Rafet Rudi: Festivalet e muzikës bashkëkohore

Fati i muzikës së re

Një prej veçorive të muzikës së shekullit XX, është pa asnjë mëdyshje, mospranim i vet kësaj muzike nga koha në të cilën ajo krijohet dhe nga hapësira (nga praktika e rregullt koncertale) ku ajo krijohet. Natyrisht mospranimi (mosnjohja shoqërore) i një kompozitori, i muzikës së tij, përkundër vlerave që janë verifikuar më vonë, është e njohur historikisht (dhe dhe këso raste nuk janë të ralla) por për këtë nuk do të flas kësaj rradhe. Ajo që më duket e veçantë dhe që paraqet një fenomen i llojit të vet dhe unikal në histori është  mospërputhshmëria e muzikës së sotme (joadaptimi i saj?) me kohën në të cilën ajo krijohet. Argumentet janë të shumtë. Mjafton të hudhet një shiqim në programet e shtypura të sezonit koncertal të çfarëdo vendi të madh në Europë (mos të flasim për vendet periferike, ku jeta koncertale mezi mbijeton), të cilës do sallë prestigjioze, të programeve të radiove dhe televizioneve të rregullta apo mjafton të bëhet një analizë qoftë e sipërfaqshmë e diskografisë (gjithnjë më agresive ndaj dëgjuesit të sotëm dhe më determinuese në përcaktimin e shijës së tij) të muzikës klasike, do të bindemi në një thënje të till.  Një kompozitor i shekullit XX duhet të jetë i lumtur nëse vepra e tij ndonjëherë realizohet apo botohet, dhe nëse ajo depërton së paku njëherë në veshin e dëgjuesit të sotëm të afërt me rrethin ku kompozitori vepron, kurse sa për përhapjen e saj më të gjërë apo popullarizimin e saj as që mund të bëhet fjalë.  Një kompozitor si Varese, si një Ives, apo një Scelsi janë krejtësisht emra të panjohur për një meloman të sotëm (një meloman jo gjithëfare por për atë të muzikës klasike, pra për zhanrin që edhe vepra e tyre i takon). Emra të njohur, emra që doninojnë sot në sallat koncertale dhe në listën e botimeve të të gjitha llojeve janë ata të shekullit XVIII dhe XIX (pra, kompozitorë të muzikës klasiciste dhe romantike). Sot edhe kompozitorët kulminant të shekullit XX, për veprën e të cilëve nuk ka kontestime profesionale si Shenberg, Vebern nuk mund të maten me popullaritetin e një Albinioni, Monteverdi, Pergolezi etj. (e mos të bëjmë një krahasim me emra si Betoven, Moxart, Brams apo Shopen). Veprat kulminante të tyre nuk mund të maten me popullaritetin e veprave minore të kompozitorëve të shekujve të mëparshëm.

 Festivalet e muzikës së re

Ndoshta pikërisht këtë e kanë pasur parasysh organizatorët e Festivalit të muzikës moderne në Donaueschingen në vitin 1921, të parin të këtij lloji të organizuar në historinë e muzikës, kur kanë marë një hap për një manifestim të till. Me gjasë arsyet e njejta i kanë shtyer edhe organizatorët e festivalit të Salcburgut (International Society for Contemporary Music) të cilët një vit më vonë organizojnë festivalin e tyre, por edhe festivalet tjera që fillojnë në Europë si në Venedik (1926), në Frankfurt (1928), në Amsterdam (1933), në Barcelonë (1936), në Londër (1937)  etj.

Sipas të njejtit model në vitet e gjashtëdhjeta, ku më herët ku më vonë, fillojnë të organizohen festivalet e muzikës moderne edhe në vendet ballkanike. Edhe këto festivale, sikundër ato që organizohen në perendim, mbahen me qëllime të njejta. Ato në nismën e tyre trajtojnë si ngjarje kulturore eksluzive, “jo të zakonshme”, “jo serike” që s’i takojnë sezonit të rëndomtë koncertal apo si “festë të muzikës”, gjë që në një mënyrë është e vërtet. Por nëse më tepër analizohet konteksti në të cilin festivalet organizohen do të shihet se arsyet e vërteta janë shumë më të thella, më pragmatike dhe të cilat e bëjnë të dukshëm një fenomen të ri – pozitën e vështirë në të cilën gjendet muzika e re në përditshmërinë kulturore. 

