“In A”
Inspired by Terry Riley’s In C
- In A për solistë, kor dhe ansambël instrumental 2017
Vepra ‘In A’ mund të konsiderohet si replikë personale (e imja) ndaj veprës kulte dhe ingjenioze e Terry Riley-t ‘In C’, vepër që qysh në lindjen e saj, shenoi jo vetëm nismën e muzikës minimaliste-repetitive, por në një farë mënyre paralajmëroj fundin e mugëtirës trishtuese në të cilën ishte kredhë muzika bashkëkohore, në fazën e serializmit të saj ekstrem. “Revolucionariteti” i kësaj vepreje të Riley-t nuk qëndron vetëm në “tingëllimën konsonante” (e cila, të themi kalimthi, i “trishtoi” modernistët e kohës, gjatë premierës së saj në vitin 1964), nuk qëndron as në karakteristikën themelore, do të thosha, të jashtme të saj, e, e cila konsiston në përsëritjen e pandërprerë të notës “do”, (gjatë tërë zgjatjes së saj), por revolucionariteti fascinant për mua ka qenë poliritmika (rrjedhimisht edhe polimetrika!) e shfaqur dhe e realizuar në mënyrë aq të logjikshme sa edhe të thjeshtë, si dhe dhe shfaqja e një bote të papritura ngjyrash-harmonish, përkundër përsëritjes së notës së njejtë, gjatë tërë veprës.
E frymëzuar nga këto dy karakteristike, vepra ‘In A’ bën një lundrim të gjatë në hapësira të ndryshme harmonike (madje në 10 tonalitet të ndryshme!) duke e ruajtur ‘korrektësinë’ harmonike me tingullin themelor “la”, e cila përsëritet pandërprerë gjatë gjithë kohës në Marimba dhe në Piano. Gama e gjërë e strukturave harmonike mbështetet, në masë të madhe, në harmonitë të proviniencës tonë folklorike, sidomos modit pentatonik të jugut të Shqipërisë.
Karakteristika e dytë e veprës, gjithsesi kruciale e veprës, konsiston në planin ritmik dhe metrik. Në shumë pasazhe të veprës shfaqen dy apo (ndonjëherë) më shume struktura ritmike njëkohësisht. Në tingëllimën vertikale bëhet kombinimi i njëkohëshëm i masave 6/8, 4/4 dhe ¾. Edhe në planin horizontal të veprës, kushtimisht thënë, në strukturën melodike të saj, ne mënyrë sukcesive kombinohen masat e ndryshme diferente.
Në vepër përdoret teksti popullor i huazuar nga një këngë popullore e rrethit të Vlorës, kurse melodia e këngës popullore e cila shfaqet në fund të pjesës së parë, është improvizim origjinal i thjeshtë në suaza të modit pentatonik.
Dispozitivi instrumental është variabil. Ai mund të jetë i ndryshueshëm dhe i zgjëruar apo reduktuar sipas dëshirës dirigjentit apo aparatit interpretues. Megjithatë do të duhej të dominojnë instrumentet perkusive dhe një apo dy piano. Roli themelor i tyre paraqet dyfishimin e thjeshtë të partit koral, por gjithashtu nënkupton shmangie dhe zhvillim në sferën e improvizimit frymëzues që mund të nxisin segmente e caktuara të veprës.
/Premiera e veprës: 12 mars 2017/ Filharmonia e Kosovës – Marcio da Silva dirigjent