Rafet Rudi: Aspekti kulturologjik i Rock-kulturës te ne
(Fillet e rock-ut kosovar 1966-69)
“…ata, në fillimet e tyre, janë parë si përçues të një kulture të huaj. Janë akuzuar si thyes të kodeve morale, andaj të përbuzur, të urrejtur, të dyshimt dhe si “të pamoralshëm”, ata janë anatemuar në tërësinë e tyre, si një strukturë e padurueshme e kontekstit shoqëror të atëhershëm. Por, shiquar nga perspektiva jonë e sotme, e botëkuptimeve të reja dhe shiquar nga prizmi i kulturës së re politike (kulturë që ne si popull kemi përqafuar që nga vitet ’90-ta), ata na shpërfaqen në një pamje tjetër. Sot e shohim se ata kanë qenë struktura progresive e shoqërisë sonë dhe strukturë anticipuese e botëkuptimeve tona të mëvonshme… Merita e madhe e gjeneratës së parë të rock muzikës, është se ajo ka thyer tabu-t e shoqërisë tonë në një kontekst delikat politik. Përmes këtij segmenti modest të veprimit, ne si shoqëri kemi treguar vitalitetin dhe afinitetin për të përqafuar vlerat e botës perendimore.”
Për çka flasin gjenerata e Rock-ut kosovar të viteve ’60-ta
Ditë më parë, në një forum (të hapur ad hoc), të facebook-ut, hasa në një diskutim që zhvillohej në mes një rrethi të miqëve, lidhur një temë të pa trajtuar më parë te ne, së paku jo me seriozitetin dhe thellësinë e duhur. Fjala është për paraqitjen e zhanrit të muzikës rock në Kosovë. Ajo që më bëri përshtypje në këtë bisedë, është se në të nuk flitej për rock-un me terma të përgjithshëm, nuk flitej, me qëllime përmbledhëse, për fillet e rock-ut në botë (të viteve ’50 në SHBA), por biseda kishte një fokusim të qartë: gjetjen e informatës se në cilin qytet të Kosovës është mbajtur kitariada e parë e kësaj muzike. Ndonëse nuk përputheshin mendimet në mes bashkëbiseduesve, në këtë diskutim tërthorazi doli në dritë një e vërtetë e rëndësishme dhe sinjifikuese, se në tërë Kosovën, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Prizren, në Pejë, në Gjakovë, në Ferizaj, në vitet 1966, ’67, ‘68, janë paraqitur formacionet e para e të rinjëve tanë, që kanë përqafuar një “muzikë të re”, e cila prej disave është konsideruar një muzikë avangarde e kohës, kurse prej të tjerëve, është kundërshtuar si një zhanër që po “helmos rininë tonë”.
Muzika zbavitëse e viteve ’60-ta
Nëse mbështetemi në inçizimet e vjetra nga arkivi i Radio-Prishtinës, mund të konkludohet se muzika e zbavitëse kosovare (në gjirin e së cilës lind rock-muzika) në vitet ’60-ta, ka qenë nën ndikimin e fortë të muzikës jugosllave. Ajo ka qenë një kopje besnike e muzikës së popullarizuar të kultivuar në qendrat më të mëdha jugosllave. Kjo është e kuptueshme jo vetëm për faktin se ne nominalisht i kemi takuar nënqiellit kulturor jugosllav, por edhe për shkak se në Prishtinën e atëhershme kanë vepruar një numër i muziktarëve nga viset tjera (që jeta i ka përplasur në “krahinën e pazhvilluar”), ndaj edhe kanë ndikuar në pamjen përfundimtare të muzikës zbavitëse të Kosovës të kohës. Gjithsesi, si model gjithmonë kanë shërbyer festivalet jugosllave me renome të madhe të kohës (“Pranvera e Beogradit”, “Zagrebfest”, “Festivali i Opatisë” “Vash shlager sezone” etj.), si dhe, pjesërisht, festivali italian i San Remos. Ky zhanër i muzikës, që element të rëndësishëm valorizuies e ka “modernitetin”, e duke e ditur se qendrat e mëdha jugosllave mirë e kanë përcjellur trended e muzikës europiene, për muzikën tonë zbavitëse ka qenë një përparësi, meqë ne, në mënyrë indirekte, skena jonë ka qenë, megjithatë, e informuar me tendencat e muzikës së asaj periudhe kohore.
