R.Rudi: Frymëzimi nga artet dhe nga fushat tjera të dijes

Idea iniciale për të sjellë në jetë një vepër të re, mund të shfaqet befas, pa ndonjë shkas të dukshëm. Ajo është një shkrepje e momentit, që gjason në një xixë që papritmas shkëlqen, pa iniciativë të vetëdijshme të autorit. Shfaqja e idesë, ndonjëherë mbetet e pa spjegueshme si proces mental, por, në thelb, nga çfarëdo konteksti emocional të ketë lindur, ideja për një vepër të re, pashmangshëm, do të determinohet nga  thellësia e botës së mbrendshme të vet autorit, vepra muzikore, në thelb është emanacion i fuqisë emocionale të artistit dhe gjërësisë kulturor që ai posedon. Fascinimi me një vepër të jashtëzakonshme arti; përjetimi i fortë që merret nga një interpretim i jashtëzakonshëm; frymëzim nga bukuria i një poezie apo një romani fascinant etj., mund të jenë burim i frymëzimit, gjithsesi. Por burim i frymëzimit mund të jetë vet jeta, siç presupozoni ju- frymëzim si rezultat i tronditjes emotive nga ndonjë situatë e veçantë jetësore apo nga ndonjë dramë jetësore e përjetuar etj. Të gjitha këto të cekura më lart, mund të jenë shkas për lindjen e një vepreje të re.

Frymëzimi në fazën e hershme të formimit profesional

Sigurisht, në periudhën e parë të krijimtarisë, fokusimi krijues të ri, gjithmonë është i  përqëndruar në përvetësimin e teknikës kompozicionale, andaj në këtë kohën krijuesi i ri fokusohet në kompozimin e formave të cilat zbërthejnë problemet e caktuara të zejes së tij e më paka janë fryt i frymëzikit të lirë. Kjo është, pak a shumë, një rrugë e domosdoshme për një kompozitor të ri, dhe si i till është një lloj frymëzimi.

(Ndonëse, edhe në këtë stad të zhvillimit, te ndonjë kompozitor i ri, kalohen caqet e opurtunitetit të thjeshtë profesional. Të përkujtoj lidhur me këtë, një rast markant nga  historia e muzikës. Kompozitori rus Shostakoviq, ka diplomuar (si nëntëmbëdhjetvjeçar) me Simfoninë e tij të parë. Pra, vepra  ka qenë detyrë pedagogjike me një cak të paracaktuar dhe krejtësisht konkret. Por talenti i tij i jashtëzakonshëm, origjinaliteti i tij krijues, dhe gjenialiteti i tij, do të thosha,  ka bërë që ai, me këtë simfoni, të kompozon një prej kryveprave të tij. Pra, në kohën kur ai ka qenë i përqëndruar në përmbushjen e obligimeve studentore, ka lind një kryevepër.)

Vështërësi e madhe për një krijues të ri është shkëputja nga kjo periudhë (periudhë e domosdoshme në ngritjen e çdo kompozitori).  Pra, vështirësitë mbesin në braktisjen e klisheve që e përcjellin këtë fazë të ngritjes profesionale të kompozitorit. Përmbushja e këtyre detyrave pedagogjike dhe planeve të “parapërgatitura” në procesin e të kompozuarit, do të mbesin edhe më tutje rrezik që ta ndrydhin personalitetin krijues te një kompozitor i ri (natyrisht, nese ky “personalitet krijues” ekziston!). Së këndejmi, që rruga e mëtutjeshme e kompozitorit të ri, të mos mbetet e  erësuar, ai duhet të gjej burime tjera të frymëzimit. Pa mëdyshje se frymëzimi nga artet tjera është një rrugë e mundshëm.

Frymëzimi nga artet dhe nga fushat tjera të dijes

Konsideroj se lidhja me artet tjera është gjithsesi e logjikshme dhe e pritshme. Nga përvoja ime, do të kisha cekur angazhimin tim në muzikën për teatër në vitet ’90-ta, që ka qenë frymëzim për lindjen e disa veprave të reja. Për më tepër ndonjë prej tyre psh., Kantata “Flijimi” (që është shkruar në bazë të tragjedisë së Euripudit ”Ifigjenia në Aulidë”), ka qenë sinkretizim shumëdimensional i muzikës, teatrit dhe letërsisë. Kjo sintezë përmbajtësore e fushave të artit ka ndikuar edhe në fizionominë edhe të gjuhës shprehëse për një periudhë të caktuar.

