Rafet Rudi: Muzika dhe Jeta
“Mund të thuhet se lidhëshmëria e muzikës me jetën dhe ndikimi i saj mbi jetën, është e mundshme dhe e domosdoshme, por nuk duhet haruar natyrën e ekzistimit të saj (të muzikës). Muzika zbulon esencën e thellë të çështjeve, duke krijuar një humanitet të ri (qenien muzikore) përmes tingujve. Roli i saj permanent është që ta humanizojë njeriun, por në një mënyrë të re, specifike, sepse muzika (vetëtetiu) formon një qenie të re, një jetë të re, një botë të re. Kjo duhet të jetë pikënisje drejt botës së tingujve. “
Në bashkimin e dy qenieve – të qenies artistike dhe të qenies njerëzore, gjegjësisht me ndikimin e qënies artistike (veprës artistike) mbi njeriun, në masë të madhe bëhet i qartë edhe raporti në mes veprës artistike dhe jetës reale, si një dimension i veçantë i vendosur në këtë raport. Por duhet thënë se në rrafshin muzikor edhe në këtë rast shfaqen disa veçanti. Sepse, lidhshmëria e muzikës me jetën, bie fjala, nuk është e njëjtë me lidhshmërinë që mund të ketë letërsia me jetën.
Sharl Lalo në estetikën e vet sheh pesë raporte kryesore të veprës me jetën e adhuruesit a të krijuesit
1) Funksioni i ndryshimit. “Funksioni i parë i artit në jetë është ai që na bën ta harrojmë jetën në lojë e sipër. Vrojtimi është ndryshim apo ikje, tepric ose luks” (Sh. Lalo).
Duke u nisur nga fakti se njeriu jeton në një periudhë biologjikisht të kufizuar kohore dhe në hapësirë, ndaj jetës ka qëndrime të atillë si ndaj dukurive të cilat nuk i sundon. Jetën ai as që e kupton, sikundër edhe dukuri të tjera rreth vetës. Duke ikur (përkohësisht) nga jeta, nga “absurdi”, nga “vrazhdësia”, nga “pamundësia” e saj, ai i qaset muzikës si një lojë thjeshtë estetike të formës, e cila ia kompenzon mbizotërimin e dukurive të ndryshme në jetë, pra i bëhet kundërpeshë e realitetit. Përmes saj, ai realizon fenomene të ndryshme, ndër të cilat edhe humanitetin, i cili mungon në jetë”. Ndërkaq këtë “lojë” e cila na mundëson “që ta harojmë jetën”, mund ta kuptojmë në dy mënyra: (a) si gjendje që bëhet cak i vetvetës, e cila qëndron në një abstraksion të veçantë të ndarë nga jeta, bile edhe në mënyrë metaforike, (b) si lojë që humanizon, që kërkon ta bëjë të njerzishëm njeriun, t’ia ndërrojë realitetin – duke e ndryshuar njeriun si pjesë të realitetit. Nisur nga pikëpamjet materialiste mbi botën, s’ka dyshim se pikëpamja e dytë mbi artin është rruga e vërtetë e artistit, e artit dhe e përjetuesit.
2) Spastrimi i çështjeve- Për katharsis (siç e quan Aristoteli) për këtë funksion II të artit, Lalo shkruan: ”vepra artistike e tipit të tillë kryen funksion pozitiv të imunizimit moral, ashtu si vepron në trupin e njeriut nji i thatë i shkaktuar artificialisht, apo një injeksion i serumit të zbutur”.
Këtë funksion mund ta konsiderojmë trajtim psikologjiko-subjektiv të artit, për të cilin angazhohen ithtarët e psikologjizmit që e interpretojnë veprën vetëm si produkt procesesh psikologjike. Mirëpo, për dëgjuesin (edhe nëse pajtohemi me këtë) kjo gjë nuk do të duhej të ishte vendimtare në të përjetuar të veprës. Thënia e Gëtes sesi ”Verterin” e ka shkruar për t’u liruar nga pasioni dhe instinkti për vetëvrasje, bie fjala, nga aspekti estetik është irelevante. Kjo gjë mund të ketë vetëm funksion informativ, sepse raporti mes artistit dhe veprës nuk duhet të jetë faktor për përjetuesin sa i përket përcaktimit të vlerës estetike të saj.
