Rafet Rudi: “Baresha” dhe “Suus”
Rreth këngës “Suus”
Gjithmone krijimet me vlerë, në fillimin e tyre, si duket, përjetojnë të njejtin fat – adhurohen skajshmërisht por edhe mohohen mu në thelbin e vlerës së tyre. Atë që mund të konstatojmë pa vështërësi në këtë moment, duke i shiquar reagimet rreth këngës “Suus”, është se kjo këngë në interpretim të Ronës për publikun e gjërë por edhe për profesionistët, ka shkaktur efektin e shokut. Dhe kjo situatë shokante, ishte tronditje për të gjithë, edhe për ata që e adhurojnë edhe për ata që e mohojnë. Përmasat e kësaj “lëkundjeje” nuk dihen në këtë moment. Gjithsesi, efektet “tektonike” të saj do të ndjehen më vonë dhe shumë gjatë.
Mendoj se gabim i madh do të ishte nëse këngën/interpretimi e Ronës e vlerësojmë vvetëm në kuadër të kontekstit në të cilën është shafaqur, për shkak se ajo si e till e kalon shumëfish këtë kontekst, sidomos në aspektin e modernitetit, aq të rëndësishëm për këtë lloj të muzikës. Ky interpretim, bëri që të ndjehen përzierja e dy realiteteve kohore të distancës së madhe. Në njërën anë ishin të rreshtuara këngët, të karakterizuara me një paraqitje konvencionale, të tejkaluara në kohë, dhe në anën tjetër një interpretim maestral i Rona Nishliut, avangardist në vete, i ardhur nga një platform dhe përvojë tjetër kulturore.
Por nëse e krahasojmë “Suus” me disa këngë të rralla të fushës së muzikës zbavitëse botërore, hasim në një femomen të njejtë. Psh., në këngën më të njohur të Lara Fabijan, ajo si poentë të këngës përdor një frazë tejet të zakonshme – “Je t’aime…” (“të dua”…)… apo Jacques Brel në këngën e tij më të njohur “Ne me quitte pas…” (“mos më braktisë”…). Këto fraza krejtësisht të zakonshme, konvencionale, në këto këngë marrin një dimension të ri dhe kanë konotacion tjetër. Kjo ndodhë meqë, fuqia interpretuese e këtyre artistëve, thellojnë domethënjën e tyre, dramatikën e tyre ma çka ato fitojnë primesa origjinale dhe të jashtëzakonshme. Në mënyrë të njejtë vepron edhe Rona me frazën “Lermëni të qaj…”, që është poenta e poetikës së këngës. Mund ta kemi dëgjuar edhe ndonjëherë këtë frazë në këngët tona, por ky varg asnjëherë nuk na është dukur artistikisht i vërtetë dhe aq domethënëse, dhe kjo gjithsesi për shkak të interpretimit (deklamimit) origjinal të një artisteje me talent, me botë të pasur të mbrendshme dhe me individualitet të fuqishëm interpretues.
Analogjitë në mes “Bareshës” dhe “Suus”
Reagimet kundërthënese ma thot mendja se duhet ta kenë përcjellur edhe këngën e Nexhmije Pagarushës“ Baresha” dikur. Nuk kemi informacione të mjaftueshme se çka ka ndodhur pas paraqitjes së parë të kësaj këngë, por koha tregon se edhe në kohën kur ajo këndohej nga Nexhmija por edhe tash kur kemi nje distancë të madhe kohore nga krijimi saj, kjo këngë ka mbet këngë emblemike e Nexhmijës, këngë emblemike e kompozitorit Rexho Mulliqit por gjithashtu këngë emblemike e muzikës shqipe të krijuar në Kosovë.
Analogji në mes “Bareshës” dhe “Suus”, mund të gjejmë edhe në shumë aspekte të tjera. Vështirësit teknike – interpretative për realizim e që të dyja dy këngëve janë enorme dhe të pazakonshme. E para (Baresha) me shtrirjen melodike të saj, nënkupton ambitusin e nevojshme të dy zërave femror, të sopranit dhe të altit njëkohësisht! Pikërisht për këtë, shpeshherë Nexhmijen e kanë krahasuar me Yma Sumacun e famshme (sic dihet, zëri i të cilës kishte shtrirje ekstreme prej më shumë se katër oktavash!). E dyta prek nota ekstreme të sopranit (f3). Që të dyja këngët shquajnë formatin e madh artistik të këngëtareve. Ato (që të dyja), janë shkruar për persona të veçantë dhe janë fryt i bashkëpunimit të ngusht të kompozitorit dhe interpretit. Rexhoja e ka shkruar këngën për Nexhmijen, kurse Florent Boshnjaku e ka bërë këngën pikërisht për Ronën.
