilegjet) shoqërore dhe ska pasur për çka të qahet (ankohet). Spjegimi për këtë është i lëhtë dhe i thjeshtë.  Feimi ishte intelektual që në mënyrë të heshtur kishte përkrahës dhe bashkëmendimtarë të tij. Këtë e konsideroj si një shenjë pozitive për ekzistencën e një « disidentizmi » të lehtë dhe të kujdesshëm te një shtrese intelektualësh. Ata ishin të bindur se përmes Feimit mbrojnë një çështje parimore dhe shpresën për një këndellje artistike dhe emancipim të mjedisit kulturor shqiptar.

Kjo veprimtari, për një periudhë (së paku) njëzetvjeçare (1971-1981), është dominante në muzikën shqiptare të krijuar në Shqipëri e cila ushtron ndikim të madh dhe të pakontestueshëm në vendosjen e kritereve më të avansuara profesionale në krijimtari.

Sfidat pas vitit ‘90

Pas viti ’90, problemet nuk janë zvogluar për Feimin si krijues. Në dendësinë e informacioneve të reja, në pafundësinë e rrugëve të reja estetike, fascinimi me mundësitë e muzikës së re duhet ta kenë tronditur botën krijuese të Feimit, por si njeri që me përgjegjësi më të madhe i qaset aktit të të kompozuarit dhe si njeri me seriozitet ekzemplar për rezultatin e muzikës që krijon, duhet ta kenë shtrënguar që të mendojë për provokacionin dhe  rrezikun e madh që krijon situata e re për një artist – rrezikun nga humbja e ekuilibrit të duhur artistik dhe në kuadër të kësaj rrezikun nga humbja e zërit autentik të muzikës së vet.

Në një liri të plot krijuese, të cilën e ai e kontrollonte mirë dhe të cilën ai e shfrytëzon me elan, të thuash rinor, duke e modernizuar gjuhën shprehëse lindin një sërë veprash si : Abel Meditation, De profundis (vepër elektronike), Vikama për Trio harkor, Dialog për violonçel e piano dhe sidomos Simfonia tragjike.  Veprat e krijuara kanë një tingull të ri me një zgjërim të dukshëm të gamës shprehëse. Në pikëpamje të artitektonikës formale, të cilën duhet pasur parasysh në analizën e veprës së tij dhe të cilës Feimi, siq dihet i kushtonte kujdes të madh, vepra e Feimit është edhe më tutje koherente dhe e profiluar mirë. Andaj mund të bëhet paralele e logjikshme në mes atonalitetit në veprat e reja dhe veprave të periudhës së mëparshme të një rryme të përmbajtur (ta zëmë të Largos nga Koncerti i 2 për piano e orkestër, ku Feimi me një strukturë melodike fare të thjeshtë (dhe vetëvetiu « joproblematike ») ndërton një koncepcion formal me të cilën tregon forcën për shtjellim dramaturgjik të veprës dhe gjithashtu tregon thellësinë filozofike të muzikës që krijon (këtë ndjenjë të mirë për dramaturgjinë e veprës e shohim edhe te Kantata kushtuar Lidhjes së Prizrenit « Tanë Shqipnia ashtë betu », vepër të vokacionit « tradicional »).

Kjo fazë e re në krijimtarinë e Feimit është faza më serioze dhe më kuptimplote por gjithashtu fazë në të cilën vepra e tij nuk mund ta luante më atë rol në kuadër të muzikës shqiptare, të cilin kanë mundur ta luajnë veprat e viteve ’70 dhe ato ‘80. Pas vitit ’90, gjërat në muzikën shqiptare shkonin me shpejtësi të madhe. Në sipërfaqe të muzikës shqiptare dalin vepra të reja që për nga tingëllima dhe përnga përvetësimi i teknikave të reja kompozicionale ishin krejtësisht në rrjedha të modernës europiane (ndonëse duhet shtuar se në këtë periudhë kohore kishte edhe bredhje të madhe stilistike te disa kompozitorë me emër, të cilët nuk gjendeshin mirë në këtë në këtë hapje dhe liri të pakufishme stilistike).

