Rafet Rudi: Rëndësia e botimeve (të partiturave) muzikore

Prof. Tish Daija dhe “gjenerata e artë” e muzikës shqiptare

Kumtesë e shkruar për Tubimin promovues, organizuar nga AKADEMIA E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË, lidhur me botimin e partiturës së Baletit të parë shqiptar “Halili e Hajrija” të Tish Daijës)

Dhjetëvjetëshi i parë i periudhës së pas luftës, mund të konsiderohet si faza më e rëndësishme e  zhvillimit të muzikës shqiptare drejt profesionalizimit të saj. Në kohën kur Shqipëria (sikundër edhe vendet tjera të rajonit) me vështirësi i përballonte pasojat e luftës, atëherë kur popullata në vend luftonte për mbijetesë të thjeshtë, dërgohen jashtë vendit (në Moskë, Pragë dhe në qendra tjera botërore) të rinjtë të talentuar për të studjuar në disa profesione, për dikend të çuditshme dhe jo të domosdoshme – profesione si ai i këgëtarit operistik, violinistit, dirigjentit, kompozitorit të muzikës simfonike e operistike etj. Por, sot e shohim qartë se vendimi ka qenë largëpamës dhe me vlerë strategjike. Me kthimin e tyre në vend, me angazhimin e tyre ka filluar një ngritje sistematike e kuadrove muzikore të nivelit të lakmueshëm profesional. Në vazhdën e kësaj duhet parë rëndësinë historike të gjeneratës së parë të krijueve shqiptarë të pasluftës, të cilët vunë themelet e muzikës profesionale në Shqipëri. Në mesin e tyre, kontributi të veçantë ka dhënë pikërisht Prof. Tish Daija.

Ndër arritjet më të mëdhaja të kësaj “gjenerate të artë” të kompozitorëve shqiptarë, ka qenë krijimi i veprave bazike dhe të domosdoshme për krijimin e identitetit profesional të muzikës sonë kombëtare – Operës, Simfonisë, Baletit, Kantatës etj., pra vepra të dimensioneve të mëdha. Me veprat e këtyre bardëve, fillon të vendoset një standard i ri në fushën e kompozimit, gjithsesi vendimtar për zhvillimin e muzikës shqiptare.

Rrjedhat në fushën e kompozimit, në disa vite më pas (me reduktimin e komunikimeve me ambientin kulturor europian), nuk u zhvilluan plotësisht ashtu si e paramendonin kjo gjeneratë e kompozitorëve, sidoqoftë, me kontributin e tyre, tashmë ishte formuar një fundament i fortë profesional. Tranzicionin e vështirë të viteve ’90-ta, drejt kuçjes së kompozitorëve shqiptarë në rrjedhat e muzikës europiane, duke përqafuar me shpejtësi standardet e saja, e shoh si meritë pikërisht të kësaj gjenerate. Prandaj, sot muzika shqiptare ka pamje, par excellence, europiane!

Botime në funksion të popullarizimit të muzikës shqiptare

Ne, jemi mbledhur për të përuruar një botim të rëndësishëm, një botim me vlerë kapitale për kulturën shqiptare. Këtë duhet gjithsesi përshëndetur me pijetet dhe respekt, por, ky moment festiv nuk na pengon, që edhe njëherë të mendojmë lidhur me rëndësinë e botimit të partiturave, si një segment vendimtar në ndërtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë kombëtare – në kohë dhe në hapësirë. Pra, botimet e këtij lloji, përpos që sugjerojnë dhe konfirmojnë rëndësinë e veprës konkrete, ato krijojnë mundësinë që vepra, në vazhdimësi, të komunikoj me publikun e ardhshëm.

