Rafet Rudi: Katër rrëfime me Fahri Beqirin
I Animatori
Në Mitrovicë, cdo gjë që ka ka të bëj me muzikën, lidhet pashmangshëm me emrin e Fahri Beqirit. Këtë të gjithë mitrovicasit e dinë. Në gjashtëdhetëvjetëshin e fundit ai është sinonim i muzikës në këtë qytet, edhepse, për çudi, pjesën më të madhe të jetës krijuese e ka zhvilluar në mjedise të tjera. Gjithnjë më duket se këtë oreol ai e mban më tepër falë mitrovicasëve sesa që ai vet ai ka menduar për një gjë të till.
Në fillim të viteve ’60-ta Fahri Beqiri ishte i punësuar për një kohë të shkurtër në Shkollën e muzikës të Mitrovicës. Si njeri dinamik që ishte, një animator i palodhshëm i muzikës, gjithmonë në lëvizje dhe me ide të reja, në fillim të çdo viti shkollor bënte një lloj fushate propaganduese, që fëmijët e talentuar të qytetit të vijojnë mësimin në muzikë. Zakonisht, për këtë qëllim gjente një mënyrë të thjeshtë, paraprakisht kontakonte miqët e tij, shokët apo fqinjët e vet etj. Në shtatorin e vitit 1960, kishte arritur të mbledh një numër enorm të fëmijëve për të testuar muzikalitetin e tyre. Njëri prej këyre kalamajve isha pikërisht unë.
Unë kisha arritur aty fal faktit se Fahriu njihej me vëllaun tim Reshadin dhe me motrën time Serveten, të cilët, që të tre ishin të një gjenerate. Pas procedurave testuese të zakonshme, u përzgjodh një grup i cili, si duket, tregoi muzikalitet më të theksuar. Në momentin që duhej të përcaktoheshim për instrumentin që do ta mësonim, ai na spjegonte karakteristikat e instrumenteve, me sugjerim se për cilin do të duhej të përcaktoheshim. Unë u vendosa të mësoj violinën, e jo për pianon që ishte njëra prej zgjedhjeve alternative të pakta, pa e ditur bile saktësisht dallimin e plot në mes tyre. Kështu, në tre vjetët e ardhshme, unë vijoja mësimet e violinës për të vazhduar më vonë shkollën e mesme të muzikës në Prishtinë dhe më pas të lidhem përfundimisht me muzikë. Në ndërkohë Fahriu tashmë kishte shkuar për studime në Akademinë e Beogradit.
Edhe sot më kujtohen, disa prej shokëve, me të cilët mësoja në këtë shkollë. Ndër ta e vërej se asnjëri prej tyre nuk ka vazhduar më tutje muzikën meqë, në ndërkohë, kanë zgjedhur profesione tjera (janë bërë inxhinjerë, mjekë etj.), por nga komunikimet që kam me këta miq, e kuptoj se ata në jetë tërë kohën janë lidhur me muzikën, për më tepër janë bërë adhurures besnik të muzikës.
Kam përshtypje që Mitrovica njihet pikërisht me numrin më të madh të adhuruesve të muzikës, shumë prej tyre të shpërndarë në botë. Ata, ndonëse ushtrojnë profesione tjera, në mënyra të ndryshme, jetojnë pranë saj, nëse jo direkt, së paku janë përpjekur që dashurinë e tyre për muzikën ta përçojnë te fëmijët apo nipat dhe mbesat e tyre. Ata kanë mbetur për gjithmonë amatorë dhe melomanë të vërtet të muzikës.
