“ J U L I A N A”
Përjashtimet nga Fakulteti
Më 8 tetor 1991 më përjashtuan nga Fakulteti i Arteve. Këtë fat e patën edhe kolegët e mi. Ishte një gjë krejtësisht e pritur. Ne (arsimtarët shqiptarë), nuk i pranonim ‘masat e dhunshme’ të vendosura nga Rektorati (nga eksponentët e politikës së Millosheviqit të instaluar në Rektoratin e Universitetit tonë). Qysh më parë, ishin marrë vendime që e cenonin integritetin e Fakultetit, dhe ato ishin aq të pakuptimta saqë ishte fare e pritur një përfundim i tillë. Ndër këto vendime absurde ishte edhe ky: studentët nga viset tjera të Sërbisë, sidomos ata që nuk kanë mundur të zënë vend në ndonjë Akademi jashtë Kosovës, në Beograd e në Nish, fitonin të drejtën automatike, pa provim, të regjistrohen në Akademinë tonë! Kjo ishte jo vetëm e tepruar, por ishte arogante, tej mase. Unë nuk e përjetova këtë vendim si një dramë personale, e besoj se këtë ndjenjë nuk e kanë pasur as kolegët tjerë. Ndonëse në rrethana tjera, do të ishte fare e pritur që, një përfundim i tillë do të shkaktonte shqetësim jashtëzakonisht të madh.
Pas një kohe fare të shkurtër morrëm vesh se Universiteti ynë do të fillojë me punë jashtë ndërtesave të fakulteteve tona, në vende alternative dhe kryesisht nëpër hapësira private. Qytetarët, vullnetarisht (dhe pa kompenzim material) i linin në dispozicion shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, mësimi në Fakultet, në gjuhën serbokroate, për studentët serb dhe me arsimtarë ekskluzivisht serb, do të vazhdojë të punoj, në ndërtesën tonë të përbashkët. Po e theksoj “me arsimtarë serb”, për shkak se dy –tre vite më parë, ishte marr prap një vendimi i mbrapshtë në nivel të Rektoratit që, mësimin për studentët serb, duhet ta mbajnë ekskluzivisht arsimtarët të nacionalitet serb, pavarësisht kualiteteve profesionale!
Pjesa shqiptare e Rektoratit menjëherë fillon përpjekjet që të kërkoj zgjidhje për këtë goditje që ishtë bërë arsimit universitar. Në vazhdën e kësaj, ishte vendos që Fakulteti ynë të vazhdojë punën në Objektin e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës. Ndërtesa ishte pronë e Shoqatës., dmth., formalisht, qeveritarët e rinj, nuk kishin mundësi ta pengonin punën aty. Kjo ishte e favorshme edhe për një efekt prikologjik, sepse, na jepte një iluzionin e “lirisë” institucionale, për dallim nga Fakultetet tjera, që filluan punën në shtëpi private, apo në podrume të adaptuara të shtëpive etj. Objekti i Shoqatës ishte jo i madh por sidoqoftë i kishte dy dhoma të zakonshme dhe një hapësirë në hyrje, që ishte një lloj koridori, e që mund të shfrytëzohej si hapësirë pritëse për mësim dhe si byfe! Në njërën prej këtyre kthinave, atë më të madhen, që i kishte më pak se 20 metra katror, aty mbahej mësimi grupor. Bile, ne e trajtonim si “salla koncertale”, meqë aty ishte e vendosur pianoja gjysëmkoncertale, pronë e Shoqatës. Dmth., ne funksiononim si një “ndërtesë normale” e Fakultetit!