3) Aktiviteti teknik. Ky funksion III përfshin problemin e realizimit të veprës “Artistët e talentuar këto funksione i kryejnë për arsye se kanë organe me të cilat mund t’i realizojnë dhe pa kurrfarë qëllimi tjetër, pos që t’i aktivizojnë këto organe të tyre mentale e fizike”.
Le të na kujtohet Çerni dhe opusi i tij i gjerë, prej të cilit nuk është ruajtur thuajse asgjë, pos fletoreve te ushtrimeve, që i dedikohen perfeksionimit të teknikës të luajturit në instrument. Rasti i muzikës moderne paraqet edhe një shembull karakteristik në këtë drejtim. Dita më ditë, përsosja e mjeteve dhe kompleksiteti i mënyrave të të menduarit, po bën që edhe mënyra e të shkruarit të arrijë kulminacionin (përditë hasim inovacione). Por njëkohësisht ne arrijmë deri në një gjendje paradoksale. Në një anë kemi një mundësi të madhe zgjedhjeje të mjeteve të të shprehurit, kurse në anën tjetër, jo mjaftë realizime të sukseshme.
4) Funksioni i përsosjes. Relacioni IV i artit ndaj jetës reale është relacioni i përsosjes apo i “idealizimit”. Kjo mënyrë e lidhëshmërisë së artit me jetën vërehet veçanërisht në artin romantik. Në poemat e tij simfonike, F.Listi më së shpeshti ka marrë syzhe nga mitet botërore, duke dashur t’i idealizojë personazhet, madje edhe vetë muzikën. Mirëpo, ndonëse muzika e tij, shikuar në aparencë, duket e përsosur dhe e bagatshme, asaj i mungon shumëçka nga këto atribute. Duke kërkuar mungesën e angazhimit në kuadër të këtij funksioni, Lalo shkruan: “Që nga Platoni, përkundër gjinive të shumta realiste, shumë teori idealiste e kanë predikuar këtë funksion si funksion të vetëm që është i denjë për artin. Kjo është antitezë e ekzistencializmit bashkëkohës, që gjithmonë angazhohet për realën, së paku parimisht”.
5) Funksioni i dyfishimit. Në këtë funksion Lalo sheh detyrën e artit që, përmes dyfishimit, ta forcojë jetën reale të tillë çfarë është ajo vetë nga dëshira për ta ruajtur imazhin e saj”. Një këso përpjekjeje të “shkrirjes” me natyrën mund ta hasim në muzikën e impresionistëve. Mund të bëjmë një analogji me realizmin e E.Zolas apo me ekzistencializmin e Zh.P.Sartrit, sipas të cilëve “çdo art ka për detyrë ta reprodukojë dhe ta përforcojë realitetin, por jo t’ia ndërrojë themelet. Në muzikë, “të pikturuarit” objektiv është gjë e pamundshme dhe, për më tepër është përpjekje e kotë. Muzika nuk e pikturon realitetin, ajo “ndërton” në mënyrë objektive një realitet të ri. Në këtë kontekst do kërkuar kuptimin e muzikës së Debysisë.
Teoricientët e artit në të kaluarën, por edhe sot, problemin e lidhëshmërisë së muzikës me jetën dhe ndikimin që muzika e ushtron mbi jetën, nuk e kanë shqyrtuar (me sukses) në masë të duhur. Madje kanë pasur edhe mendime të kundërta. Nja palë ka konsideruar se kjo mënyrë e lidhëshmërisë mund të arrihet vetëm përmes planit lëndor-deskriptiv, e pala tjetër e ka mohuar këtë mundësi të lidhëshmërisë, duke konsideruar se është absurd për artin që nuk posedon “ide” (pra koncepte) por vetëm tingullin (steril në pikëpamje konceptuale) si fenomen akustik.
Mund të thuhet se lidhëshmëria e muzikës me jetën dhe ndikimi i saj mbi jetën, është e mundshme dhe e domosdoshme, por nuk duhet haruar natyrën e ekzistimit të saj (të muzikës).
Muzika zbulon esencën e thellë të çështjeve, duke krijuar një humanitet të ri (qenien muzikore) përmes tingujve. Roli i saj permanent është që ta humanizojë njeriun, por në një mënyrë të re, specfike, sepse muzika formon një qenie të re, një jetë të re, një botë të re. Kjo duhet të jetë pikënisje drejt botës së tingujve.