II ‘Skenderbeu’ në mes David Ojstrah dhe Gaetano Delogut
Vepra simfonike me numrin më të madh të reprizave nga e gjithë veprimtaria e kompozitorëve kosovarë, pa asnjë mëdyshje, është Poema dramatike “Skenderbeu”. E kam dëgjuar shumë herë, në Prishtinë, Beograd, Tiranë, Opati, Shkup etj. Në fakt, veprën e njoh që nga koha kur ajo është kompozuar, madje në periudha të ndryshme të krijimit të saj. Në vitin 1970 në kohën sa isha student i vitit të dytë në Beograd, Fahriu kishte ardhë në Beograd, për një qëndrim disamujor, vetëm sa për ta bërë diplomën, ndërkaq mësimet i kishte mbaruar shumë vite më parë.
Më kujtohet kur në një kafiteri në Beograd, pranë Muzeut nacional, ishim ulur bashkë me Fahriun, dhe pritnim Profesorin e tij të Kompozimit Enriko Josifin, me të cilin e kishte akorduar takimin, për t’i marr sugjerimet e fundit rreth partiturës, meqë vepra duhej të inçizohej ato ditë nga Filharmonia e Beogradit. Në të vërtetë Profesori i tij, befasohej me legjeritetin dhe nonshalancën e Fahriut, kështuqë me dashamirësi prindërore, i sugjeronte Fahriut që t‘i qaset punës më me intenzitet. Më linte përshtypje se Profesori Enriko Josif, i cili ishte një hebre i thelluar në filozofinë e Talmudit dhe, mbi të gjitha, i njohur si një humanist i madh, se me çfarë pasioni flitte për detaje të vogla lidhur me përmbajtjen e veprës, pasi që e kishte kuptuar në ndërkohë shumë thellë historinë e Skenderbeut që, sic thonte ishte befasuese për të.
Isha prezent edhe në provat e para të Orkestrës që zhvilloheshin në sallën e Filharmonisë, që e udhëhiqnin autoritetet si Branko Pajevic, Koncert-mjeshtri i Orkestrës dhe dirigjenti kryesor Zhivojin Zdravkoviq.
Dy vite më vonë, në vjeshtën e vitit 1972, në festivalin e BEMUS-it, ishte përhapur lajmi, në mënyrë pompoze se në edicionin e ri të Festivalit, do të merr pjesë emri më i famshëm i botës violinistike i asaj kohe David Ojstrah. Biletat ishin shitur dy muaj para koncertit. Ishte një eufori në qarqet muzikore të Beogradit për shkak të pjesmarrjes së Ojstrahut, që kishte arritur, në atë kohë, zenitin e krijmatrisë së tij (dy vite më pas, në kulmin e famës, ai do të vdes!). Ishte paraparë që të luante Koncertin e Çajkovskit. Dirigjent ishte caktuar Gaetano Delogu, një dirigjent i talentuar italian, asistent i Leonard Bernshtajnit të madh. Vepra e parë në programin e këtij koncerti ishte Poema “Skenderbeu” e Fahri Beqirit.
Në shfaqjen e koncertit, nuk e dij se në çfarë mënyre, në sallë kishin depërtu një numër enorm i publikut. Numri i tyre ishte gati sa dyfishi i kapacitetit të sallës kryesore në Beograd “Kolarac”. Për pesë vite të qëndrimit tim në Beograd, në koncertet e panumërta që kisha parë aty, një numër të till kam hasur vetëm në koncertin e Andres Segovias dhe në Koncertin e Filharmonisë së Berlinit me Karajanin.
Gjithmonë do më kujtohen imazhet nga ai koncert, ishte një paraqitje spektakulare e veprës, dhe një sukses i papërjetuar deri në atë kohë, një sukses që nuk mund ta imagjinonim se do të ndodh në Beograd. Sigurisht, për ne studentët e pakt shqiptarë që ishim në sallë, ishte një ngjarje e madhe. Ishte vepra e parë simfonike, e një autori shqiptar, e realizuar jashtë Kosovës. Ishte ky hap i parë i depërtimit të muzikës profesionale kosovare në ambientin e gjërë kulturor jugosllav.
