Rafet Rudi: Rexho Mulliqi – Nismëtar i muzikës artistike te ne
Të flasësh për veprimtarinë e nismëtarëve të një fushe të caktuar të artit dhe të fitosh një ide objektive për vlerën e saj, nevojitet një analizë komplekse dhe një vlerësim i veprës përmes disa parametra, qofshin ata ndonjëherë edhe jashtartistikë. Së këndejmi, duhet filluar gjthsesi nga vlera reale estetike e veprës, por njëkohësisht vepra duhet të vlerësohet në raport me kohën dhe rrethanat në të cilat krijohet ajo, të vlerësohet në kontekst historik të krijimtarisë që i përket etj. Pra, vështrimi i veprës nga disa kënde është sa i drejtë, aq edhe i domosdoshëm që të mos dilet në dy eks-treme të mundshme a) të nënçmohet vepra (vlerësimi vetëm me kritere absolute estetike) apo të b) mbiçmohet ajo (vlerësim vetëm i fenomeneve përreth veprës e jo edhe vlerësim i fenomenit estetik të veprës). S’do mend, kjo implikon një qasje dhe analizë suptile profesionale, që të mbahet drejtpeshimi i duhur në mes këtyre dy parametrave vlerësimi.
Pa mëdyshje, Rexho Mulliqi hyn në radhën e krijuesve, vepra e të cilit kërkon një trajtim të tillë, pra, një shqyrtim kompleks, të themeltë dhe mbi të gjitha, kërkon një analizë të kujdesshme, e cila me përgjegjësi do të vërente vlerën e veprës në të gjitha nivelet e saja.
Një analizë të këtillë shumështresore për veprën e Rexhos ende nuk e kemi. Për të është shkruar me respekt nga disa autorë tanët, por me atë rast ose është kapur vepra e tij prej një “largësie” (shpeshherë duke iu bërë një qasje retrospektive), ose është shqyrtuar e segmentizuar, duke u shyqyrtuar vetëm ndonjëra prej çështjeve të rëndësishme të veprimtarisë së tij.
Rexho Mulliqi dhe tendencat e reja të muzikës bashkëkohore
Cila ishte krijimtaria e Rexhos në raport me muzikën që krijohej atëherë (sidomos periudha e parë e krijimtarisë së tij). Pra, shikuar në këtë per-spektivë, ku qëndron muzika e Rexhos, çfarë ka-rakteristikash ka ajo?
Ndonëse Rexhoja në kohën kur i bënte hapat e parë në krijimtari, nuk ka mundur plotësisht të jetë në korrent me aktualitetet muzikore në botë, për shkak të jetës së varfër muzikore që ekzistonte atëherë këtu, megjithatë, Rexhoja kishte njohje edhe për veprimtarinë e kompozitorëve bashkëkohorë, por më tepër të atyre të krahut “stilistikisht më të përmbajtur” (Haçaturianit, Rahmanjinovit, Shostakoviqit etj.), sesa të atyre “radikalistëve” të tipit të treshit vjenez (Shoenbergut, Bergut, Vebernit). Kurse, të thuash, njihte shumë pak apo, thënë më mirë, ishte krejtësisht larg muzikës së atëhershme aktuale, larg muzikës së postvebernistëve të kohës (Boulezit, Shtokhauzenit), të cilët ai i konsideronte, të thuash, “kundërshtarë ideologjikë”. Pra, ai kishte një njohje të mirë të atyre kompozitorëve, që idiomën e tyre krijuese e formonin në bindje të thellë në muzikën tonale (sistem që zhvillohet përgjatë tre shekujve XVII-XIX deri në fillim të shekullit tonë-vër. R.R.), apo për muzikën në të cilën përfshihen drejtimet që paraqesin një lloj restaurimi të së kaluarës (neoromantizmi, neobaroku etj.), shpeshherë me konotacione të muzikës nacionale. Rexhoja në strukturimin harmonik, meloritmik dhe në organizimin formal të veprës së tij qëndron në suaza të krijimtarisë së këtyre kompozitorëve, duke mos tentuar seriozisht ta bëjë një hap më tej jashtë bazave të këtij sistemi. Përse Rexhoja veproi kështu? Arsyet janë të shumta. Do të theksoja së pari se rrethanat në të cilat ai krijoi, nuk i mundësuan një kontakt më të dendur me krijimtarinë më të avancuar, që krijohej atë kohë në botë (që do të nënkuptonte një afërsi, interesim dhe, ndoshta, ndikim nga ajo) Rexhoja ndiente dashuri dhe pietet të madh për veprimtarinë muzikore të shekujve të mëparshëm (sidomos të asaj romantike). Ajo ishte një preokupim i përhershëm i tij – muzikën e tillë ai e çmonte, e ndiente e dëgjonte dhe e adhuronte. S’do mend, nga analiza e veprës së tij do të vërejmë se këto periudha lanë gjurmë në konstituimin e universit të tij krijues. Si duket ai kishte besim të thellë në “amshueshmërinë” e sistemit tonal dhe muzikës së shekullit XX, që e supozonte një sistem të tillë, andaj çdo “shëtitje“ jashtë këtij sistemi e konsideronte si punë të kotë.
