????? ?udi: Jusuf Gërvalla – në 25 vjetorin e vrasjes
Publiku i sotëm kosovarë Jusufin, pas 25 vjetëve që na ndajnë nga ai, e njeh për veprimtarinë e tij patriotike, e njehë si poet dhe prozator, kurse si muziktarë, e njeh shumë pak ose aspak.
Në botën krijuese aq të pasur, për shumë çka të veçantë të poetit, shkrimtarit dhe muziktarit tonë Jusuf Gërvallës, në analizat që janë bërë për të, kjo e fundit, bota e tij prej muziktari ka qenë në një masë e neglizhuar për arsye fare të thjeshtë: si duket forca e fjalës së shkruar për dallim nga ajo e tingullit, ishte më e afërt veprimtarisë së tij dominante dhe preokupuese- veprimtarisë kombëtare.
Muzika – botë e pastër
Derisa si poet e sidomos si prozator, ndonjëherë në dëm të bindjeve të tia estetike ngadhnjen idea e pragmatizmit kombëtar, muzika – e privuar nga mundësia që në të shpejt të shpreh intencat konkrete kombëtare – në universin e tij krijues del si një botë e pastër, e çliruar dhe e pavarur nga çdo shtytje joartistike. Ai kësaj bote i qaset me sinqeritet, me butësi, me një freski dhe qiltërti më se të nevojshme artistike.
Veprimtaria e Jusuf Gërvallës në fushën e muzikës nuk është vëllimore, por paraqitja e tij në ambientin tonë të muzikës, për atë kohë kur ai filloi të këndojë, ishte diçka e re dhe e posaçme që arrihej me muzikalitetin dhe talentin mbimesatar që ai posedonte. Këndi nga ai i qasej muzikës, në të vërtet, ishte i veçantë. Ai në muzikë vinte nga bota letrare, ai ishte poet dhe natyrisht me shumë kujdes i qasej lidhjes së vargut poetik dhe atij muzikor. Dhe pikërisht ky trajtim i drejt i gjuhës shqipe në muzikën zbavitëse ishte krejtësisht e re në muzikën tonë të asaj kohe.
Ne që kemi pasur fatin të komunikojmë intenzivisht me pikëpamjet e tij artistike, ne që e kemi njohur më afër botën e tij të ëndërave magjike, jemi të bindur se po të mos ishin rrethanat që e përcaktuan fuqishëm rrugën e tij jetësore (pra, rrethanat politike në të cilën gjndej populli shqiptar), ai do t’i takonte plotësisht botës së muzikës. Ndjeshmëria e tij për artin, subtiliteti i tij si krijues, na bën të mendojmë që ai në të vërtet ishte i destinuar për t’u bërë nja artistë i madh në fushën e muzikës.
Për mua gjithmonë do të mbetet befasuese po njëkohesisht impresive sesi ai i cili ishte një personalitet që e karakterizonte një temperament eksploziv, ai që ishte një uragan i vërtet në temat kombëtare, të shëndrohet në një krijues delikat në kontakt me botën e muzikës, me botën e tingujve.
Muzika zbavitëse -fushë e veprimtarisë së tij
Siq dihet Jusufi i takonte zhanrit të muzikës zbavitëse (muzikës së lehtë). Atë e gjejmë si kantatutor, por edhe si interpret i muzikës së popullarizuar të përbotshme dhe si interpret për të cilin shkruanin kompozitorët. Kultivoi një rrymë mjaftë origjinale të shansonës dhe baladës, të thuash unike në muzikën tonë zbavitëse.
Ndonjëherë në këngët e tia do të gjejmë ironi inteligjente si në këngën “Ç’është kjo”, ndonjëherë metafora politike si në këngën “Motiv i përjetshëm” apo humanizëm të angazhuar drejtuar botës fëmijrore si në këngën “Dashuria ëndërr” por sikur gjithmonë në to hetohet një frymë bunti, proteste . Nëse e tërë kjo shiqohet në kontekstin e rrjedhave të muzikës zbavitëse të asaj kohe, do të shohim se ai ishte në korent të plot me rrjedhat më aktuale dhe më moderne të muzikës zbavitëse të një Baez, Danovan, Dilan etj., por për të ishte e afërt edhe poetika e shansonës franceze.