III Zonja elegante, me pamje të kultivuar
Fahriu ishte njeri spontan, jokonvencional, dhe në këtë drejtim, shpeshëherë, i paparashikueshëm. Çdo herë, na befasonte me veprime të çastit.
Në një edicion të festivalit të Tiranës ‘Koncertet e majit 1979’, Fahriu dhe unë morëm ftesë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për të përcjellur festivalin. Duke qenë se në këto udhëtime në Shqipëri qëndronim gjatë, rreth dy javë, e meqë koncertet ishin vetëm në terminin e mbrëmjes, nikoqirët na organizonin vizita të ndryshme gjatë ditës. Një prej këtyre ditëve, ishte parapa vizita në Institutin e Arteve (Akademia e Muzikës së Tiranës). Nikoqirët kishin planifikuar takimin tonë me kolegët të Institutit të Lartë të Arteve. Duke qenë se ne ishim mysafirë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, na shoqëronte Sekretari i Lidhjes kompozitori Feim Ibrahimi. Me ne ishte edhe Profesor Tish Daija, kurse në takim, sa më kujtohet ishin udhëheqësit e Institutit, në mesin e të cilëve unë njihja kolegët Zana Shuteriqi, Tonin Harapin, Ibrahim Madhin, Tish Daijën, Fatmir Hysin e ndonjë tjetër. Ne i njihnim kolegët tanë ose me pamje ose me emrat e tyre. Kështu, ndër nikoqirët gjentil, njihja po thuaj se të gjithë, përveq një zonje që më ra në sy, që në hyrjetë nërtesës, e cila na priti dhe na përshëndeti e para. Ishte elegante dhe kishte pamje të kultivuar. Në bisedë të lirë (që shoqërohej, zakonisht në këto biseda, shpesh me raki rrushi), ne prekëm dhe elaboruam shumë tema. Njëra prej tyre, e që neve të Kosovës na interesonte më së shumti, ishte çështja e teksteve mësimore. Nikoqirët na njohtuan se kanë të botuar disa të tilla, që mund të na hynë në punë si Format muzikore, Historia e muzikës shqiptare etj. Në zhvillimin e bisedës, unë mora fjalën dhe e lavdërova këtë seri të botimeve. Menjëherë më pas, kyqet në bisedë Fahriu. Ai gjithashtu shprehu konsideratë, dhe tregoi se ka disa, siq i quante ai, “vërejtje të vogla” lidhur me këto libra, dhe paprimaz (me tërë sinqeritetin e tij të zakonshëm, ëe atë e karakterizonte) nisi të spjegoj se si ne, në Kosovë, po e vërejmë që në këto librat e juaj, në pasazhet, kur bëhet analiza e analizoni veprës së një kompozitori shqiptar, përdorni fraza që nuk lidhen direkt me kuptimin e veprës si “…rruga e lavdishme e Partisë” apo “…tema në këtë vepër muzikore përfaqëson rrugën heroike të prijësit tone…” e tjera të ngjashme. Në vazhdën e kësaj, Fahriu me fjalë dashamirës, spjegoj se “kjo po na sjellë shumë probleme neve në Kosovë”, andaj propozoj që në botimet e reja të hiqen këto fraza të panevojshme. Për një moment mbetëroi një heshtje e papëshkruar për disa sekonda, që mua m’u duken, të them, pafundësisht të gjata. Evidente ishte, se askush nuk guxonte të merrte fjalën dhe të komentoj. (Unë, gjatë kohës që Fahriu filloi ta elaboroj këtë temë, provova, por nuk arrita, t’i sigjeroj që të mos ndalet gjatë me këso lloj vërejtjesh). Më në fund, ajo zonja elegante me pamje të kultivuar, që mua, tërë kohën më dukej personi më engmatik aty, e cila për hir të vërtetes tërë kohën buzqeshte, filloi të prononcoj disa fjalë krejtësisht të pakuptueshme dhe të përgjithësuara, por ne e morrëm vesh se ishim në fund të bisedës dhe se do të ishte mire, sipas saj, të ngrenim dolli rasti. Këtë e bëmë bashkë me kolegët tanë, të cilëve, më në fund, ua dëgjuam zërin. Pas kësaj, u përshëndetëm me nikoqirët përzemërsisht.