15 vjetë të jetës së Julianës në Prishtinë
Pas një kohe të shkurtër të punës mora vesh se, mësimit tonë (alternativ) në Shoqatë, i është bashkuar, kolegeja jonë, Profesoresha e solokëndimit Julijana Anstasijević! Ishte një lajm krejtësisht i papritur. Ne nuk kishim dëgjuar për një rast të ngjashëm në Universitet. Kjo as që mund të ndodhte, për shkak se pasojat, edhe për kolegët tanë serb, do të ishin të njejta – përjashtim i menjëhershëm! Ajo e kishte kundërshtuar regjistrimin e studentëve pa konkurs, meqë konsideronte se një vendim i till është krejtësisht i padrejt dhe jashtë kritereve normale profesionale, dhe nuk kishte pranuar të nënshkruante – ky ishte spjegimi. Ne, kundërshtimin e vendimit, për t’i mos u nënshtruar masave të pakuptimta të Universitetit, e kishim bërë për çështje parimore. Kjo ishte fare e kuptueshme. Por, njëkohësisht ky ishte edhe një akt i pozicionimin tonë politik ndaj veprimeve diskriminuese kombëtare që aplikoheshin në Universitet, gjë që për Julijanën kjo nuk do të duhej të ishte e detyrueshme. Derisa ne, për shkak të bindjeve tona politike e humbnim burimin themelor për jetesë normale, ajo hynte në këtë rrezik thjeshtë për të respektuar standardet profesionale në Fakultet.
E dija se ditë të vështira na pritnin meqë do të na rrezikohej thjeshtë ekzistenca, por dominonte mendimi i përgjithshëm se një kundërshtim të till duhet bërë. Në atë kohë sapo kishte filluar një lloj pagese minimale për ne arsimtarët prej 20, 50 e më pastaj, prej 100 DM. Ishte krejtësisht e pamjaftueshme për ekzistencë dinjitoze. Pos kësaj, ato “paga” nuk vinin në kohë të caktuar dhe, nuk i merrnim të gjithë në të njejtën kohë. Megjithatë edhe në këto kushte, më kujtohet mirë, shumë prej kolegëve, para se ta merrnin pagën, përpiqeshin që Profesoresha të jetë në grupin e parë. Ne e dinim që ajo, me vendimin e saj, kishte sakrifikuar pagën ndoshta dhjetëfish më të madhe!
Moskomunikimi mes kolegëve
Atmosfera politike në Universitet, në kohën e përjashtimit tonë, ishte tepër e tendosur. Ato ishin reflektim direkt i incidenteve që ndodhnin në qytet, e që shoqëroheshin shpesh me viktima. Arsimtarët serb dhe shqiptarë, me përjashtime të vogla, kishin filluar të mos komunikonin. Unë e dija se çështjet e mospajtimeve në Fakultet, dhe në Universitet, ishin vetëm maja e ajsbergut, meqë origjina e tyre ishte shumë më e thellë dhe më serioze, gjë që do të dëshmohet në vitet pasuese.
Profesoresha ishte përnga natyra person apolitik, pa asnjë mëdyshje, por në një atmosferë të till, të elektrizuar që mbretëronte, në një ndarje të tillë të palëve, çdo njeri i thjeshtë, sado që të jetë apolitik, vështirë gjen fuqi mendore që ta mbaj balancën e brendshme shpirtërore. Edhe sot kur e vështroj atë periudhë, mendoj se vështirë ka qenë për secilin, qoftë ai shqiptar apo serb (sidomos serb, për shkak të propagandës që bënte makineria agresive e regjimit të Millosheviqit), që në një atmosferë aq të helmosur, të arrinë ta ruaj pastërtinë njerëzore deri në fund. Këtë arrinte ta bënte ajo.
Edhepse unë nuk e dija pozicionin e Profesoreshës për zhvillimet politike që ndodhnin atë kohë, meqë asnjëherë s’kisha biseduar me të për tema politike, por jam i bindur se ato kohëra, ekstremisht të turbullta politike, nuk kanë mundur asnjëherë të bëhen determinuese në vendosjen e relacioneve me kolegët e saj.