Me kalimin e kohës, në fazat më të avancuara të krijimtarisë, lidhja me artet nuk ka qenë i vetmi burim i frymëzimit. Përkundrazi, gama e fushave nga e cila unë nxjerri frymëzimin është mjaft e zgjëruar. Këto fusha kanë mundur të jenë Historia, Arkitektura, Filozofia, Psikologjia, Filmi, Ekologjia (natyra) etj. Ja, disa shembuj që i pasqyrojnë disa prej këtyre burimeve të lartëcekura.

  • Vepra “Le tombeau oublié” ( “Varrit i haruar i një qyteti” )

Vepra për piano “Le tombeau oublié” frymëzimin direkt e ka në fatin e qyteti ilirik – Antigonea! Më ka impresionuar historia e këij qyteti i cili është shquar për shkallë të lartë të civilizimt ilirik, por që ka pasur edhe një fund tragjik! Në vendin e dikurshëm të Antigoneas, edhe sot mund të gjeni gjurmë të qytetit të shkatruar dhe të djegur – kolona të thyera dhe të shpërndara kudo të stilit dorik, gjurmët e oborrit peristil ku shquhen figurat nga bronzi të Sfinksit dhe Posejdonit, varreza të pasura skulpturale dhe të shpërndara gjithandej. Ky qytet, siç dihet, ishte i shkatruar me urdhër të Konsullit romak Emil Pauli në shekullin II para erës së re, pikërisht nga smira për madhështinë që ka ai pasur.

Heshtja madhështore dhe tronditëse që ndjehet në atë vend, sugjerojnë pashmangshëm heshtjen që jeni  pranë një varri – Varrit të haruar të një qyteti (Le tombeau oublié). Nota tragjike që ndjehet në vepër është përshkrim simbolik i tragjedisë së këtij civilizimi dhe përjetim intim i vdekjes së një qytetit

Melodija e shkëputër dhe e shpërndarë në tërë veprën simbolizojnë sopëzat e objekteve të qytetit të shkatëruar. Lapidariteti i strukturës melodike është marrë nga minimalizmi simbolik që ndjehet në poezinë japoneze haiku (përndryshe nëntitulli i veprës ka emërtimin “Haiku për Akin”), kurse ritmi i ngadalsuar që ndjehet në tërë veprën është aluzion në lëvizjet teatrale të personazheve (që aq të fuqishme dhe tërhjekëse më duken), që ndjehen në teatrin e vjetër japonez. Pikërisht minimalizmi melodik dhe ritmik, si dhe sfondi harmonik i bazuar në disa trajta të pentatonikës (që gjenden si në muzikën shqipe dhe atë japoneze) janë pikat lidhëse të dy botërave kulturore të largëta (të Kosovës dhe Japonisë) që përbëjnë idenë nxitëse kompozitoriale që më ka shtyrë të shkruaj veprën dhe t’ia dedikoj një pianisteje të madhe japoneze – Aki Takahashit.

Ja, këtu vërehet relacioni frymëzues me fushën e hisorisë, me fushën e Arkitekturës, dhe me një gjini poetike të provenijencës specifike japoneze – siç është poezia Haiku! Për më tepër, në sfond të këtij spjegimi është edhe një relacion (frymëzues) latent – adhurimi im për një pianiste të jashtëzakonshme japoneze, me të cilën bashkëpunojmë tash e njëzet vjet.

Premiera e veprës ka qenë pikërisht në interpretimin e Aki Takahashi në Tokio (2007).

Fati tragjik i qytetit ilirik Antigonea-s, është shembull eklatant në rrjedhën historike të mbretërisë ilirike që ne e njohim pikërisht falë dëshmive arkitekturore.  Andaj preokupimi me arkitekturën ka qenë prezent në një periudhë kohore dhe ajo ka qenë edhe në raste tjera burim i frymëzimit tim krijues. Do të përmendi Kuintetin “Antigonea” vepër e ndërtuar në 4 kohë, me çrast kohët mbajnë emërtime të proveniencës arkitekturore: I  Portiku i qytetit/  II Pilistrat i braktisur/ III Temenos (La priere-Lutja) / IV Agora

(Kuinteti “Antigonea” ka qenë porosi nga ansambli ‘Pierrot Lunaire Ensemble Vienna’), ansambël i cili e ka realizuar premierën e saj.)

  • Metamorfoza vepër për 3 solistë, flautë, piano, mexosopran dhe orkestër harkor

Vepra Metamorfoza, është kompozuar në vitin 1979, në një etapë specifike për mua të ndryshimit të gjuhës sime të shprehjes. Është kjo periudhë kur unë kisha braktisur periudhën “neoklasike” (përmes veprës “Kohë koncertante për piano e orkestër”), dhe bëja përpjekje ta definoj më qartë hapësirën time të re krijuese, në familjarizimin më të madh me rrymat avangarde të cilat unë në atë kohë i synoja. Të përkujtoj se njohja ime me veprat e shkollës së re polake, të asaj kohe, “zbulimi” i veprave të Lutosllavskit, Pendereckit, Serockit etj., kishte luajtur rol të madh në rrugën drejt ndryshimit të bindjeve të mia estetike ndaj muzikës, por edhe artit në përgjithësi. Sidoqoftë, edhe më tutje, dilemat dhe oscilimet në pikëpamjet estetike ishin prezente.