Më vonë Feimi, në makinën Benz, (makinë që tërë kohën ishte në dispozicion enkas për ne), na spjegoj se ajo zonjë ishte si një lloj Drejtoreshe e Institutit për çështje politike, që nuk kishte lidhje direkte me muzikë. Ajo ishte një përgjegjëse për rruajtjen e frymës së shëndoshë politike në Institut (!).
Përveç kësaj, ajo rastësisht ishte edhe familjare e Mehmet Shehut, njeriut numër dy i nomenklaturës shtetërore-politike të Shqipërisë së dikurshme diktatoriale.
IV “Kakva bre opera, gde si to cuo da u Albaniji ima Opere!”
Në vitet e para të ’90-tave, atëherë kur na dëbuan nga Akademia, çdonjeri prej nesh mundohej të gjej punë, çfarëdoqoftë, një punë me fitim minimal, që do të mjaftonte “sa për të jetuar”. Unë fillova të bashkëpunoj ngusht me gazetat në Shkup me gazetën “Flaka”, “Fakti” e disa të tjera. Merrja honorare të vogla, por sidoqoftë, më ndihmonin të mbaj disi familjen. Për të qenë aktual në ato shkrime, përcjellja edhe ngjarje të ndryshme muzikore në Maqedoni, andaj udhëtoja kohë pas kohe atje.
Pikërisht në atë kohë, kishte filluar një bashkëpunim i institucioneve muzikore maqedonase me artistët shqiptarë. Emrat si Ermir Krantja, Frano Lufi, pastaj solistët e Operës së Tiranës paraqiteshin në skenën e Tetrit kombëtar të Maqedonisë Edit Mihali, Hysen Koçia etj. Dhe unë i përcjellja ato me përpikëri, për shkak se redaktorët ishin të interesuar për aktualitete të tilla. Shfrytëzoja shkuarjen atje për të dërguar ndonjë shkrim dhe për të marrë honoraret e mbetura. Pas shafqjeve kthehesha në orët e vonshme me makinën time Reno 4.
Në një prej këtyre shfaqjeve, në të cilën merrnin pjesë një numër i konsiderueshëm i artistëve të Shqipërisë, kishim vendosur që të shkojmë me Fahriun. Ishte më duket në program opera “Trovatore”. Prezentimi pati shumë sukses. Pas shfaqjes, pasi u takuam për kafe të rastit me kolegët shqiptarë, dhe pasi u përshendetëm me ta, vendosëm të nisemi, sa më parë për Kosovë. Ishte vonë dhe e dinim se do të ketë kontrollat e shumta policore dhe në ato orët e pasnatës ishin kontrolla të besdishme.. Kështu edhe ndodhi. Në kontrollimin e dytë apo tretë, në një punkt të improvizuar dhe me organizim tipik ushtarak, polici që në fillim dukej mjaft profesional, na ndali dhe me gjentilitet kërkonte dokumentat. Pasi bëri kontroll rutinore, dhe meqë dukej se gjithçka në rregull, na përshëndeti. Por, në momentin e nisjes, na pyeti, kalimthi, se ku kemi qenë në Shkup. Ne i treguam se kemi qenë në Opera. Ai nga kurreshtja e thjeshtë, na pyeti se çka keni parë. Fahriu, si me padurim i thot se kemi kanë qenë në program solistët e Operës nga Shqipëria. Dhe vazhdojë edhe më tutje t’i përshkruaj arritjet e artistëve shqiptarë, sistemin e shkollimit muzikor etj. Në atë moment, polici i përgjigjet me përbuzje “Kakva bre opera, gde si to cuo da u Albaniji ima Opere!” (“Po çfarë opera, po ku ke dëgjuar që në Shqipëri ka diçka