Rafet Rudi: Mundësia e krijimit të “tregut” të muzikës së re (muzikës moderne) shqiptare
Sado që mund të konsiderohen të vështira e gjithsesi edhe të vonuara, ndryshimet që vërehen dhjetë vitet e fundit në orientimin stilistik (në pranimin e mjeteve bashkëkohore shprehëse, dikur të ndaluara në Shqipëri) janë aq të mëdha, sa mund të shpjegohen vetëm me forcën e potencialit profesional të krijuesve shqiptarë.
Muzika artistike (serioze) në kolizion me kohën e vet
Fati i muzikës së shekullit tonë në raport me kohën kur ajo krijohet, për shumë arsye mund të konsiderohet i jashtëzakonshëm, i disfavorshëm dhe, ky është fakt të cilin muzika artistike; shikuar historikisht, nuk e ka përjetuar asnjëherë deri më tash. Derisa muzika në shekujt e kaluar jetonte në një harmoni, të thuash, ideale me kohën, meqë ajo muzikë sapo krijohej plasohej menjëherë nga autori i saj në treg (p.sh. në kohët e shkuara nocioni “muzikë moderne” nuk ekzistonte, për vetë faktin se tjetër lloj muzike pothuaj nuk praktikohej, andaj fjala përcaktuese “moderne” nuk kishte kuptim, ishte e deplasuar), koha jonë sjell një fenomen të çuditshëm. Jeta muzikore aktuale në botë, që nga mësimi në shkolla, akademi e deri te praktika koncertale, apo jeta muzikore e projektuar në programet e shtëpive diskografike dhe operistike, është plotësisht e vërshuar me muzikë të kohërave të kaluara.
Dominimi i muzikës së kaluar
Në realitetin e shekullit të fundit, gjatë tërë rrjedhës së tij, dominim të plot ka muzika e kohërave të kaluara (kryesisht ajo e një periudhe dyqindvjeçare, 1700-1900). Ta parafrazojmë Lutosllavskin, i cili vëren se “një dëgjues mesatar i sotëm di të thuash gjithçka për Bahun, Moxartin apo Cajkovskin, mund të dijë edhe për detajet më të vogla të jetës së tyre, por emrat si Ives (Ajvs), Varese (Varez) apo Stockhausen (Shtokhauzen) për të nuk do të thonë asgjë”…
Në këto rrethana, muzikës së re i kanë mbetur dy mundësi: a) të pranojë “disfatën historike” dhe të shpresojë në rikthimin e “kohërave të mira”, ose b) të krijojë një “modus vivendi”, që nënkupton ruajtjen e integritetit të vet aq sa është e mundshme dhe aq sa e lejojnë rrethanat, duke zhvilluar jetën në formë të tipit të “shoqatave të muzikës së re”, “qendrave hulumtuese të muzikës së re” (p. sh. IRCAM në Paris, GAUDEAMUS në Holandë, SHMRSH – Shoqata e Muzikës së Re Shqiptare, QMR-Qendra për Muzikën e Re në Prishtinë etj.), do të thot, në formë të organizmave të cilat në mënyrë “speciale” merren me mbrojtjen e kësaj muzike. Ky “getoizim” sado i dhembshëm dhe sado johistorik të na duket, duhet pranuar si një formë të mundshme (por vetëm si pikënisje e kursesi si gjendje dhe zgjidhje të përhershme) të pushtimit (krijimit) të tregut të muzikës së re. Mundësinë e parë duhet flakur.
Së këndejmi, edhe fatin e muzikës së re shqiptare duhet shikuar në një anologji me realitetin e përbotshëm. Problemi i evidencuar në Gjermani, në Francë, në Shqipëri apo në Kosovë në esencë është i njejtë. Sikurse në Paris e Romë ashtu edhe në Tiranë e Prishtinë, ekzekutimi i “Rekuiemit” të Moxartit tërheq disa fish më tepër publik se ta zëmë “Gurlieder” i Shenbergut.. Por, a s’është situata e njejtë edhe në artet tjera; popullariteti i një “Evgjeni Grande” e Balzakut, ta zëmë, kundrualll “Uliksit” të Xhojsit, ose në artet figurative një “Giocondas” e Leonardo da Vinçit përballë “Zonjushave nga Avinjonit” të Picassos etj.). Kjo nuk duhet të na brengosë tepër, meqë (jo)popullaritet i muzikës së re, te shtresat e gjëra të dëgjuesve nuk është ndonjë specifikë e “tregut” shqiptar.
Pengesat administrative (të sitemit komunist) mbi “qarkullimin e lirë” të një literature të tërë të shekullit XX, u muar vesh të literaturës me orientimit avangardo-modernist dhe në të njejtën kohë afirmimi e mbështetja ekskluzivisht në literaturën “pozitive” botërore të një orientimi tradicionalist, kanë formuar një zbrazti të madhe para se gjithash te krijuesit. Do të thot, për krijuesit shqiptarë, të cilët i kanë përjetuar të gjitha këto restriksione, vështërësit janë gjithsesi më të mëdha se ato të krijuesve të ndonjë qendreje më të madhe europiane, po përkundër të gjithave, këto vështirësi, objektivisht më tepër hynë në sferën e problemit të (mos)pranimit të muzikës artistike (seroze) në përgjithësi nga konsumuesi i rëndomtë sesa që ato lidhen në veçanti me muzikën e re.
Ndryshimi i vetëdijes te kompozitorët shqiptarë
Në Shqipëri, pamëdyshje duhet të ndërtohet një përkujdesje e sistemuar që do ta bëjë të afërt muzikën e re dëgjuesit. Përkujdesja duhet të nënkuptojë ndryshimin e plan-programeve në shkolla profesionale, ndikim esencial në sajimin e programeve koncertale etj.Por për popullarizimin e muzikës së re në Shqipëri, shtrohet edhe një detyrë plotësuese. Para se të shkohet në krijimin dhe zgjërimin e hapësirës së re (ose paralelisht me të) duhet që bartësit (specialistët) e muzikës mbi të gjitha të ndryshojnë vetëdijen e tyre. Sado që kjo mund të konsiderohet e vështirë dhe proces i gjatë, ndryshimet që vërehen në vitete e fundit në orientimi stilistik ( në pranimin me lehtësi të mjeteve bashkëkohëse shprehëse, dikur të ndaluara në Shqipëri) janë aq të mëdha sa ato mund të shpjegohen vetëm me potencialin e mirë profesional të tyre, me kërshërinë e jashtëzakonshme ndaj tingullit të ri, si dhe me vetëdijen e tyre që në këto rrethana potencialisht të volitshme, pa shtrëngesa jashtëartistike, ta kuptojnë drejt kohën.
Në fund të themi se ngritja e qendrave muzikore të specializuara apo formimi i shoqatave për muzikën e re, nëse vendoset muzika shqiptare për një rrugë të till, duhet të përcillen doemos me një aktivitet permanent dashamirës por të kujdesshëm në popullarizimin e kësaj muzike në praktikën muzikore, në programet e televizionit e sidomos të radios, etj. Për çdo dëgjues e ithtar potencial duhet luftuar me ngulm e mençuri. Kështu do të krijoheshin kushtet për funksionimin e “tregut” të muzikës së re.
1996