Pikërisht në këtë kohë, (ishte një fazë ndoshta dyvjeçare), unë iu kisha kthyer leximit të veprës së Kafkës, me shumë zell dhe fascinim të madh. Ç’është e vërteta, literatura (romani) edhe më parë, kishte luajt rol kryesor deri atëherë, në formimin tim dhe më ndihmonte në kalitjen tim si kompozitor, shumë më tepër se artet tjera. Ndërkaq, papritmaz, njohja me veprën e e Kafkës ishte për mua një befasi krejtësisht e re, dhe të thuash, shokante. Më entuziazmonte jo vetëm mënyra (për mua) e re e rëfimit, trajtimi i çuditshëm i personazheve, krijimi i situatave absurde për personazhet e tij dhe në masë më të madhe nuancimi i kujdesshëm, i kontrolluar në shprehje në planin emocional… Pastaj, më dukej eksituese sesi narativa e veprës përcjellte ligjshmëritë që hasen në procesin e ëndrrës (si process psiqik). Vepra ndërtohet si emanacion i ëndërrës. Zhvendosja apo transformimi i personazheve nga një situatë në situatë tjetër, pa motivacion të qartë, që e hasim në veprën e Kafkës, e që ndonjëherë duket paradoksal dhe absurd, është pamëdyshje një projekcion (dhe fenomen) i ëndrrës. Pastaj situatat absurde në të cilën gjenden personazhet e tij; mënyra allegorike e vazhdueshme në teknikën e rëfimit, ishin të çuditshme; dialogjet e papërfunduara apo të devijuara në një drejtim të papritur; mungesa e përfundimeve ta zakonshme të storieve absurde etj. Në përgjithësi, e konsideroja veprën e Kafkë si far ndriçues në rrugën time dhe gjejsha në të përgjigje ndaj “paqartësive” që unë i kisha kundruall muzikës së re (anagarde). 

Njohja ime me veprat e Kafkës, me shtresat më të thella të saj, ka rol kyq për mua në drejtim të “hyrjes” time definitive në botën e muzikës avangarde. Opusi e tij për mua ishte katalizator në ndryshimin fundamental të pikëpamjeve të mia ndaj artit modern, në përgjithësi.

Pikërisht, si refleks i preokupimit tim 2-3 vjeçar me veprën e tij, ka lind vepra Metamorfoza, e emërtuar qëllimisht me këtë emër, si frymëzim direkt nga novela me të tjejtin emër të këtij autori.                                                        

Trishtimi i personazhit Gregori Sams, të novelës impresive “Metamorfoza” e Franc Kafkës, në momentin kur ai kupton, i zgjuar nga një ëndërr e rëndë, se trupi i tij është transformuar në insekt; adaptimi dhe përshtatja graduale në një situatë të re, përkundër faktit se si instinkt njerëzor te ai shfaqet, herë pas here; pikëllimi që e mbërthen atë, kur e dëgjon motrën e vet duke luajtur në violinë, për shkak se ndjen përgjegjësi se nuk mund ta dërgon motrën e vet në Konzervator (për shkak të situatës së re), ashtu siç i ka premtuar, si jehonë nostalgjike. Me vështirësi e pranon situatën ambivalente, në të cilën gjendet,

Kjo situatë kontarverze, (si një ambivalencë filozofike, që njeriun e shoqëron tërë jetën, në përpjekjen e vazhdueshme të njeriut që të balancon kohën e shkuar dhe kohën e tashme), ka qenë një motiv nxitës dhe deciziv për kompozimin e veprës. Vepra, paraqitet si homazh për “Metamorfozën” e Kafkës.

Si reflektim i këtij qëndrimi tim adhurues ndaj Kafkën, vendosa që të shkruaj një vepër të re, duke e pasur për bazë “kontradiksionin psikologjik” e përhershëm të njeriut që ta pajtoj të shkuarën dhe të tashmën. Ndaj, unë nisa të hulumtoj ndonjë tekst poetik, që do të ishte i përshtatshëm për vepër. Në kërkim e sipër, hasa në një sentencë  filozofike të Anatol Frans, që më ka tërhjekur posaqërisht, dhe që ka koincidu me atmosferën e novelës së Kafkës. Meqë kësaj sentence filozofike të Anatol Frans-it mungonte dimensioni poetik, Jusuf Gërvalla, bëri një ndërhyrje në tekst duke i dhënë tekstit frymë poetike.