Në vazhdën e kësaj rrjedhe, te ne është formuar festivali i parë i muzikës zbavitëse “Akordet e Kosovës”. Edicioni i parë i të cilit është mbajtur më 1963 (në Zveçan). Kjo datë mund të konsiderohet si një shenjë e mirë se kultura jonë festivaleske ka qenë në hap me botën. Ta zëmë, festivali“Akordet e Kosovës” fillon rreth tetë vite pas festivaleve me renome të vendit apo (vetëm) trembëdhjetë vite pas festivalit prestigjios të muzikës italiane në San Remo.
Rock-kultura si fenomen planetar/ Hapja ndaj botës perendimore anglofone
Në mesin e viteve ’60-ta, bota jonë e muzikës zbavitëse fillon të ndryshojë. Për herë të parë, influencat vijnë, përpos kanaleve të zakonshme, edhe nga një “botë e jashtme” – nga bota perendimore anglofone, madje, në masë të madhe ato vijnë në mënyrë direkte. Është fjala për paraqitjen e parë të muzikës rock në nënqiellin tonë. Kjo muzikë, e ardhur kryesisht nga Britania, siq dihet, ka qenë një risi e kohës për mjedisin tonë, andaj në fillim ajo ka tingëlluar si një muzikë krejtësisht e re, dhe aq ka dalluar nga muzika e deri atëhershme sa që kjo si e till, është dukur (thuaj) se ka zbritur nga një planet tjetër (!).Në vijim të viteve (duke fituar gjithnjë numër më të madh adhuruesish), fillon të zë vend në mozaikun e muzikës sonë të popullarizuar.
Pra, të ndikuar nga grupet britanike (të “The Beatles”, “The Rolling Stones”, “The Animals” etj.,) në periudhën 1965-69, në të gjitha qytete e mëdha të Kosovës paraqiten, për herë të parë, rock-grupet e para. Ato përqafojnë këtë rrymë të re të muzikës së popullarizuar, duke përsëritur një model të standardizuar të rock grupeve britanike, që ka nënkuptuar një formacion prej tri kitarave të elektrifikuara (kitara solistike, kitara përcjellëse dhe bas kitara), të baterisë dhe të syntisajzerit.
(Ky verzion i rock-ut britanik, dallon nga vala e parë e muzikës rock – muzikës të viteve ’50-ta, që lidhet më tepër me nënqiellin amerikan, qoftë përnga forma ashtu edhe përnga shtrirja dhe fuqia e ndikimit në tërë botën).
Influencimi, siç do të shihet më vonë, nuk bëhet vetëm në domenin muzikor, por edhe në rrafshe tjera përcjellëse, me efekt mjaft të fuqishëm. Së këndejmi, kjo rrymë muzikore, që në vendet perendimore fillon të profilizohet si një kulturë e re, fillon të ushtrojë ndikim në botën e të rinjve tanë por edhe në shoqërinë, tonë në përgjithësi.
Kjo muzikë, në tërë botën, do të unifikoj muzikologët, historianët e muzikës dhe sociologët e artit në një mendim të përbashkët se kjo gjini muzikore paraqet një fenomen të jashtëzakonshëm planetar, jo për efektin që ka në rrafshin e ngusht muzikor, por për ndikimin (ndoshta në rradhë të parë për këtë shkak !) të madh që ka ushtruar në rrjedhat shoqërore të shekullit XX. Së këndejmi rock muzika apo më sakt të themi rock-kultura, do të jetë objekt i shqyrtimeve shumë të thelluara në shumë fusha, në rradhë të parë në fushën sociologjike!
Shiquar në këtë prizmë, edhe për shkencëtarët tanë (në rradhë të parë të sociologëve të kulturës), rock-kultura si fenomen unik, nuk do të duhej të mbetet e neglizhuar, për shkak të ndikimit që ka pasë në mentalitetin e tërë një gjenerate të rinjve tanë, në konceptin për formën e re të jetës. Sigurisht, do të jetë një sfidë e madhe që të analizohen rrethanat të cilat kanë sjellë këto ndikime në shoqërinë tonë, në një shoqëri, që i ka pasur mundësitë e limituara të komunikimit, në çdo aspekt.