të till”). Fahriu filloj t’i spjegoj se e ka gabim, meqë në Tiranë, ka artistë që kanë bërë karirerë edhe ndërkombëtare. Ende pa mbaruar Fahriu, glorifikimin e Operës shqiptare polici na jep shenjë që ta ndalim motorin e makinës dhe të dalim nga vetura. Me nervozizëm na urdhëron që t’i marrim çantat tona, meqë do të bëj një kontroll. Pamja e tij kishte ndryshuar krejtësisht, s’tregonte më asnjë shenjë të gjentilitetit fillestar. Fillon të gjurmoj në çantën e Fahriut çdo detaj, qartazi me nervozë dhe me shpresë që të gjej ndonjë gjë të dyshimtë. Me vjen rradha ime për kontrollim, dhe me futjen e parë të duarve në çantë, e gjen një grumbull letrash. Ishin në të vërtet artikujt e mij që unë i kisha fotokopjuar në Shkup (ende nuk kishim atëherë kompjuterë!). Unë origjinalet i kisha dorëzuar në gazetë, kurse kisha bërë kopje të tyre për t’i lënë në arkivën time. Ai i shfletonte me kujdes dhe vërehej se interes zgjonin në veçanti, kryesisht disa fjalë internacionale, që mund të presupozonte kuptimin prandaj dhe kërkonte të din kuptimin e fjalisë. Unë me fjalë të shkurtëra ia spjegoja (dhe kalimthi i thjeshtoja), por duke qenë i pakënaqur me përgjigje (dhe si duket i nervozuar sidomos me atë përshkrim entuziast që kishte bërë Fahriu më parë për Operën shqiptare), më udhëron t’i përkthej tekstet fjalë për fjalë. Kishte në atë grumbull shkrime edhe artikuj nga estetika muzikore, por ai megjithatë zgjodhi njërin prej atyre, në të cilin, si duket, dyshonte më së shumti, dhe më urdhëroj ta përkthej në tërësi (jo ta përshkruaj!). Punkti policor në të cilin gjendeshim, ishte në një vend i egër dhe pa drita, kështuqë për ta ndriçuar rrethi përdorte një reflektor të fuqishëm të dorës. Ishim në mes të rrugës. Ai mbante reflektorin të drejtuar në letra, kurse unë përktheja artikullin në mënyrë simultane. Përmbajtja e shkrimit, sic më kujtohet mirë, kishte si temë komunikimin mbarëshqiptarë në rrethana të reja politike në kulturë. Unë, për aq sa kisha imagjinatë, dhe zhdërvjelltësi të çastit, mundohesha ta shtrembëroja kuptimin e tekstit, që teksti të tingëlloj sa më “benign”, me qëllim që të mos kemi më shumë probleme më. Por, megjithatë, ishte vështirë që të krijoja konstrukte plotësisht të reja të fjalive, megjithatë, më duhej diçka të thoja ashtu si ishte shkruar. Shkrimi bante titullin: “Muzika – në procesin e krijimit të hapësirës kulturore mbarëshqiptare”.
Për fatkeqësinë tonë, ishte tamam ajo që polici gjurmonte me aq ngulm në ato letra.
Post scriptum
– Fahri Beqiri për mua, në fillim, ishte vetëm “Mësuesi Fahri”, andaj unë e përjetoja atë si prind.
– Më vonë, në periudhën e gjatë të punës së përbashkët në Fakultet, ai për mua ishte “Kolegu Fahri”, që asnjëherë nuk pushonte pa më kritikuar në mënyrë fare të hapur (dhe lavdëruar, ç’është e vërteta) pas koncerteve të mija.
– Në vitet e fundit, kur distanca në moshë vjen e relativizohet, ai u