 Vepra e Feimit në koordinatet e vërteta

Feimi është kompozitor i cili fuqishëm e vërejti se muzika shqiptare nuk mund të bën hap të rëndësishëm në njohjes e saj ndërkombëtare duke e ndërtuar idiomin e vet në folklorizëm transparent dhe se kusht për njohjen e saj është « lexueshmëria » e cila bazohet në njohjen e kritereve dhe standardeve profesionale të muzikës europiane. Ai nuk nuk arriti që në masë të kënaqshme deri në fund t’i realizoj pikëpamjet e veta, të cilat pra në një kontekst të atëhershëm të Shqipërisë ishin « tepër » novatoriste. Dhe nga ky raport të veprës së tij me kohën që krijohet dalin disa karakteristika specifike.

  1. Vepra e Feim Ibrahimit (pjesa e saj më e avansuar, për të cilën fola më lartë) ishte dukshëm në shpërputhje me kohën dhe me rrethin në të cilin krijohej. Thjeshtë ajo ishte një hap para kohës për kushtet që mjedisi i krijonte dhe kjo është pika referuese që duhet muzikologët e ardhshëm të veprës së tij ta përfillin dhe analizojnë me kujdesin më të madh.
  2. Vepra e Feimit është, megjithatë, në shpërputhje me avangardën europiane të asaj kohe. Mospërcjellja e dhe mospërfillja e këtyre informatave në Shqipërinë e atëhershmë gjithnjë e largonin nga shansa që të kyqet ne realitetin europian/ Të përkujtojmë se koha për të cilën po flasim (1971-1981), ajo që mund të konsiderohet « moderne » në Shqipëri dhe si e till e ndaluar, ishte një muzikë që në botë, braktisej, në një farë mënyre. Moderniteti i vendosur në deceniet e para të shekullit XX, ngadal relativizohej. Në horizont kishin dalur një plejadë e kompozitorëve të rinj (Filip Glas, Stiv Rajh, Teri Rajli etj.) për të cilët muzika e Shenbergut, Vebernit dhe epigonëve të tyre ishte fazë e tejkaluar. Ishte koha e braktisjes apo kontestimit të serializmit dhe shfaqjes së rrymave postmoderniste (minimaliste, repetitive, thjeshtësisë së re etj.), dhe kjo fare nuk depërtonte në Shqipëri. Me interes për muzikologët e ardhshëm do të jetë, gjithashtu analiza e kësaj vepre në raport me atë që krijohej në nga (disa) kompozitorëve shqiptarë në Kosovë, të cilët kompozonin një muzikë dukshëm më të avancuar dhe me të cilën në mënyrë reale ishin të kyqur në rrjedhat e kohës. /
  3. Feimi kishte ambicie dhe mundësi që të bën një kërcim shumë më të madh në drejtim të drejtim të kyqjes së muzikës shqiptare në rrjedhat e muzikës europiane. Mjerisht ai nuk arriti ta senzibilizoj për aq sa deshti dhe sa mundi ambientin pranë të cilit punonte. Në kontaktet që kam pasur që nga viti 1978 deri në fund të jetës së tij te ai kam vërejtur një pikëllim për këtë situatë në të cilën gjendej në pjesën e madhe të krijimtarisë. Aq më tepër e ndjejë dhe solidarizohem me « vetminë » e tij si intelektual i madh dhe me tragjikën e vetmisë së tij krijuese për të cilën fola në fillim.

Vepra e Feimit ishte dhe mbetet kontributi më i madh në profesionalizimin e vërtet të muzikës shqiptare (në Shqipëri), në dëmkosjen e frymës provincialiste që ekzistonte në krijimtarinë shqiptare por edhe kontribut më i madh në kyqjen e saj në rrjedhat e muzikës europiane. Feimi është kompozitor i vetëm i cili e kishte kaluar pjesën më të madhe të rrugës që do të qonte në rolin e Kadares në muzikën shqiptare.

  • Në 15 vjetorin e vdekjes së Feim Ibrahimit 1935-1997

 

WordPress Image Lightbox