Njohja ime e parë me Profesoreshën
Unë e kisha njohur Profesoreshën që nga koha e studimeve të mia në Beograd. Ajo, në atë kohë, ishte Docente në degën e Solokëndimit. Krahas kësaj, ajo kishte filluar vrullshëm karierën solistike si një mexosoprane shumë premtuese, sipas kritikës së kohës. Mbante koncerte në gjithë Europën. Ishte pjesë e ansamblit të famshëm italian ‘I musici di Roma’. Këndonte edhe me Pavarotin! Pamja e jashtme e saj ishte e veçantë. Kishte një qëndrim stabil, të vendosur në ecje, por ishte gjithmonë e buzëqeshur dhe gjentile në komunikim. Ishte ende e re, e bukur, tërhjekëse dhe posedonte një subtilitet të theksuar femëror, kështuqë të gjithë studentët e adhuronin. Shumë vite më vonë unë pata mësuar që ajo, për shkak të disa problemeve shëndetësore me kordhat e fytit, e kishte ndërprerë karierën koncertore dhe ishte orientuar vetëm në punë pedagogjike. Në vitet ’80-ta, kur Akademia jonë ende kishte nevojë për angazhimin e arsimtarëve nga jashtë, në bisedë me kolegët e mi, propozova që të ftohet pikërisht ajo, si bashkëpuntore. Kështu, ajo së shpejti, filloi punën në Akademinë tonë. Për mbajtjen e mësimit, udhëtonte një herë në javë nga Beogradi apo Novi Sadi, ku ishte vendbanimi i saj. Që në javët e para, ajo filloi t’i entuziazmoi studentët tanë. Ajo ishte komunikative dhe e afërt me ta. Vinte në shprehje natyra dhe karakteri i saj, gjithmonë energjike, e hareshme dhe plot gjallëri në punë. Punonte tërë ditën me studentët e saj, gjithmonë me elan të skajshëm. Shumë shpejt, ajo fillon të familjarizohet me ambientet e qytetit të Prishtinës. Ngadal shkrihet në rradhën e boemëve prishtinas që vesin e pijes e shuanin në lokalet e vonshme të Prishtinës dhe (sidomos) të Fushë Kosovës (siq e bënin boemët e dikurshëm të qytetit tonë, Mirko Gashi, Muharem Qena, Regjo Mulliqi etj.), por gjithmonë me një sharm të veçantë dhe me fisnikëri. Pas disa vitesh, ajo braktis Novi-Sadin, pasi që kishte vendos për të jetuar në Prishtinë. Në këtë kohë, ajo u instalua në shtëpinë e Xhafer Selimit (që ishte referent në Fakultetit tonë) në Fushë Kosovë, pa asnjë kompenzim.
Sfidimi i “diferencimit politik”
Edhe më parë Juliana kishte dhënë shenja se nuk i bindet lehtë qëndrimeve politike që dominonin te pala serbe, qëndrimeve që gjithnjë e më shumë radikalizoheshin. Ajo komunikonte normalisht me kolegët serb, por njëkohësisht shoqërohej edhe me kolegët shqiptarë. Ndonëse ajo në thelb, siq thash më lart, ishte person apolitik, çështjet politike, siq më thonin kolegët tjerë me të cilët ajo shoqërohej më shumë, ajo i njihte shumë mirë. Thjeshtë, ajo kishte një mendim të veçantë, parimor dhe shumë origjinal për zhvillimet e kohës. Megjithatë, një prej momenteve më ilustruese për këtë qëndrim të saj ishte shfaqur në kohën e Grevës së minatorëve të Trepçes. Pala shqiptare, në Universitet, filloi të përkrahte hapur kërkesat e minatorëve, të cilët kërkonin dorëheqjen e disa krerëve të Kosovës, që ishin treguar të dobët në artikulimin e kërkesave të Kosovës. Situata radikalizohej, dhe, si pasojë këtyre tendosjeve ekstreme, fillojnë të shfaqen shenjat e para (por definitive), të çarjes së madhe në Universitet. Së këndejmi, pozicionimi kaq i qartë, nënkuptonte automatikisht, fillimin e procesit të diferencimit politik (edhe më të ashpër se sa që ishte më parë), që rezultonte, pashmangëshëm, me përjashtim nga procesi mësimor.