Kur është çështja te botimet, në ambientin tonë (edhe në Shqipëri e edhe në Kosovë), ekziston një neglizhencë dhe një indiferencë e përgjithshme institucionale. Askush se merr përsipër obligimin për botime. Madje, gjendja në këtë drejtim, në Kosovë është edhe më e keqe. Në anën tjetër, botimet muzikore nuk mund t’i nënshtrohen rregullave të tregut eventual të shitjes, sikundër që e ka  libri, meqë rrethi i konsumuesve potencial është tepër i vogël andaj nuk e mundëson një gjë të till. Institucion të specializuar për një aktivitet të till, të ndihmuar nga shteti gjithsesi – ende nuk ka(!). Së këndejmi, në këtë moment mbetet shpresa te institucionet aktuale që krahas punës së tyre primare, të kujdesën edhe për botime si një punë shtesë e tyre. Më së paku që ato mund të bëjnë është digjitalizimi i partiturave që kanë në bibliotekat e tyre (qoftë notizimi kompjuterik apo skenimi i partiturave), që do të evitonte shkatërimin e tyre apo humbjen eventuale. Gjithsesi, këto institucione do t’i jepnin prioritet botimit të atyre partiturave, që hynë në sferën e aktivitetve të tyre. Kështu, Orkestra e Radios do të merrej më botimin e veprave sinfonike e kështu me rradhë. Shoqatat e kompozitorëve, në bazë të seleksionimit, duhet të preokupohen me botimin e veprave të kompozitorëve bashkëkohorë, meqë ndër to ka vlera të konfirmuara. Për Akademinë e Shkencave, besoj se cak i saj do të ishte, edhe më tutje, botimi i veprave kapitale, të muzikës shqiptare.

Roli i botimeve në pasqyrimin e thellësisë historike të muzikës shqiptare

Prioritet për institucionet tona të kulturës, në një të ardhme të afërt kohore, duhet të jetë botimi i veprave të autorëve tanë të shekujve të kaluar, atyre veprave që do ta pasqyronin thellësinë historike të kulturës sonë. Me botime të tilla, do të mund të shërojmë indin, që supozojmë se ende ekziston – indin që e lidh vlerat tona të shekujve të kaluar me kohën e re të muzikës sonë. Siq e dimë, autorët e këtyre vlerave, janë shpërndarë dhe integruar në organizma të kulturave tjera. Hapi i parë në këtë drejtim do të ishte botimi i veprave të këtyre autorëve. Në këtë drejtim, mendoj se veprat e dursakëve tanë Jan Kukuzelit dhe Gjergj Danush Lapacaj, pse jo edhe të Niketës e të tjerëve, duhet të dalin në dritë nga ne, pa hezitim, pa ngurim, pa mosbesim në përkatësinë e tyre. Mund të thot dikush se ata nuk kanë punuar këtu dhe tashmë janë pjesë integrale e kulturave tjera. Është e vërtet kjo, por, pse të mos besojmë në parimin e identitetit të dyfisht. Këtë nuk na mohon askush!

Andaj, Kukuzeli, edhe Llapacaj, ndonëse me vonesë të madhe historike, ata duhet “të kthehen” në vendlindje. Kthimin e tyre mund ta bëjmë përmes aktualizimit të veprës së tyre (në shkollat tona, në sallat tona koncertale, në jetën tonë muzikore). Kjo vonesë është fatkeqësi e madhe e jona e cila është shkaktuar për shkak të mungesës së hulumtimeve të thelluara muzikologjike tonat, apo edhe për shkak të paragjykimeve ideologjike të një periudhë të shkuar kohore, sidoqoftë, unë mëndoj se muzika e tyre duhet të komunikoj me njerëzit e kohës së sotme, me ambientin tonë, së fundi me ambientin të cilit, me lindjen e tyre, i kanë takuar. Për këtë nuk kemi nevojë ta pyesim dikend. Është borgj i yni historik ndaj tyre.

Polivalenca e botimeve

Shiquar edhe në këtë prizmë, është fare e qartë se, rëndësia e botimeve është polivalente: botimet e veprave muzikore duhet të shërbejnë për promovimin e muzikës sonë, për popullarizimin e saj dhe për përhapjen e saj – në kohë (për gjeneratat e ardhshme) dhe në hapësirë (duke e mundësuar shtrirjen në vend dhe në botë).

Pamëdyshje, botimi i veprës së Profesor Tish Dajisë është një shembull i mirë i kujdesit ndaj trashëgimisë tonë muzikore. Ky botim do t’i mundësoj, sigurisht, jetë  të gjatë – baletit tonë të parë.

Bredhovë/Brezovicë 9/5/2021

(Do të përshëndetja me këtë rast, një ndërmarje të till që e ka marr përsipër Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Në veçanti do të falenderoja Profesor VasoTolen).

 14 maj 2021 Tiranë

 

WordPress Image Lightbox