Rafet Rudi: Cila është thellësia historike e muzikës (artistike) shqiptare?

Simfonia e parë në muzikën shqiptare është shkruar më 1956 apo më 1922? Deri më tash shtruarja e një pyetjeje të tillë do të ishte krejtësisht e deplasuar. Në historiografinë tonë lidhur me këtë as që ka pasur ndonjë herë dilemë ose së paku kjo asnjëherë nuk është shprehur. Në të është precizuar qartë se Simfoninë e parë në muzikën tonë e kompozoi Cesk Zadeja më 1956 dhe po atë vit është ekzekutuar. U muar vesh që kjo datë qarkullon në të gjitha librat dhe tekstet tona të muzikës.

(Heshtja e të së kaluarës)

Vitin 1922 që ne po e imponojmë i referohet veprës së kompozitorit tonë të njohur Martin Gjoka (1880-1940) “Dy lule mbi varrin e Skenderbeut”, të cilën autori e quan Simfoni. Vepra është shkruar për orkestër të madh simfonik, ka dy kohë (pra jo katër çfarë zakonisht i ka simfonia). Të gjitha këto detaje natyrisht kanë qenë të njohura në Shqipëri, por, kjo është më se evidente, nuk është përfillur. Dhe atë së paku për dy arsye. Së pari, për shkak se Simfonia e Çesk Zadesë, në krahasim me veprën e Martin Gjokës, për nga trajtimi tekniko-kompozicional i saj, për nga orkestracioni e sidomos për nga simfonizmi i shprehur në reliefin dramaturgjik të saj, është pamëdyshje një realizim më i kompletuar, më i thelluar dhe vepër që denjësisht e shenon nismën e muzikës simfonike tek ne. Arsyeja e dytë pse nuk është përfillur vlera historike e Simfonisë së M. Gjokës qëndron në një botëkuptim të kohës, në një mentalitet të formuar në një periudhë të caktuar historike, që të gjitha arriturat t’i mvishen kohës së “ndërtimit socialist”. Andaj, fakti se krijimi i simfonisë së parë i takon pikërisht kësaj kohe, ka qenë tepër joshës, (mos të themi i vetimi i pranueshëm), së këndejmi, edhe vendimtar që “të harohet” një datë e një kohe edhe ashtu “të dyshimtë”. Natyrisht ne nga një kontekst kohor dhe sidomos hapësinor e kemi të vështirë të konkludojmë se cili fakor ka qenë determinues. Tek e fundit për këtë mundet edhe më tutje të hapet apo edhe të vazhdojë debati, por indikative është arsyeja e dytë e përcaktimit të vlerës së veprës.

Ndoshta edhe nuk do të vlente më tepër të flitet lidhur me këtë temë po të mos shfaqej në formë dukurie tendenca që faktori jashtëartistik, më sakt të themi ai politik (ideologjik) si determinantë supreme në sajimin e konfiguracionit historik në fushën e artit të caktuar. Është kjo një rrugë me kahe të çuditshme që në vend se, në mënyrë analitike-hulumtuese, të zgjërohet spektri i datave të rëndësishme, duke depërtuar sa më thellë në trashëgëminë kulturore historike, është shfaqur tendenca që në masë të madhe, përmes akcentimit të tepruar dhe në të shumtën e rasteve tendencioz, të emrave dhe datave nga koha  e “ndërtimit socialist”, të ngushtohet gjatësia jetësore e kulturës sonë (muzikore). Në këto raste zakonisht është qitur në pah arsyeja shkencore (artistike), kurse në mënyrë latente, determinuese ka qenë diçka tjetër. Shembuj analog si kjo të simfonisë në muzikën tonë mund të gjenden mjaft. P.sh. mendohet se Harallamb Kristo Koçi (emër i rëdësishëm i Rilindjes Kombëtare, i cili qysh më 1878 ishte shpërngulur në Odesë ku dhe veproi) kompozoi kah fundi i shekullit XIX një operë për Skenderbeun. Kjo vepër, pos disa shenimeve të pakta të Milto Sotir Gurrës, më tepër nuk është hulumtuar. Si datë e pakontestueshme e krijimit të operës së parë tek ne merret viti 1958, do të thotë një datë 60 vjetë me  e vonshem.

 

Jan Kukuzeli-kompozitor shqiptar?