Funksionimi me parime personale
Në ditën e 5-të të Grevës së minatorëve, studentët e Universitetit, në shenjë të përkrahjes së kërkesave të tyre, ishin tubuar në Palestrën 25 maji. Kohë pas kohe, atyre iu bashkangjitej ndonjë prej arsimtarëve të Fakulteteve përkatëse, në shenjë përkrahjeje. Kështu, unë vendosa të shkoj në palestër. Pasi e idenifikova vendin ku ishte grupi i vogël i studentëve të Fakultetit tonë, afrohem dhe vërej se ishte aty Profesoresha. Nuk më kishte befasuar përkrahja e saj ndaj kërkesave të studentëve, në pikëpamje ideore, por, më befasoi prezenca e saj në mesin e studentëve, që, në ato rrethana, ishte, pamëdyshje e rrezikshme.
Une e kisha të qartë se ajo, nuk rezononte njejtë, si ata 2-3000 veta në sallë, e mos të flasim për ata qindra policë të tërbuar që e rrethonin sallën (e që vetëm pritnin sinjalin që të hidhen “ta coptojnë” prenë e tyre). Përderisa studentët, e ndonjë prej arsimtarëve, ishin prezent aty, për të mbrojtur, ndër të tjera, edhe parimet e drejtës tonë kombëtare, Profesoresha nuk ishte aty për të mbrojtur “kauzën shqiptare” por thjeshtë, për mbrojtjen e shprehjes së lirë të studentëve të vet dhe mbrojtjen e parimeve elementare njerëzore. Është më se evidente, Julijana në tërë atë vorbull të protestuesve që vlonin, ka funksionuar me parime të veta. Për ato kohëra të çmendura, ato parime ishin krejtësisht anakrone. Nuk mendoj se ajo ka mbrojtur “çështjen tonë”, shiquar nga këndi i pikëpamjet tona politike. Ajo thjeshtë është solidarizu me studentët në mënyrë parimore, siq e bënin ato ditë, një pjesë e madhe e Jugosllavisë së atëhershme, e edhe grupet dhe individët përparimtarë në Beograd.
“Thuj kësaj motre falem’nerës… »
Drita, që kishte qenë studente e saj, tregon për një veti njerëzore të saj, që ishte shumë vështirë të përjetoje atë kohë, meqë gjithçka njerëzore ishte zhdukur.
Në vazhdën e punës, Profesoresha më sugjeroj që ta fus në program të provimit një vepër të re, partiturën e të cilës e kishte ajo në shtëpinë e saj. Më tha që në orët e pasditës, të shkoj në shtëpinë saj që ta huazoj partiturën. Profesoresha jetonte në Fushë Kosovë në shtëpinë e Xhaferit (Selimit). Në të vërtet ishte fjala për një pasllëm të adaptuar, në skajin e oborrit të shtëpisë kryesore. Shkova në Fushë Kosovë që ta marr partiturën. Hyra në oborrin e shtëpisë dhe e identifikova godinën. Nga jashtë dukej një objekt i vogël, me tavan të ultë, tamam ashtu siq ma kishte përshkruar Profesoresha, por mbrenda dukej jashtëzakonisht simpatike, e rregulluar me shije të sofistikuar saj. Bënte shumë ftohtë. Afrohem te dritarja dhe papritmaz shohë një person në moshë të shtyrë, me plis në kokë dhe me pamje, në dukje, të rrënuar. U tërhoqa pas, duke menduar se kisha gabuar vendin! Në atë moment hapet dera dhe e shoh Profesoreshën. Ajo e vërejti se unë isha befasuar me fshatarin e moshuar që ishte mbrenda. Më ftoj mbrenda dhe më spjegoi se, e kishte takuar zotëriun në rrugë pranë shtëpisë së saj, te stacioni i autobusit, të cilin e pritte. Meqë autobusi ishte në vonesë më tepër se një orë, ai nuk mund të qëndronte ulur për shkak të ftohtit, andaj kishte filluar, me vështirësi të lëvizte, sa për t’u ngrohur. Profesoresha, më tregoi se, e kishte marr në shtëpi dhe i kishte përgaditur një çaj të ngrohtë, të pushojë dhe ta merr vehten derisa autobusi vjen. Plaku, nuk dinte sërbisht të komunikonte, por kur e muar vesh se unë flas shqip, më tha: “Thuj kësaj motre falem’nerës, se ky çaj m’shpëtoi, valla”
Ata e dinin të kaluarën e saj!
