Rafet Rudi: Nexhmije Pagarusha – ikonë nacionale e kulturës sonë
Nexhmije Pagarusha hyn në rradhën e atyre personaliteteve në muzikën tonë që fuqishëm e shënojnë kohën e vet. Praktikisht periudha kohore në të cilën ajo veproi, mjedisi në të cilën ajo zhvilloi aktivitet si dhe zhanri të cilit ajo i takon, identifikohen plotësisht me të, me zërin e saj me frymën e saj.
Nexhmija, ka përfaqësuar bukurinë e muzikës sonë popullore. Ajo ka qenë shenja me të cilën muzika jonë popullore është njohur në ish Jugosllavi, në Ballkan dhe më gjërë. Për më tepër, bukuria e zërit të saj (kjo është fatlumsia e jona), ka përcaktuar koordinatet njohëse dhe identifikuese të muzikës sonë popullore. Kornizat e kësaj muzike, historikisht, për të parën herë janë evidentuar si të tilla. Përmes saj, ne kemi filluar ta njohim vetëveten. Në mungesë të shenimeve dhe regjistrimeve, ne nuk i njohim veçoritë specifike të muzikës sonë të epokave të mëhershme. Përmes inçizimeve të para tonike, në periudhën e pas luftës dytë botërore, kur, në mes tjerësh edhe Nexhmija fillon të bën regjistrimet e para në Radio, pikërisht në atë periudhë, ne kemi filluar ta njohim, më për afër, muzikën tonë. Andaj me zërin i saj, Nexhmije Pagarusha, me regjistrimet që na e ka lënë në trashëgimi, historikisht për herë të parë, e ka përcaktuar fizionominë e muzikës tonë popullore. Ne, përmes muzikës së saj, e kemi njohur më në fund veten.
Specifikat e “muzikës kosovare” në zërin e Nexhmijës
Ndonëse muzikën e saj, ne e përgjithësojmë dhe e shkrijmë (me arsye) në nocionin “muzika shqiptare”, është interesant, gjithashtu, se me një analizë më të thellë krahasuese, shohim se ajo bartë një origjinalitet edhe më përcaktues, meqë përfaqëson karakteristikat kryesore të këngës popullore shqiptare të veriut. Ajo e ka pasuruar në veçanti muzikën kosovare, duke e bërë të njohur si të tillë. Ndoshta ky dimension është vendimtar që ajo, si askush tjetër, ka qenë e adhuruar edhe në Shqipëri, si përfaqësuese më e denjë e muzikës tradicionale shqiptare në Kosovë.
“Impostimi natyral” i zërit të Nexhmijës
Kaptinë e veçantë e trashëgimisë që na lënë Nexhmija, është pa mëdyshje, fuqia e vokalit të saj. Nexhmija nuk iu ka nënshtruar një regjimi shkollor sistematik dhe më të gjatë, të zërit. Zëri saj është “i lindur”, dmth., ajo ka një “impostim natyral”, gjithsesi të jashtëzakonshëm, që shumë rrallë mund të haset. Gjithmonë është thënë se zëri i saj ka shtrirje (diapazon) të gjërë dhe absolutisht të jashtëzakonshëm. Zëri i saj ka karakteristikat e një soprani të lartë (gati të një soprani koloratur), njëkohësisht ka karakteristikat e një soprani dramatik dhe në këtë zë shquhen njëkohësisht karakteristikat e një alti të thellë. Te Nexhmija “bashkëjetojnë” në mënyrë të natyrshme të gjitha këto karakteristike. Për më tepër, në të gjitha këto regjistra, ajo gjithmonë e ruan veçantinë e ngjyrës së saj specifike.
Fakti se Nexhmija nuk pat fat të studionte kanton, nuk mendoj se është ndonjë humbje e madhe për profilin vokal të saj. Paradoksale duket por e vërtetë është se në perfeksionimin sistematik shkollor të zërit, në procesin e zhvillimit maksimal të teknikës vokale, krahas përparësive që nominalisht ky shkollim krijon, ekziston rreziku real që zëri të bëj transformim radikal në atë masë saqë i humbë veçoritë iniciale të ngjyrës, të karakterit identifikues, humbë butësinë intime, humbë afinitetin personal për melizma specifike etj. Duke iu nënshtruar literaturës të etabluar të zhvillimit teknik të zërit, pësojnë doemos disa parametra tjerë natyral të zërit. Kjo mund të jetë e dëmshme, sidomos, për zëret që kanë “impostim natyral” (të cilin e ka poseduar Nexhmija). Në anën tjetër edhe në domenin e kulturës së frazimit, të shprehjes specifike, mund të zbehen karakteristikat që bartin një bagazh specifik nacional, meqë i nënshtrohen një literature të një muzike të standardizuer dhe unike. Pikërisht, me këtë impostim natyral, të lindur, dhe me një talent muzikor evident të jashtëzakonshëm, Nexhmija arrin të përballon copëzat vokalisht të vështira vokale, sikundër që i hasim te “Baresha” dhe te “Nje Lule”.
Kënga jonë në duart e Nexhmijës dhe Rexhos
Kapitull i veçantë i jetës së saj ka qenë bashkëpunimi i dendur me kompozitorin tonë Rexho Mulliqin. Rexhoja, si një muziktar inteligjent, e njihte në thelb kapacitetin real të vokalit të Nexhmijës. Ai e optimizonte këto mundësi të Nexhmijës në mënyrë precize dhe në mënyrë unike. Këngët që ai i shkruante për të, janë ekzakt të kompozuara për mundësitë vokale të saja, për ngjyrën dhe karakterin e zërit të saj. Së këndejmi, “Baresha” dhe “Një lule” (këngët emplematike të saja) me vështirësi këndohen nga këngëtarë të tjerë. Nexhmija, është thjeshtë “bashkëautore” e këtyre këngëve, sado paradoksale që kjo duket. Bashkëpunim, në mes këtyre artistëve të veçantë të muzikës sonë (i këtij cifti bashkëshortor), të cilët gjenin frymëzim te njëri tjetri, në mes të cilëve qarkullonte një energji e një kreativiteti të lart, ka ndikuar direkt në profilimin artistik të saj. Për aq sa ata, njëri – tjetrit i dhanë, për aq fitoi kënga jonë.
Në fund të themi se: atë që Edit Piaf paraqet për muzikën franceze (shansonën), Veçe Zela për muzikën në Shqipëri, Amalia Rodriguese për muzikën portugeze (fado), të cilat janë ikona kulturore nacionale dhe shtylla të kulturës së tyre, pikërisht atë paraqet Nexhmija për muzikën shqiptare. “Bilbili i Kosovës” është trashëgimi e madhe, e pakapërcyeshme e këngës shqipe. Ajo mbetet institucion i veçantë kulturës sonë nacionale.
08.02.2020 Prishtinë