Po në këtë mënyrë është harruar durrësaku Jan Kukuzel, një kompozitor shumë i rëndësishëm reformator nga shekulli XIII/XIV. Eshtë periferizuar për të vetmen arsye se veproi në kuadër të kulturës (kishës) bizantine (pra jo në ambientin “tonë” politik); Janë haruar Sorgët, (një familje e famshëm muziktarësh nga shekulli XVIII) pse vepruan në Dubrovnik e kështu me rradhë. Mund ta marrim me mend se po të aplikohej një metodë (logjikë) në historiografinë rumune, bullgare, kroate, serbe apo sllovene, sesa ajo do të cenonte spiralen e thellësisë historike të kulturës së tyre kombëtare. P.sh., të gjithë kompozitorët mesjetarë (bizantinë), që e kanë prejardhjen bullgare, serbe, maqedone figurojnë (me plot të drejt) në historinë e muzikës bullgare, serbe madje edhe  maqedone dhe formojnë njësi të veçantë “Muzika mesjetare”, ndonëse është krejtësisht e qartë se muzikë bullgare, muzikë serbe, maqedone etj., të profiluar dhe të definuar si kulturë dhe entitet kulturor kombëtar nuk ka ekzistuar.

Jakob Gallus (shek.XVI), nga Sllovenia, një kompozitor i madh i renesansës së një kulture të kristianizmit perendimor, i cili nuk veproi fare në mesin e bashkëkombasve të vet (për italianët, austriakët, gjermanët, Gallusi është tepër i çmuar por për ta nuk është e njohur origjina e tij sllovene). Ndërkaq, sllovenët e kanë integruar shkëlqyeshëm në kulturën e tyre dhe kanë arritur përmes ndriçimit të momenteve të rëndësishme historike prej kohës së renesansës, kur ai jetoi, e deri te koha e sotme dhe t’a definojnë kontinuitetin me kohën shumë më të vonshme kur ata e artikulojnë qartë dhe definitivisht entitetin e tyre nacional. Bile përmes studimeve të shumta që kanë bërë për të dhe për veprën e tij kanë gjetur që në strukturën e kompozimeve të tij (që i takojnë ekskluzivisht një polifonie të traditës europiane) elemente të muzikës popullore të Kranjskës, vendlindjes së tij.

 (Rishqyrtimi i trashëgëmisë muzikore)

Fakti se çdo lloj apo formë e muzikës së kultivuar është shtrirë në organizmin e kulturave të mëdha (kulturës së kishës së Lindjes apo asaj të Perendimore), nuk do të thot se automatikisht ato nuk kanë primesa kombëtare (kështu edhe nuk do të thot se nuk duhet kombëtarisht të integrohen në kulturën e veçantë). Kjo ka qenë e njohur edhe për teoreticientët dhe muziktarët e asaj kohe dhe siq mund të konkludohet në bazë të shkrimeve të asaj kohe nuk ka qenë tabu temë. Lidhur me të ekzistojnë edhe shkrime. Ta zëmë, qysh në shekullin XV, teoreticieni Gaffurius vërente dallimin në këndimin e koralit gregorian në vende të ndryshme. Këtë këndimi njëzanor (një këndim oficiel dhe tepër i kanonizuar i kishës katolike) përshkruante ai, ndryshe po e këndojnë francezët, ndryshe spanjollët e ndryshe gjermanët…Dmth. edhe në një ambient kulturor konzervativ, në një ambient ku nuk ka ekzistuar definime të qarta nacionale, së paku jo për “popujt e vegjël” të Europës, janë pranuar disa karakteristika (përcaktime) teritoriale dhe nacionale. Dhe ja, nga këto pak elemente, disa shekuj më vonë, është ndërtuar historiografia kombëtare.

Nëse i kemi parasysh të gjitha këto që i thamë, vijmë te pyetja fare e thjeshtë por tejet e rëndësishme, deri në çfarë thellësie historike mund ta gjejmë muzikën shqiptare. Në ç‘ masë ato do të mund të ndikojnë që të shërohet  indi i gjallë i kulturës sonë që ne supozojmë zë fill shumë herët në histori sesa që tregojnë të dhënat që qarkullojnë në librat dhe tekstet tona aktuale. Në ç’masë dhe në ç’ mënyrë do të “integrohet” në kulturën shqiptare Jan Kukuzeli, nga shekulli XIII/XIV, Niketë Dardani madje nga shekulli IV në vazhdimësinë e historisë së  muzikë (kulturës) shqiptare.

Pyetjen e bërë në fillim se kur është shkruar simfonia e parë në muzikën shqiptare duhet kuptuar vetëm si një pyetje retorike, pyetje që hap një varg problemesh që konsistojnë në rishqyrtimin e pozicionit tonë ndaj trashëgimisë kulturore.

                                                                                         

                                                                                               

WordPress Image Lightbox