Influencat e para të kulturës perendimore përmes muzikës
Gjithsesi, në zbardhjen e këtij fenomeni duhet patur parasysh rrethanat specifike të shoqërisë tonë të kohës dhe kontekstin në të cilin ajo ka qenë. Siç dihet organizimi politik jugosllav, ka dalluar nga vendet tjera të bllokut lindor, ndonëse edhe ky ka qenë i ndërtuar sipas modelit të njejtë ideologjik. Ai nuk ka nënkuptuar shkëputjen totale me botën perendimore, kështuqë kumunikimet me këtë botë, kanë ekzistuar në një masë të konsiderueshme, në të gjitha fushat e jetës, në veçanti në fushën e kulturës. Zhvillimet e mëvonshëm në sferën e muzikës, si edhe në sferën politike kanë treguar se në këtë mes ka ekzistuar një tendencë latente të shkëputjes nga rrethi në të cilën gjeografikisht ka qenë “i ngujuar”, dhe ka qenë e dukshme ambicia për të përqafuar një botë “përtej”. Kjo do të shpërfaqet, siq dihet, në mënyrë markante në vitet ’90-ta, në pozicionimin politik të ri të Kosovës.
Influencat e para tek ne kanë arritur në disa mënyra: a) përmes përcjelljes direkte të radiostacioneve muzikore europiane, në rradhë të parë të Radio-Luksemburgut, që në atë kohë ishte një radiostacion kult për këtë muzikë b) përmes diskografisë, e cila ka arritur të depërtoj këtu në mesin tonë, përkundër vështirësive praktike që kanë ekzistuar c) përmes televizionit, që si medium i ri në atë kohë fillon të bëj hapat e para në përditshmërinë tone dhe së fundi d) përmes kontakteve direkte të njerëzve tanë me qendrat e mëdha kulturore, në mes tjerash edhe përmes udhëtimeve, që te ne kanë qenë të lejueshme (për dallim nga vendet tjera të bllokut lindor, ku kjo e drejtë ka qenë e mohuar). Të gjitha këto format e cekura, kanë qenë avantazh i kontekstit politik në të cilin ka jetuar Kosova, për dallim nga vendet tjera të lindjes dhe nga Shqipëria.
Informacione të sigurta dhe precize se si janë dukur këto aktivitete e para të këtyre rock grupeve, të dokumentuara në çfarëdo mënyre (me foto, me shkrime, me audio dhe video shembuj), të thuash se ska fare ose ka në numër aq të kufizuara, kryesisht si pjesë e arkivave private, sa me vështirësi mund të japin një fotografi reale se çka ka ndodhur në atë periudhë në fushën e muzikës së popullarizuar këtu te ne. Tek e fundit, paraqitjet e tyre të para kanë qenë në forma shumë të thjeshta. Kanë bërë muzikë në “ballot” e ditëve të vikendit (një formë e popullarizuar e dëfrimit të të rinjve të asaj kohe), dhe pjesmarrja në kitariada, apo prezentime ad hoc në koncerte të rralla.
Kujtimet që mund t’i rëfejnë individët të asaj gjenerate, të cilët i kanë përjetuar këto aktivitete nga afër, janë të rëndësishme, meqë përmes këtyre rrefimeve mund të bëhet një “rikonstruimin” i llojit të vet. Posaqërisht që ne kemi ende protagonistë dhe akterë direkt të kësaj muzike që mund të flasin për te. Ndonëse na ndanë një distancë kohore relativisht e madhe kohore (mbi pesëdhjetëvjecare), përvoja e tyre dhe rëfimi i tyre është i vlefshëm.
Arsyet, pse nuk ka fakte të drejtëpërdrejta të kohës, janë të shumta. Xhirimet kanë munguar meqë në atë kohë ato kanë qenë një raritet. Ato kanë mundur t’i realizojnë qendrat si Beogradi, Zagrebi, Lubjana, por jo (aq lehtësisht) Prishtina. Ne ende nuk kemi një analizë e ndikimeve që ka mundur të ketë kjo muzikë në aspektin kulturologjik, sociologjik, madje edhe në atë politik. Që moti, rock-muzika në botë, vështrohet dhe analizohet nga aspekti multidimensional. Kjo bëhet meqë kjo gjini muzikore është nxitëse e shumë proceseve shoqërore fundamentale në pjesën e dytë të shekullit XX.
Efekti reformues i rock-muzikës në botë
Siç dihet, në botën perendimore, rock muzika konsiderohet si një katalizatore e shumë procesve politike. Kështu, përmes saj është kundërshtuar fuqishëm lufta e Vijetnamit, është kundërshtuar segregacioni racial; rock kultura ka arritur të ndikoj në një balans më të drejt në mes shtresave shoqërore, sidomos ka arritur ta fuqizoj shtresën e mesme etj. Këto procese janë zhvilluar me moton e thyerjeve të tabu-ve; është parapëlqyer liria e gruas, liria seksuale, liria e shprehjes dhe liria krijuese. Praktikisht rock-kultura ka ndikuar në mënyrën e jetesës dhe ky ndikim është aq i madh, sa që ka pasur ndikim në ndërtimin e një stili të ri të jetës.