Në kohën e luftës së Kosovës ne e humbëm kontaktin me të. Në vitet e para të pasluftës, kolegët e Fakultetit, arritën të kontaktojnë me të, duke i ofruar mendësinë që ajo ta vazhdoj punën. Por, insistimi i tyre disahershme, ishte i kotë. Ajo kishte vendosur të jetojë në Beograd, në një banesë të vogël të saj, dhe Novi Sad. Më vonë e morem vesh se ajo për tërë atë kohë, pas braktisjes së Prishtinës, nuk ishte askund në marrëdhanje të rregullt pune, por kishte angazhime të ndryshme modeste, të kohëpaskohëshme, me të rinj. Jetonte vetëm, dhe komunikonte me pak persona. E përcjellnin telashet e vogla jetësore. Kishte ndihmën e kohëpaskohëshme të motrës së saj.
Nuk i dinim arsyet e vërteta se pse nuk vinte. Mua, në këto njëzet vite, gjithmonë më sillej mendimi se shkak i mosardhjes, duhet të ketë qenë, ndonjë situatë e padëshirueshme, që ka mundur ta përjetonte ajo, në periudhën kritike, në ditët e para të pasluftës. Mendoja se duhet të ketë pasur probleme me ndonjë individ shqiptar që, ndoshta i frustruar ka mundur edhe ta kërcnonte etj. Për një kohë të gjatë kam pasur një ndjenjë të keqe dhe një lloj ndjenjë faji, duke e pasur parasysh këtë bindje të supozuar. Por jo, ngjarjet e asaj kohe ishin zhvilluar ndryshe, krejtësisht ndryshe!
Njëzet vjet më vonë, nga disa miq të saj, kuptova se Profesoresha gjatë kohës së luftës, kishte mbet e vetme në shtëpi në Fushë Kosovë, meqë pronarin (Xhaferin) me familje e kishin përzënë forcat policore serbe. Dhe, një ditë, në një fushatë të dhunës që kishte filluar në lagjen ku ishin shtëpitë e shqiptarëve nga ana e paramilitarëve serb, këta, i ishin drejtuar asaj ashpër, me urdhër, që “mbrenda orës ta lëshoj shtëpinë”, meqë “ata e dinin të kaluarën e saj”. Ajo pregadit gjërat, pastaj shpejt e në panikë e lëshon shtëpinë – dhe e braktis Kosovën, për të mos u kthyer asnjëherë më.
Post scriptum
Në korrikun e vitit të kaluar, lexoj në një faqe të Internetit se Juliana ka vdekur në apartamentin e saj, në Beograd, më 23 korrik, në qetësi dhe plotësisht e vetmuar!
Ja, kështu mbaroi, në heshtje të plot, jeta e Profesoreshës Julijana Anastasijević, e me te, u shua edhe bota e saj, të cilën ajo e kishte krijuar për vete, me imagjinatën e saj, për të jetuar plotësisht e lirë.
Brezovicë 20.01.2021