Rafet Rudi: Muzika folklorike çfarë nuk e duam
Muzika folklorike, pamëdyshje, është një prej zhanreve që ka rëndësi të madhe në kulturën e përgjithshme të një populli. Vendin që ajo zë, dhe tretmanin që ajo ka në entitetin kombëtar e kushtëzojnë disa faktorë si: shkalla e zhvillimit shoqëror-material i kombit, emancipimi kombëtar dhe kulturor, konteksti historik në të cilin gjendet kombi etj.
Nëse bëjmë një analizë krahasuese në mes shoqërive të zhvilluara kulturalisht dhe shoqërive me ngecje në zhvillimin kuklturor, lidhur me vendin që muzika folklorike zënë në përditshmërinë e tyre, kujdesin dhe tretmanin institucional që ajo ka, do të konstatojmë një situatë paradoksale por edhe kontradiktore. Do të shohim se në shoqëritë të cilat ngecin në zhvillim, ajo është shumë më e përhapur dhe zënë një vend dominant në përditshmërinë e “konsumimit” kulturor, kurse në vendet me një zhvillim të madh kulturor (dhe me një shkallë të lartë të zhvillimit shoqëror-ekonomik) ajo është shumë më pak prezente shumë më pak e “konsumueshme” dhe është larg përditshmërisë! Por në aspektin e përkujdesjes institucionale, pastaj në aspektin e interesimit profesional dhe numrit të njerëzve profesionist që mirren me të në mënyrë shkencore ky raport ndryshon krejtësisht. Derisa në vendet në zhvillim, instutucionet që merren me hulumtimin, kujdesin dhe rruajtjen e kësaj muzike është të thuash minor, në vendet e zhvilluara përkundrazi ai është shumë i madh.
Në vendet e zhvilluara (perëndimore), muzika folklorike, pothuaj se është zhdukur nga përditshmëria. Në radiostacionet e tyre ajo përfaqësohet me një përqindje shumë të vogël dhe atë vetëm në kuadër të emisioneve speciale të përcjellura me komente dhe spjegime të domosdoshme. Formë tjetër e komunikimit me të bëhet në kuadër të tribunave të ndryshme profesionale, simpoziumeve etj. Kurse nga sallat koncertale ajo praktikisht është zhdukur. Muzika folklorike, në këto vende është zëvendësuar me muzikën e kultivuar (qoftë me atë zbavitëse dhe të popullarizuar apo me atë serioze). Në anën tjetër, asociacionet më në zë sot në botë, institucionet më cilësore dhe më profesionale për ruajtjen, hulumtimin, studimin etnomuzikologjik gjenden pikërisht në këto vende. Ajo, thënë shkurt, prej përditshmërisë së njerëzve është bartur në muzeume.
Muzika folklorike në përditshmërinë tonëMuzika folklorike tek ne është formë e gjallë e shprehjes muzikore. Ajo është pjesë e përditshmërisë sonë dhe shtë, pothuaj, një zhanër dominues për një shtresë jo të vogël të popullatës sonë. E kemi prezente në valët e radiostacioneve shqiptare, në koncerte etj. Ekzistojnë festivalet e posaqme për një zhanër të till. Muzika folklorike tek ne bën një jetë të pantronditur që prej kohësh. Bile ajo është gati e paprekur edhe nga dora e artistit që do të thot ajo ka ruajtur gjininë e saj dhe ende nuk është transformuar apo zëvendësuar me muzikë artistike. Duhet shtuar se muzika folklorike tek ne ka rëndësi të dorës së parë, meqë është një prej formave më të ruajtura të shprehjes të popullit, bile do të thosha është një prej më të ruajturave ndër popujt e Ballkanit. Një përkujdesje e konsiderueshme institucionale është bërë përmes përmes kontrollit redaktorial që është bërë në radiostacionet tona por edhe në festivalet tona.
përmbajtja muzikore…
Mjerisht, në kohën e fundit, kjo muzikë te ne, me një shpejtësi të madhe e ndryshon strukturën e saj, qoftë ate përmbajtësore-tekstuale qoftë ate muzikore. Ndërhyrjet negative në strukturën muzikore janë të shumta. Ato i vërejmë psh. në këndimin e (qoroditur) në terca që është e huaj për muzikën tonë folklorike. Më tutje bëhen përzierje të këndimeve nga krahinat e ndryshme, edhe me ato që kultivojnë një muzikë krejtësisht të veçantë dhe tjetërfare. Psh, këndimi në iso (që është karakteristikë e këndimit të jugut) përzihet me këndimin karakteristik njëzanor të trevës së Kosovës. Pra në vend se të ruhen veçoritë specifike të një këndimi të caktuar, ato më një përzierje të till shkatrohen. Është e tepërt të flasim se sa ka rëndësi të madhe kjo. Veçoritë dalluese të këndimit në krahina të ndryshme tona duhet kultivuar sepse ato pasqyrojnë gjërësinë dhe begatinë e shpirtit të popullit tonë, e jo të unifikohen ku ta dimë se për çfarë arsye. Gjërsia e të shprehurit muzikor është vlerë e paçmueshme e popullit tonë.
përmbajtja tekstuale…
Përmbajtja e tyre është e orientuar krejtësisht nga temat ditore, tema që objektivisht nuk janë “bluar” sa duhet. Në to ndihet një afekcion, dhe josinqeritet. Në këtë mënyrë, kjo muzikë, në vend se ta ruan karakteristikën e saj themelore spontalitetin, fiton një artificialitet banal.