Në rrafshin muzikor, rock-muzika ka pasur një ndikim dhe efekt të madh reformues. Disa teoreticientë e krahasojnë me reformat e mëdha të zhvilluara në gjinin e muzikën klasike (reforma e Vagnerit nga shekulli XIX, reforma e muzikës dodekafonike të Shoenbergut në fillim të shekullit XX etj.).
Ka shumë shembuj që dëshmojnë se kompozitorët me renome të shekullit XX, nuk janë indiferent ndaj kësaj reforme, andaj në krijimtarinë e tyre ata i qasen, në mënyra të ndyshme, kësaj muzike. Psh., Luciano Berio në këto vite shkruan “Beatles Songs”, György Ligeti shkruan “Hungarian Rock”. Madje, muzika minimaliste (e repetitive), siq shprehet një prej themeluesve të kësaj rryme muzikore, kompozitori postmodernist, Therry Riley “në fillimin saj, muzika repetitive është quajtur muzikë psikodelike”, duke e konfirmuar kështu lidhjen e saj me tendencat që janë shfaqur edhe në rock muzikën (“psychedelic rock”). Fenomeni i rock- kulturës ka qenë aq i madh në shekullin XX, sa që kjo do ta shtyj Pierre Boulez-in (një prej emrave më domethënës të shekullit XX), të bashkëpunoj me Frank Zappa, që rezulton me albumin e përbashkët “The Perfect Stranger” i viteve ’80-ta. Natyrisht ka edhe shembuj të tjerë markant të sinkretizimi të këtyre dy fushave muzikore, përkundër faktit se ato konsiderohen aq të ndryshme.
Pse duhet ndriçuar kjo periudhë / Ndikimet kulturologjike te ne /
Ndriçimi i kësaj periudhe mendoj se është i rëndësishëm edhe për shoqërinë kosovare. Arsyet janë të shumta, por unë do të theksoja vetëm një: për herë të parë tek ne lind një frymë properendimore. Një frymë që përqafon vlerat perendimore dhe e cila nënkupton braktisjen e mentalitetit tradicional ndaj familjes, ndaj edukimit, ndaj moralit dhe aspekteve tjera konzervative të shoqërisë sonë. Kjo tendencë, (ndonëse jo në formë të programit të proklamuar), në thelb, provon vendosjen e një standard të ri shoqëror që mbështetet në lirinë e shprehjes. Edhe në qytetet tona vërehen shenjat e një kulture të re, kështu, në ato vite, janë shfaqur tek të rinjtë mënyra e re e veshjes, mënyra e re e të menduarit, mënyra e re e zbavitjes, e kuptimit të moralit etj. Pastaj, çka është, gjithashtu mjaft sinjifikative, për herë të parë zhanri i muzikës zbavitëse zë vend në përditshmërinë e të rinjeve tanë. Kjo muzikë është prezente shumë më tepër edhe në radio e television.
Për gjeneratat që e kanë përjetuar nga afër këtë periudhë, të paraqitjes së parë kësaj muzike, do të kujtohen se ajo, në fillim, megjithatë, nuk është pëlqyer dhe nuk është mirëpritur. Për më tepër, ka pasur tendenca që kjo kulturë e re “e influencuar nga qarqe të dyshimta nga jashtë” të anatemohet plotësisht.
– Anatemimi i parë ka ardhur nga strukturat më konzervative të sistemit, për të cilat, kjo kulturë ka qenë në kundërshtim me “parimet themelore të ndërtimit socialist” të shoqërisë. Të përkujtoj se në atë kohë ka mundur të ndodh që një i ri, nëse ka pasur një veshje pak më të lirë, më ekstravagante (apo veshje “vullgare”, siq është thënë), ai ka mundur edhe të qortohet nga polici në rrugë; nëse një djalosh ka pasur floktë e gjata (që ka qenë një prej shenjave dalluese të kësaj kulture), ai ka mundur të shoqërohet në stacion policor që të jep spjegime dhe përgjegjësi për “prishje të rendit publik”!
– Anatemimi i dytë ka mundur të shfaqet në rrethin e ngushtë shoqëror (gjithmonë mbrenda shoqërisë shqiptare), madje edhe në rrethin familjar. Pra, mentaliteti i një pjese të shoqërisë tonë ka qenë aq konzervative dhe aq dyshuese për çfarëdo ndryshimi, sa që një kulturë të till (në dukje më moderne) ta proklamon si “antishqiptare” dhe si kulturë që bie ndesh me traditën kombëtare (!) dhe sidomos me traditën fetare etj.