Anatol Frans

Çdo ndërrim pikëllon

Se ç’lamë njëherë pas

Pjesë e jona është

Bëre të vdekur një jetë

Për të hyr’ në tjetrën

Se ç’lamë njëherë pas

Pjesë e jona është

Tre solistët (flauti, pianoja dhe mexosoprani), që janë bartëse kryesor të dramaturgjisë muzikore, paraqesin tri situata të të vetmit personazh i cili pashmangëshmërisht duhet të ndryshojë (“Bëre të vdekur një jetë, për të hyr’ në tjetrën”), ndonëse, ky personazh, mbanë në vetë kujtimet, dashuritë, vragët e dhembjeve të shkuara por edhe shpresën dhe mallin  se njëherë do të kthehet në trajtën e parë, asaj njerëzore (“se ç’lamë njëherë pas, pjesë e jona është”). Atmosfera melankolike e pjesës së fundit të veprës, në Coda, simbolizon një rënkim mortor të personazhit (i ngjashëmme personazhin e Kafkës, Gregori Sams, i cili “vendos” të vdes. E forma e vdekjes është fare banale: ai nga pasojat e një molle të kalbur që ishte bllokuar në supet e tia, me të cilën njëherë është goditur nga babai i tij).

Së këndejmi, syzheja filozofike, në këtë rast nuk ka vetëm rol të motivimit të thjeshtë për të kompozuar një vepër, por ky syzhe, në masë të konsiderueshmë determinon strukturën formale të veprës.

Vepra është kompozuar 1979. Premiera e veprës ka qenë në Festivalin e muzikës bashkëkohore në Opati (Kroaci) Tribuna e  Krijimtarisë muzikore Jugosllave më 1981, nga Orkestra e Filharmonisë Maqedone me 3 solistë kosovarë

  • Vepra Rêve nostalgique (Ëndra nostalgjike) – vepër elektronike

Në vitin 2003 kisha një ftesë nga kompozitori Lucio Garau, i cili në atë kohë, udhëhiqte një festival të muzikës elektronike, në Kaljari të Italisë. Koncepcioni programor i festivalit ishte interesant: çdo vit, si temë bosht i festivalit, merrej një kompozitor i epokave të mëparshme (Beethoven, Shopen etj.). Ndërkaq, kompozitorët e ftuar, kompozonin vepra të reja duke e pasur parasysh, veprimtarinë e kompozitorit të paracaktuar. Vepra e re duhej të përbante një lidhje të caktuar, me opusin e tij. Atë vit ishte caktuar për temë “Claude Debusy dhe opusi i tij”.

Kjo për mua ishte fatlume dhe një nxitje e veçantë, meqë Debusy ishte një prej kompozitorëve të mi të preferuar dhe kompozitor që më kishte fascinuar gjithmonë. Bota tingullore debysiane paraqitte për mua gjithmonë një prej përjetimeve më të çuditshme dhe më ekzitante. Më dukej një botë e mistershme që të lenë të mendosh se ajo është e shkëputur plotësisht nga koha e saj dhe rrethi i saj. Një botë “à part”, krejtësisht e veçuar, një ishull tingullor imagjinativ i kompozitorit. Sa më tepër që i afrohem esencës së saj kjo botë për çudi më duket edhe më e pakapshme, më fluide, më ëndërimtare, dhe më e mistershme. Sidoqoftë për mua mbetet gjthmonë një ëndër se do të arrijë ndonjëherë në mbrendinë e saj.

Vepra, në të vërtet, paraqet, të them në mënyrë figurative, muzikalizim i përpjekjes sime / ëndrës sime/ që të depërtoj në këtë botë. Në këtë lundrim specifik në thellësitë e kohës që më ndan nga kjo botë, më është dukur e përshtatshme që veprën formalisht ta strukturoj duke përdorë një teknikë filmike “të kthimit të shiritit”. Thellësitë më të mëdha të këtij “ekspedicioni”  arrihen me  “gjetjen e objektit të kërkuar” (paraqitja e takteve të para të veprës pianistike të Debussy-s “Claire de lune”). Kjo në pikëpamje dramaturgjike paraqet pikën kruciale të veprës (“antiklimaks”). Por siç ndodhë në procesin e ëndërrës objekti, papritmas, zhduket nga perspektiva e shiqimit… mbetet vetëm një nostalgji për të…

Së këndejmi, kjo vepër paraqet një projeksion emotiv personal ndaj Debussys, një ËNDËR NOSTALGJIKE për këtë botë të veçantë tingullore.

 

WordPress Image Lightbox