Tregtarët ordinar si “kultivues” të muzikës
Ndryshimet në strukturën e një zhanri muzikor vetëvetiu nuk janë problematike dhe kontestuese meqë edhe për zhanrin e muzikës folklorike ndryshimet janë plotësisht të natyrshme. Për më tepër muzika folklorike dallohet për atë se ajo gjithmonë në mënyrë besnike e përcjellë kohën sidomos në trajtimin e temave nga përditshmëria. Rapsodët rëndom kanë qenë shënues të mirë të fenomeneve dhe ngjarjeve të rëndësishme historike. Një transformim permanent është i kuptueshëm dhe plotësisht i logjikshëm. Tekefundit çdo kohë sjellë risi dhe ato si të tilla duhet kuptuar. Në anën tjetër industrializimi i shoqërisë dhe urbanizimi i jetës natyrisht që e shpejtojnë një proces të till. Por shpejtësia e ndryshimeve që e vërejmë në strukturën muzikore dhe përmbajtësore ka një tempo dhe kahje, megjithatë, të panatyrshëm. Shkaqet e një dukurie të till janë të shumëllojshme. Ndër ato që i japin një shtytje të madhe do të veçonim komercializimin, që sipas rregullave që njihen edhe nga meset tjera sjell, zakonisht bastardimin e vlerave të saj.
Komercializimi si fenomen përcjellës në muzikë nuk është krejtësisht i panjohur për ne, por megjithatë jo në këtë masë çfarë është sot prezent. Një dukuri e till fiton në intenzitet, me krijimin e kushteve shumë të volitshme teknike për inçizim dhe reprodukim, të cilat viteve të fundit krijohen. Rruga për bërjen e një kasete, ta zamë, është fare e lehtë. Aparatura për përpunimin e tyre mund të sigurohet fare lehtë dhe kudo, bile me çmim jo të mëdha. Shumëzimi i kasetave bëhet në mënyrë të pakontrolluar dhe në mënyrë të monopolizuar dhe e tërë kjo bëhet pa asnjë obligim tatimor. Në vazhdën e kësaj duhet shtuar edhe dukurinë e riincçizimeve të pa autorizuara të cilat sjellin profit të madh kurse shiquar ligjërisht kjo është një kontrabandë flagrante. Për shkak se tërë kjo është një besnis “i lehtë” ai është tepër joshës për shumë individ, së këndejmi rrethi i njerëzve që merret me to, qoftë i producentëve, qoftë i krijuesve të drejtëpërdrejtë (muziktarëve) rritet në mënyrë jokritike. Një rrethi të tillë i bashkangjitetn edhe njerëz që objektivisht u mungon çiltërtia krijuese, kreativiteti, koshienca artistike, dhe respekti ndaj thesarit kombëtar etj. Kështuqë, përfundimisht profiti bëhet kriter në këtë punë e jo vlera artistike. Programet profitabile (edhe pa asnjë vlerë artistike) i vërshojnë tregjet. Rapsodëve popullor (edhe atyre kultivuesve më të sinqertë të muzikës folklorike) u imponohen përmbajtje “atraktive” që tregu i “preferon”.
Mjerisht me këtë punë merren, nganjëherë, edhe profesionistët (muziktarët që kanë të kryer ndonjë shkollë profesionale muzikore). Në vend se ata të bëhen mbrojtës dhe propagues të folklorit autentik dhe të mirëfillt, ata shndërrohen ndonjëherë në tregtarë ordinar të muzikës, të cilët pamëshirshëm e dëmtojnë atë. Kështuqë, duket e pabesueshme por, atë që nuk kanë mundur ta bëjnë pushtuesit më mizor të popullit, ka gjasa ta bëjnë tregtarët e kasetave, organizatorët dhe menaxherët e ndryshëm, producentët e vetëquajtur, që nuk i nënshtrohen të thuash asnjë kontrolli shoqëror, asnjë recenzure të mirëfillt profesionale, dhe që të jetë ironia më e madhe, e gjithë këtë e bëjnë në emër të muzikës dhe të publikut artëdashës. U muar vesh gjithmonë me arsyetime (spekulative) patriotike.
Në një situatë të till kur janë shuar edhe ato pak institucione të cilat, sado pak, kanë mundur ta filtrojnë vlerën nga jovlera, në një gjendje kaotike që ekziston sot në produkcionin (dhe reprodukcionin) e kësaj muzike, në një mjegull ku çdokush mund të bënë çkado, muzika folklorike është seriozisht dhe në themel e rrezikuar. Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm. Thjeshtë rrjedha normale e saj është trazuar. Është mirë që për një çështje të till të hapet debati, për të diskutojnë profesionistët, të identifikohen transformimet normale dhe të dëmkosen deformimet etj. Sepse është e domosdoshme që sa më shpejt t’ua këthejmë rapsodëve të mirëfillt ambijentin natyral të krijimtarisë, botën e tyre specifike, atë që keqbërësit e artit pamëshirë ua trazojmë. Ata, pamëdyshje, kanë një tempo tjetër të absorbimit të informatave ndaj ngjarjeve aktuale, kurse zgjedhja e kohës për futjen e tyre në këngë bëhet me perceptim tjetër të kohës, që për për të gjithë që nuk merren drejtpërdrejt me to ne (edhe për ne profesionistët) mund të na duket e pakuptueshme. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e spontanitetit, për të cilin folëm më lart. Aktiviteti të gjithë të tjerëve, duhet të konsistojë në nxitjen, ruajtjen, hulumtimin dhe analizën e punës së tyre. Dhe asgjë tjetër.