– Anatemimi i tretë, është shfaqur në gjirin e shoqërisë jugosllave, të një mentaliteti konzervativ-shovenist, që kanë pasur disa çarqe jugosllave ndaj kosovarëve (shqiptarëve), duke e trajtuar si popull të paaftë që të kyqet në rrjedhat moderne të jetës publike.
Pra, këto grupe muzikore, në fillimet e tyre, janë parë si përçues të një kulture të huaj. Janë akuzuar si thyes të kodeve morale, andaj të përbuzur, të urrejtur, të dyshimte dhe të pamoralshëm ata janë anatemuar në tërësinë e tyre, si një strukturë e padurueshme e kontekstit shoqëror të atëhershëm. Por, shiquar nga perspektiva jonë e sotme, e botëkuptimeve të reja dhe shiquar nga prizmi i kulturës së re politike (kulturë që ne si popull kemi përqafuar që nga vitet ’90-ta), ata na shpërfaqen në një pamje tjetër. Sot e shohim se ata kanë qenë struktura progresive e shoqërisë sonë dhe strukturë anticipuese e botëkuptimeve tona të mëvonshme.
Rrjedhat e mëvonshme…
Disa vite më vonë, në fillim të viteve ‘70-ta, fillon një fazë e re e kësaj muzike tek ne. Muzika që tash prodhonin rock-grupet ka një orientim tjetër. Muzika e tyre fillon të “kosovarizohet”, në kuptimin më të mirë të fjalës. Derisa rock grupet e viteve ’60-ta, të frymëzuar nga idolët e grupeve britanike, ata i këndonin dhe i kopjonin besnuikërisht këngët e tyre, madje në gjuhën origjinale (angleze), tash grupet e reja fillojnë të interpretojnë muzikën origjinale të cilën vet e kompozojnë dhe të cilën e këndojnë në gjuhën shqipe. Pos kësaj, ata arrinin që në përmbajtjen tekstuale të këngëve të tyre t’i përshtatin mentalitetit të njeriut tone, duke trajtuara tema “vendore”. Pra, rrjedhimisht kësaj, tash ata bëhen “të kuptueshëm”, dhe më të pranueshëm për publikun e gjërë. Rock-grupet, në mesin e viteve ’70-ta përfshihen në programin edhe të festivalit e vetëm të asaj kohe në Kosovë, në “Akordet e Kosovës” (natyrisht me këngë të muzikës së lehtë-zbavitëse), që do të thot se ata “legjitimohjnë”, prezencën e tyre në mzuikën tonë. Është gjithashtu e rëndësishme se, në këtë periudhë, ata kanë fatin që krijimtarinë e tyre t’a regjistrojnë në formën audio dhe video. Pra hapet një kapitull fare i ri i kësaj muzike.
Në ato vite, paragjykimet në shoqëri, në një masë të madhe zbuten, fatlumsisht. Siç dihet ato vite koincidojnë edhe më ndryshimet e mëdha politike të Kosovës së atëhershme, ndaj nuk është e pamundshme që ka pasur edhe një bashkëvrepim të natyrshëm në mes emancipimit politik, emancipimit shoqëror dhe emancipimit artistik (natyrisht kjo kërkon një analizë të veçantë).
Siç do të shihet më vonë, në çdo dhjetëvjetësh të ri, ka pasur ngritje të cilësisë së kësaj muzike. Paraqiten kultivues të shkëlqyeshëm të muzikës rock tek ne. Muzika rock do të jetë prezente edhe në vitet ‘80-ta, madje edhe në kushtet “e pamundshme’ të viteve ’90-ta. Kjo ka ndikim në shfaqjen e tendencave të reja të po-muzikës, që do të vazhdoj deri në ditët e sotme.
Meritën të veçantë për një zhvillim të till të muzikës modern tek ne, mbajnë rock-grupet tona të para që paraqiten në mesin e viteve ’60-ta. Këta entuziastë (kryesisht amatorë të sinqert), shfaqen, pahetueshëm por me vrull të madh rinor, duke thyer tabu-t e shoqërisë tonë në një kontekst delikat politik. Veprimi i tyre, sado që të ketë qenë modest, ka bërë që ne si shoqëri (përmes tyre) të tregojmë vitalitetin dhe afinitetin për të përqafuar vlerat e botës perendimore.”
Bredhovë (Brezovicë) 31/03/2021