Meqënëse repertori i sezonit koncertal vërshohet me vepra të kompozitorëve , tw muzikws klasike dhe romantike; meqenëse orkestrat prestigjioze, tashmë nuk llogarisin në veprat e reja si repertor mbi të cilën do ta formojnë fizionominë e tyre (për kompozitorin modern është rezervuar vendi në orkestrat sekondare, me realizim unikal të veprës); pasi që shtëpitë operistike, të thuash se e kanë përjashtuar kompozitorin modern nga repertori (atyre u mjafton muzika e Verdit, Puçinit etj.); meqë diskografia, me  komponentën e theksuar të profitit, editojnë muzikë kontemporane sa për sy e faqe, atëherë promotorët e festivaleve të vetëdijshëm për situatën e krijuar nisen në rrugë /të pasigurt?/ të krijimit të kushteve për mbijetesë elementare të muzikës moderne-formimit të festivaleve të specializuara të muzikës. Këta promotorë që në të shumtën e rasteve janë prodhues direkt të kësaj muzike apo muziktarë që besojnë në krijimtarinë e re, nuk dëshirojnë ta pranojnë disfatën historike të shkaktuar nga ballafaqimi me muzikën e shekujve të mëparshëm. Edhepse në këtë mënyrë, pra, me organizimin e festivaleve (që zgjasin kryesisht shkurt), të cilët duken si një lloj getoje e tyre artistike, krijohet rreziku që ta lëshojnë plotësisht hapësirën muzikës së kohërave të shkuara.

Në preambulat e formimit të këtyre “çelulave të tyre promovuese” /të getoizuara/, në spjegimet programore të punës së tyre ata tregojnë përkushtimin e tyre, i spjegojnë  hapat që do të ndërmarin, që shpeshherë janë hapa tejet ambicioz, por në esencë të gjitha këto përshkohen me një me një moto  “të shpëtojmë atë që mund të shpëtohet”.

 

Festivali dhe mecenizmi modern (shteti)

Në tërë këtë situatë dramatike të muzikës bashkëkohore, nuk përmenda rolin e shtetit, shtetit si një mecenë moderne, e cila, ndonëse para vetes ka traditën e mecenizmit të shekujve të mëparshëm /të oboreve mbretërore/ si model, apo të fisnikëve artëdashës, shteti nuk vazhdon rrugën e përkrahjes së krijimtarisë së kohës së tyre. Shteti, nuk ndërmerë asgjë serioze që kjo çështje të orientohet në kahjen e dëshirueshme (përmes mekanizmave që ajo disponon, e të cilat nuk janë aq të vogla. Në vendet ballkanike ku institucionet janë të varura plotësisht nga shteti (nga bugjeti shtetëror) dhe ku akomulim i fuqisë vendimarrëse është më i madh dhe shpeshherë autoritar (mbase nga mungesa e kulturës demokratike?), vetëm sa i shkakton probleme reale krijimtarisë moderne. Me financimin (shpeshherë) e pa kontrolluar në fusha të tjera dhe shpeshherë diskriminuese, muzika moderne qëndron definitivisht në margjina të ambientit kulturor.

Festivalet e muzikës në kontekstin ballkanik- specifikat dhe detyrat e saj

Përkundër tërë kësaj situate të krijuar, për të cilën krijuesit e muzikës së re nuk janë fajtorë (është me interes të analizohet analogjia që mund të bëhet me romanin e ri, me gjendjen në artet figurative pamore moderne etj.), festivalet sjellin një formë të re të promocionit të muzikës, të aktualizimit të saj. Me festivale ndërtohen mundësitë të reja të muzikës-të përhapjes së saj, bëhet formë e mirë dhe e përshtatshme e komunikimit në mes artistëve etj.  Për më tepër, nëse shiqohet realiteti në jetën muzikore të rajonit, do të shohim se festivalet e muzikës moderne janë bërë kështu i vetmi aktivitet që në mënyrë programore dhe sistematike promovojnë muzikën e re dhe janë të vetmet manifestime të cilat mundohen ta rikthejnë hapësirënë e humbur.

Duhet thënë menjëherë që festivalet që mbahen në vendet jashtë qendrave të mëdha siq është rasti në vendet tona, ndonëse mbahen me motive të njejta si në vendet perendimore (nxitja e vlerave universale të muzikës së re) dhe në plan të gjërë kanë një mision të njejtë, specifikat e tyre janë të veçanta dhe specifike. Festivalet janë të orientuara në masë të madhe (apo edhe plotësisht) në shquarjen e muzikës nacionale.  Kjo është fare e kuptueshmë dhe e pritur, kur dihet se në se në ç’masë muzika e tyre është periferizuar në ambientin e tyre kulturor, dhe në ç’masë muzika e tyre është dëbuar nga sezoni e rregullt koncertal. Pikërisht, një përvojë e till, siq e përshkrova ka ekzistuar në të gjitha njësitë nacionale (vendet) të ish Jugosllavisë (Slloveni, Kroaci, Sërbi, Maqedoni, Kosovë etj.), të gjitha këto kanë pasur festivalet e tyre të muzikës bashkëkohore. Mund të supozojmë se praktika e njejtë, apo e përafërt ka qenë edhe në Bullgari, Rumuni, Shqipëri etj. Tek e fundit, specifikat e çdo vendi në veçanti mund të dallojnë por në esencë se fenomeni si i till është i njejtë dhe është lehtë i evidentueshëm. Kështu, festivalet e muzikës moderne në vendet ballkanike marrin detyra shtesë, detyra që sezoni koncertal i rregullt nuk i plotëson.