Rexhoja dhe kënga popullore shqiptare
Pse ky raport theksohet si çështje me rëndësi? Jo rastësisht. Do të thosha se kjo është e paevitueshme, kur të diskutohet për tiparet stilistike të muzikës së tij. Ai këngën shqiptare e dëgjonte, e admironte, me të ishte i lidhur në punën e përditshme (si redaktor i muzikës në Radio-Prishtinë). Ai në mënyrë aktive u mor me të. Shkru-ante aranzhmane, stilizonte këngën popullore dhe, më në fund, krijonte në këtë zhanër. S’do mend, këngën popullore Rexhoja e absorboi në atë masë, saqë nuk gjejmë vepërt të tij (në zhanrin e muzikës serioze), e cila, sadopak, nuk është e mbështjellë me petkun e kësaj muzike. Se në ç’masë dhe në ç’mënyrë, shikuar nga ana estetike, e përvetëson atë, është çështje për një shqyrtim më të thukët, siç mund të diskutohet edhe animi i lehtë i tij kah shfrytëzimi i elementeve orientale të këngës shqipe(!). Por, s’ka dyshim, kënga popullore shqiptare ndikon drejtëpërdrejti në formimin e gjuhës shprehëse të tij. Gjithsesi ky raport është qenësor në zbërthimin e stilit dhe të origjinalitetit të muzikë së tij.
Aspekti historik i veprës së Rexhos
Vlerësimi do të ishte i mëngët sikur opusi i Rexhos të mos kundrohej në kontekst të kohës dhe të hapësirës kur ajo u krijua, të rrethanave që ekzistonin në atë kohë dhe rolin që vepra e tij ushtroi në kontekstin e atëhershëm kulturor.
Me të kthyer nga Beogradi, ku studioi shkurt, në degën e kompozimit në akademinë e atëhershme, Rexhoja gjeti një nivel shumë të ulët të jetës muzikore këtu te ne, sidomos në lëmin e muzikës artistike: mungonin ansamblet muzikore, mun-gonte orkestra, mungonin instrumentistët, mungonte jeta e gjallë muzikore, që do të nxitnin kureshtjen e tij për kompozimin e veprave më ambicioze. Ai ishte i shtrënguar t’i përshtatej presionit të rrethanave ekzistuese. Së këndejmi, merret me punë më të “lehta”, si me të shkruarit e aranzhmaneve për ansamble të ndryshme, me përpunime të ndryshme, me kompozimin e veprave të thjeshta korale, me “këngë masash” etj. Një kohë u mor edhe me punë pedagogjike (si arsimtar i Shkollës së mesme të muzikës në Prizren). Ishin këto punë të rëndomta,, që nuk çonin shumë peshë në ngritjen e tij profesionale si kompozitor. S’do mend, ngarkesa me punë të ndryshme medoemos bën që të gllabërohen në një masë bindjet artistike të tij, ato që i kishte formuar gjatë studimeve e që ishin më të avancuara. Po në anën tjetër, ai bënte një punë humane në ngritjen e nivelit të përgji-thshëm të kulturës muzikore tek ne, punë që në mënyrë serioze vë themelet e muzikës artistike te ne.
I shtrënguar nga rrethi që të merrej me një lloj të caktuar të muzikës, e në anën tjetër ambiciet e tia krijuese, që ishin gjithsesi më të avancuara, bëjnë që tërë jeta e tij krijuese të kalojë në kërkimin e një rruge të përshtatshme, rrugë kjo që do të zbusë këtë mospëruthje të rrethanave, që për të ishin të disfavorshme dhe kureshtjes së tij profesionale, e cila ishte jo e vogël. Duke përfillur me kujdes “zërin” e mesit në të cilin vepronte, nevojat e tij praktike, deri në fund të jetës së tij krijoi vepra të nivelit admirues artistik.
Ndonëse Rexhoja nuk shkroi shumë vepra, rëndësia e tyre është e shumëfishtë. Nëse atë e vështrojmë në pajtim me gjithë atë që thamë më lart, do të konkludojmë se Rexhoja:
- krijoi vepra të rëndësisë së tillë, që për këtu te ne ato shënojnë fillet në disa gjini (muzika e tij simfonike, kamertale pastaj vokalo-istrumentale etj);
- si kompozitor yni i parë i arsimuar bëri shumë në konstituimin e muzikës artistike te ne, duke u kujdesur dhe përpjekur që atë ta ngrisë në nivel nga i cili do të thyente atë inferioritet, që kishte ky zhanër i muzikës te ne në atë kohë në raport me atë që krijohej gjetiu;
- Përmes veprës së tij kontribuoi dukshëm në formimin e një stadi të caktuar të identitetit të muzikës artistike tek ne. Muzika e tij, e cila mbështetej gjithmonë në folklorin e kësaj treve, s’do mend, bëri një hap të madh përpara në krijimin e një muzike autoktone.
- Ishte i pari ndër ne, që kishte mundësi t’ua afronte muzikën tonë artistike rrjedhave të muzikës bashkëkohore.
Sivjet bëhen 25 vjet nga vdekja e tij. Shumica e veprave të tia janë të inçizuara dhe ato janë të ruajtura në arkivin e Radio Kosovës (ish Radio-Prishtinës). Detyrë e veçantë e institucioneve tona në këtë vit, e njërëzve të kulturës është gjetja e pjesës më të madhe të partiturave të opusit të tij, ndër to gjithsesi me interes të veçantë është partitura së Simfonisë së dytë “Kosovare” dhe botimi i këtyre veprave.
“LAJM” 10. I 2007