Rafet Rudi: Lapacaj dhe Kukuzeli për herë të parë në botën shqiptare

Me rastin e Koncertit të Korit të Filharmonisë në ‘Netët e muzikës klasike’ – Durrës  Kisha katolike “Santa Lucia” 1/8/2013

Programi që këtë herë Kori i Filharmonisë prezanton është i veçantë, në rradhë të parë, për shkak se ai paraqet një zhytje të madhe në thesarin historik të muzikës shqiptare, krejtësisht të panjohur deri më tash për publikun shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri. Janë dy emra që e rërcaktojnë tematikën e këtij programi – Gjergj Danush Lapacaj dhe Jan Kukuzeli, të dy durrësakë të lindur.

Vepra e kompozitorit Gjergj (Danush) Lapacaj, ishte deri vonë e panjohur për histiorografinë shqiptare. Eshtë muzikologu italian Prof. Domenico Morgante ai (i cili dy dekada me parë na zbulon krijimtarinë e kompozitorit (të deklaruar!) shqiptar nga shekulli 16., në kaudër të kërkimeve të tia në drejtim të ndriçimit të lidhjeve kulturore italo-shqiptare në kohën e renesansës). Veprat e LLapacajt nga ANTIFONARI i botuar në vitin 1532, për herë të pare dalin në dritë para publikut shqiptarë, me realizimin e koraleve nga kjo përmbledhje, në vitin 2013 në Festivalin “NETET E MUZIKES KLASIKE-2013  nga  Kori i Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e kompozitorit dhe dirigjentit Kosovar Rafet RUDI. Duhet përkujtuar se ky ‘Antifonar’ i Lapacajt është kompozuar dhe ka parë dritë 23 vite para ‘Mesharit’ të Buzukut.

Kompozitori tjetër në program, Jan Kukuzeli,në histiorografinë e përgjithshme njihet si reformator i notacioni të kishës lindore, ndërsa shenimet biografikë janë ende të mjegulluara. Kukuzeli jetoi në kalim të shekujve XIII dhe XIV (1280-1360). Këtë kompozitor durrësak, shumë popuj ballkanas (grekë, maqedon, bullgar etj.), e kanë të integruar në kulturën e tyre kombëtare. Në këtë rrafsh, histiorografia shqiptare nuk është e zëshme. Për më tepër, në trevat shqiptare, vepra e tij nuk janë luajtur. Në koncertin e të premtes nga opusi i tij realizohen 6 korale, për here të parë. Në këtë mënyrë, me të drejt, Kukuzeli  është përfshirë në këtë program, si klasik i traditës së hershme muzikore shqiptare.

Me një analizë të kujdesshme do të vërehet se muzika tradicionale shqiptare e veriut (kosovare), përputhet, në strukturën e saj melodike, me modet që Kukuzeli  përdor në veprat e veta, Pikërisht nisur nga kjo afërsi e identifikuar, në program janë futur edhe dy vepra të autorëve kosovarë – kënga ‘O bylbyl i mjerë’ (përpunim i Bahri Mulliqit), për kor të burrave dhe vepra ‘Kukuzeliana’ e R. Rudit.

Modi /shkalla/ i shfrytëzuar në këngën popullore shqiptare ‘O bylbyl i mjerë’ (sidomos intervali karakteristik i sekondës së tepruar), është shumë i afërt me muzikën e Kukuzelit. Kjo në një mënyrë, mund të konfirmon edhe lashtësinë e muzikës shqiptare, përkundër bindjeve të përhapuara se struktura melodike e muzikës sonë është dendur nën ndikimin e kulturës  osmane.

Vepra e dytë (‘Kukuzeliana’), është vepër e re, e bazuar në këndimin tradicional liturgjik të arbëreshëve të Italisë (një këndim i lashtë shqiptar, që mund të supozohet se është i vjetër sa edhe qëndrimi i kësaj pjese të popullit shqiptar në Itali). Vepra ngërthen në vete muzikën e Kukuzelit, muzikën liturgjike arbëreshe dhe muzikën shqipe. Kjo është bërë qëllimisht (andaj edhe emërtimi i till indikativ i veprës -‘Kukuzeliana’.

Duhet thënë në fund se janë shumë pika koincidente që e bëjnë të dukshme lidhjen e muzikës tradicionale arbëreshe, në një anë, këndimit shqiptar verior, në anën tjetër,  me muzikën e Kukuzelit. Mbetet detyrë e muzikologëve të ardhshëm shqiptarë (të specializuar në këtë fushë) të dokumentojnë në mënyrë shkencore këtë afërsi, të cilën, Kori i Filharmonisë në Koncertin me programin e sotëm na prezenton.

 

WordPress Image Lightbox