Pas ndryshimeve të mëdha të viteve ’90, ku braktisen ngadal koncepcioni i shoqërive të mbyllura, në të gjitha këto vendet ndryshojnë prioritetet e jetës muzikore ndryshojnë dhe në kuadër të saj edhe prioritet e festivaleve ndryshojnë. Ambiciet e organizatorëve të këtyre manifestimeve rriten dhe zgjërohen.

Postulatet e festivaleve të muzikës moderne

 a) Afirmimi i shprehjes së re

Për festivalet moderne mbetet (besoj në të gjitha vendet tona) edhe më tutje prioritare afirmimi i shprehjes së re. Është me rëndësi që festivali të sjellë diçka të re, diçka që jeta standarde koncertale nuk mund ta ofrojë apo nuk duhet medoemos të ofrojë. Festivali mbetet si nxitës dhe stimulues më i mirë për vepra të reja dhe thirrje për kompozitorët që të sjellin rezultatet e tyre më të mira. Në anën tjetër dëgjuesi potencial është i pregaditur për një gjë të till, kureshtja e tij bën që për këtë t’i drejtohet sallës koncertale. Gjithashtu është me rëndësi që forma e prezentimit të jetë atraktive (dmth., jo gjithmonë konvencionale). Dëgjuesi vjen për “një ngjarje të jashtëzakonshëm”, për një “koncert ekscesiv”, ai festivalin duhet ta ndjejë si një festë. Element tjetër që për festivalet e muzikës së re gjithmonë është vështirë të realizohet, është niveli dhe renomea e artistëve. Koncertet në festival duhet të sjellin emra të jashtëzakonshëm. Festivalin e madh e bëjnë artistët e mëdhenjë.

 b) Festivali si formë për njohjen në mes kulturave dhe nxitje për komunikim ndër kulturor

 Një dimension tjetër që këto festivale mund ta kenë është gërshetimi i kulturës nacionale me ato ndërkombëtare dhe konfrontimi i vlerave të saja në një konkurencë më të gjërë, potencialisht më të fortë. Pikërisht ky dimension i festivaleve duhet të shquhet për shkak se ai është konvergjente me synimet vendeve tona në drejtim të integrimeve. Andaj  bashkëpunimi dhe njohja në mes kulturave mund të jetë tërheqëse për institucionet shtetërore tona për një financim më të drejt, për një mbështetje më reale që do të ndihmonte gjithashtu përmirësimin e pozitës së muzikës së re në përgjithësi.

Momentalisht situata është e till që kulturat tona (ballkanike) më tepër janë të interesuar të vejnë bashkëpunim me ambientet dhe meset e zhvilluara europiane për shkak se njohja dhe promovimi i kulturës së tyre në një kontekst të till është më kuptimplotë, më verfikues dhe shumë më atraktiv. Ndërkaq, bashkëpunimi rajonal deri më tash ka qenë formë jo interesante për kulturat tona. Këtu duhet cekur se ky debalans në favor të bashkëpunimit me vendet europiane është kondicionuar edhe me rolin që kanë fondacionet e huaja në vendet tona. Të përkujtojmë se çfarë roli kanë fondacionet British Council, Pro Helvetia, Qendra kulturore franceze në Zagreb, Sofje, Beograd, Shkup, Tiranë apo në Prishtinë. Së këndejmi e kemi situatën paradoksale që për një festival tonin ndonjëherë më lirë kushton një ansambël që vjen nga Britania, nga Gjermania apo nga Kanadaja se një ansambël të fqiut tënd të parë(!).

Në të ardhmen, duke mos i neglizhuar për asnjë moment relacionet me vendet europiane, duhet hulumtuar dhe gjetur mundësi që bashkëpunimi ndërballkanik të jetë më i madh. Disa ndërmarje në kohët e fundit që janë marë në mes Kosovës dhe Bullgarisë, Kosovës dhe Kroacisë e gjithsesi Kosovës dhe Shqipërisë por edhe mbrëmjet e muzikës ballkanike të mbajtur në pranverën e këtij viti në Sofje, kanë treguar se bashkëpunim mund të jetë i realizueshëm.

 

  * Kumtesë për Simpoziumin e “Rrjetit informativ muzikor ballkanik “  1-4 XII 2005- Tiranë

botuar në të përditshmen “KOHA DITORE” – 17 XII 2005

WordPress Image Lightbox