Ta zëmë, pëkundër tentimeve të pandërprera deri më sot të këngëtarëve/këngëtareve të ndryshëm që ta rikëndojnë “Bareshën”, të gjitha tentimet e tyre kanë qenë të kota. Bile do të thosha se për të gjithë interpretët, jo vetëm për interpretët më pak të talentuar që kanë qenë të shumtë, por edhe ata me mundësi të mëdha vokale, që me dashamirësi iu kanë qasur riinterpretimit të këngës, përpjekjet kanë qenë të paarritshme dhe si të tilla kanë dështuar të na risjellin shkëlqimin e saj. “Baresha” ka mbetur e paprekshme. Arsyeja si duket është e thjeshtë – Baresha është shkruar për Nexhmijen dhe vetëm për të.
Në anën tjetër nuk është çudi se nga të gjitha mendimet kundërshtuese për këngën e Ronës, i vetmi vlerësim që i lidh të gjithë këta kritikë (kundërshtarët dhe përkrahësit e saj) është mendimi i tyre të thuash unanim – kënga “Suus” nuk do të mund të këndohet lehtë nga dikush tjetër, ajo nuk mund të rikëndohet. Pra, në mënyrë të njejtë si kënga “Beresha” që ka mbetur vetëm e Nexhmijes, poashtu kënga “Suus” është dhe do të mbetet vetëm e Ronës. Kompozitorët kanë shkruar këngën unike për këngëtarin unik
Kënga “Baresha” lidhet fuqishëm me një emër – me Nexhmije Pagarushën. Por kjo nuk e minimozon në asnjë mënyrë rolin e Rexho Mulliqit, për më tepër ajo e shquan. Rexhoja, në mënyrë tejet inteligjent ka ditë të shquan veçantitë e zërit të Nexhmijes. Autori i këngës “Suus”Florent Boshnjaku, ka bërë veprim të njejtë sikundër edhe Rexhoja pesë decenije më parë. Florenti, ka ditur të interevenoj (vetëm) aq sa duhet, aq sa Rona të shprehë talentin, muzikalitetin e veçantë të saj dhe të shprehë mundësitë e saja të jashtëzakonshme vokale.
Kënga “Baresha” formon veçantinë në elementet e këngës popullore dhe për këtë vlerësohet si këngë origjinale. Kënga “Suus” nuk ka primesa të folklorit. Ajo është këngë “e hapur”, moderne dhe gati kosmopolite. Origjinaliteti dhe veçantia e saj ndërtohet në një rrafsh tjetër. Gjithsesi “klithja” intime, shumë personale dhe mbi të gjitha, tronditëse e Ronës me fjalët “lermëni të qaj…” tregon fuqinë e personalitetit të saj. Thellësia e kësaj klithje tronditëse e bën këngën njejtë të veçantë dhe origjinale.
Nuk është rastësi se të gjitha veprat me vlerë, lindin nga një “klithje” e kondenzuar artistike e cila ndonëse nuk i dihet origjina, ajo shfaqet emotivisht e qartë. Vetëm veçantia emocionale e qartë individuale dhe e sinqert, mund të bartë njëkohësisht edhe vlera të përgjithshme.
Post scriptum
Pas këngës “Baresha”, Nexhmija ka shenuar suksese tjera, ka realizuar shumë kënga të tjera, por kënga “Baresha” e ka përcaktuar, në masën më të madhe, ardhmërinë e saj artistike. Në këtë moment, nuk mund të themi të njejtën për Ronën, për shkak se Rona është e re dhe logjikisht mund të priten realizime të tjera ndoshta edhe më të mira në karijerën e saj, megjithatë “Suus”, ka qenë përcaktuese në këtë moment për një element tjetër, gjithashtu të rëndësishme – me “Suus” Rona ka hyrë “papritmas” dhe furishëm në galerinë e ngusht të interpretëve më të mirë kosovarë të pesë decenieve jete të muzikës zbavitëse të krijuar në Kosovë.
KOHA Ditore
8/1/2011