Rafet Rudi: Kultura kosovare në udhëkryq vendimtar
Mendim i shprehur në debatin parlamentar të organizuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me nismën për formimin e Operës Kultura kosovare është në një udhëkryq të madh dhe ajo duhet të përcaktohet në mes dy rrugëve, krejtësisht diferente. Rruga e parë është rrugë e guximshme e shkëmbimit kulturor dhe përballjes së saj me konkurencë valide ndërkombëtare. Me zgjedhjen e kësaj rruge ne do të shohim se vlerat tona gjithmonë nuk do të zënë vendin që ne e kemi imagjinuar apo dëshiruar; kultura jonë do të pësojë zhgënjime fillestare krejtësisht të kuptueshme, por njëkohësisht do ta kuptojë se kjo rrugë njëkohësisht është një këndellje e domosdoshme shpirtërore, një vetëdijsim i një të ritureje, një pjekje e shtatit të saj, e cila do ta kuptojë gjithashtu detyrën e parë të saj: braktisjen e rrugës shterpe të tradicionalizmit vulgar me të cilin na njohin, na trajtojnë dhe “na duan” në Europë. Pra, për aq shpejtësi sa ne e tejkalojmë këtë qark provincial (fatkeqësisht të imponuar një kohë të gjatë), për aq edhe familja e madhe e kulturave europiane do të na pranojë si të veten. Tek e fundit, pse duhet gjithmonë kjo kulturë par exellance europiane të trajtohet, “të adhurohet” dhe të qendiset me “sharmin” e kulturës ekzotike (lexo: aziatike).
Rruga tjetër është – rruga provincialiste që për qëllim ka vendosjen e një sistemi vlerash të veçanta të shkëputur nga bota, ku mediokritetet zënë vend të merituar dhe formojnë autoritete. Pse zgjedhet kjo rrugë? Për arsye fare të thjeshtë: këtë rrugë e zgjedhë një mentalitet i cili është e paaftë t’i bëj ball standardeve universale artistike– profesionale. Ky mentalitet i ngujuar në vetëvete, i mbërthyer me haluciacione, fillon të imagjinoj dhe të vendos sistemin e vet vlerash. Ky mentalitet sharlatanesk formon ambiente ku kultura (dhe muzika në të) e mbështjellë me folklorizëm transparent dhe me joprefosionalizëm eklatant jeton si vlerë dhe ka edhe rekompenzim shoqëror; ky mentalitet formon ambient përshtatshëm ku parametrat vlerësues janë shumë të ultë dhe jashtë kritereve të mirëfillta të kulturës (muzikës) që sot krijohet në botë; ky mentalitet formon ambient ku muzika e tipit të njohur e “realizmit socialist” promovohet si kulturë e vërtet kombëtare; por ky mentalitet cili është i bindur se nuk do të ketë dëmkosje (estetike) të kritikës sonë mund të lëvizë drejt një përmbytjeje kuturore dhe kështu të pësojë fatin e kulturës “të ndritshme”, “optimiste” enveriane. Mjerisht nga kjo përmbytje do të pësonim të gjithë sidomos gjenerata e re e cila do ta vërej se ka qenë e mashtruar dhe do të vërejë se asaj iu janë vjedhur vitet më të rëndësishme të ngritjes profesionale. Këtë zhgënjim janë duke e përjetuar të gjithë të rinjtë tanë që dita ditës dalin jashtë Kosove dhe e shohin se ‘vlerat’, “autoritetet”, dhe mitet për kulturën tonë janë të rrejshme. Atyre vetëm iu është dashur një ndeshje e vogël me një sistem tjetër vlerash, më një sistem ku vlera artistike është vlerë absolute, vlerë e cila në asnjë mënyrë dhe me asnjë qëllim nuk mund të relativizohet, as me spjegime kinse “ të interesit të lartë kombëtarë”. Interesi autetentik kombëtar është krijimi i vlerave të mirëfillta artistike, vlerave të afta t’i nënshtrohen vlerësimeve dhe parametrave bashkëkohor, të standardizuar.
Kultura kombëtare mund të mbrohet vetëm me cilësi. Ne duhet ta braktisim përgjithmonë mentalitetin e formimit të shkrimtarit tonë (me masën tonë), i cili ndërton emër me botime vetanake dhe me botime të botuesve lokal; kompozitorin tonë i cili bëhet “i famshëm” me ekzekutimin e veprës së tij vetëm në Prishtinë e Tiranë, tipin e profesorit universitar tonin dhe akademikun tonë i cili, ta zëmë, nuk din të shkruan në një gjuhë botërore dhe i cili një thirrje të till të lartë mund ta gëzojë vetëm në Prishtinë dhe askund tjetër. Në këtë kontekst e shoh edhe formimin e institucioneve të reja në nënqiellin tonë, në këtë kontekst e shohë edhe formimin e ardhshëm të operës tonë kombëtare.
Nëse ne në fundin e viteve gjashtëdhjeta dhe në fillim të viteve shtatëdhjeta, të shtrënguar nga një shtypje permanente politike nga Sërbia, nën peshën e një presion të vazhdueshëm, ku nuk është ditur saktësisht se “liria” e fituar (pas viteve 1966 dhe 1974) sa do të zgjasë, jemi detyruar të formojmë institucione me shpejtësi, pa respektimin e kritereve profesionale, dhe si të tilla mund t’i arsyetojmë, në këtë fazë të zhvillimit tonë ne nuk duhet të veprojmë në mënyrë të njejtë. Formimi institucioneve nuk duhet të jenë akte manifestive, formale, shpeshherë me spjegime meskine për kinse “interesa kombëtarë” dhe interesa “shtetëformues”(!). Nuk duhet të jetë gjithashtu as fryt i kapricit ndaj dikujt (ndaj kujt?). Nuk kemi nevojë më diçka të till sepse ne jemi ne ata që vendosim për fatin tonë, pra, për politikën tonë strategjike kulturore. Formimi i shtëpisë operistike është akt sublim kombëtarë të cilin çdo njeri normal e dëshiron, por ky akt nënkupton përmbushjen e një varg detyrash paraprake: formimin e kuadrove cilësore (jo të trilluara dhe të improvizuara) të të gjitha profileve; sigurimi i burimit stabil të mjeteve për veprim permanent (që në esencë janë për momentin të pakapshme) e jo për një apo dy projekte partikulare; formimi i infrastrukrurës së nevojshme në godinën e saj (qoftë edhe minimale, që për momentin nuk e kemi) e shumë detaje tjera që duhet me serizitetin më të madh të sheshohen nga institucionet, dhe nga rrethi (më i gjërë) i muzicientëve me autoritet profesional e jo nga rrethi i ngusht i joprofesionistëve, të mbrojtur “nën firmën” e Ministrisë së Kulturës, apo individëve të interesuar vetëm për përmbushjen e ambicieve momentale. Së këndejmi, pyetja që shtrohet sot këtu në këtë vend se a është formuar opera apo jo unë e quaj pyetje irelevante dhe për momentin spekulative. Pyetje e vërtet dhe fundamentale është se a i kemi bërë paraprakisht pregaditjet e nevojshme. Përgjegja është: JO
14 janar 2004