Siq dihet, veprimtaria muzikore e Jusufit, e cila e tëra ka qenë e tubuar në arkivin e Radio-televizionit të Prishtinës në formën e audio-inçizimeve. Tërë kjo krijimtari, para 25 vjetësh, është asgjasuar, meqë kjo veprimtari ka qenë e koncentruar në fondin e (ish)Radio Prishtinës, do të thot, jashtë kontrollit të tij. (Të përkujtojmë se zhanri i muzikes zbavitëse nuk shenohet në formë të partiturës muzikore por ajo realizohet direkt ne shirit dhe ruhet ne atë formë, pra në formë të içizimit.) Pikërisht për këtë shkak ato nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjasimit. Megjithatë disa prej këtyre këngëve, një numër fare i vogël, janë gjetur në Radio Shkup. Duhet të cekur se disa prej tyre janë kompozime origjinale të tia, por ka edhe asosh që ai në realizimin e tyre paraqitet vetëm si interpret (dhe jo si kompozitor).
Jusufi si gazetar i muzikës
Me botën e muzikës ai kishte edhe një lidhje tjetër specifike. Ai ishte edhe gazetar i fushës së muzikës. Siq dihet në faqen e “Rilindjes” (por edhe më parë ne atë të “Flakës” së Shkupit), ai trajtonte tema nga skena muzikore e të gjitha zhanreve. Dhe i trajtonte ato me përkushtim dhe me shumë sukses. Meqë unë në këtë kohë si bashkëpunëtor i jashtëm i Rilindjes bësha shkrime nga fusha e muzikës serioze (klasike), redaktorët e asaj kohe në Rilindje na propozuan që bashkarisht t’i trajtonim temat muzikore, ku mua në ndihmë do të më vinte përvoja dhe aftësia e jashtëzakonshme gazetareske e Jusufit. Kështu për disa vite me rradhë bashkëpunuam ne këtë fushë dhe nënshkruam bashkë një mori artikujsh. Përcjellnim edhe festivalet e atëhershme të muzikës klasike. Për mua ishte befasuese perceptimi inteligjent, i thellë i muzikës artistike (muzikës klasike), pra një zhanri të muzikës të cilës ai, në të vërtet, nuk i takonte.
Nga kjo veprimtari e gazetarisë muzikore që është relativisht vëllimore do të veçoja si të rëndësishme jo vetëm mënyrën e shtjellimit por edhe vet zgjedhjen e temave për trajtim, dhe këndin nga i cili ai i vështronte problemet e caktuara. Gjithonë shtjellimi kishte në themel afirmimin e muzikës së vërtet kombëtare, afirmimin e talentëve të rinj, përgjithësisht afirmimin e vlerës së vërtet estetike.
Pikëpamjet ndaj artit – fundament i bindjeve dhe i veprimtarisë patriotike
Do të thosha se muzika ishte thjeshtë një fushë në të cilën ai shetit shlirshëm me hapa të çiltërt si të një fëmije, natyrisht pa ngarkesa dhe kritere rigjide me të cilat ai, gjithmonë si intelektual udhëhiqej. Pikërisht në kontaktin e tij me muzikën qoftë si kompozitor, si interpret apo qoftë edhe si dëgjues i rëndomtë, sikur më së miri shpaloset personalitetiti i tij. Në kontaktin e tij me muzikën, shtresat më të thella të shpirtit të tij, të botës së tij magjike, emocionaliteti të tij fisnik, elegant, larg çdo thjeshtësie e trivialiteti, e shpalosin natyrën dhe personalitetin e tij të vërtet.
Është intersant, Jusufi e preferonte dhe kishte aftësi ta ndiente thellë edhe veprat më të vështira në zhanrin të cilit ai nuk i takonte – muzikës serioze, bile të rrymave më moderne të saj si të një Stravinskit, Lutosllavskit apo Berios, njejtë sikur që kishte afinitet ndaj literaturës moderne të një Xhojsi, Kafkeje apo Beketi. Në anën tjetër, fakti që ai e këndonte, e dëgjonte dhe e përcillte trendet më të reja të muzikës zbavitëse, si një zhanër i kulturës, megjithate universale, kosmopolite, gjithsesi tregon për një personalitet në esencë të hapur, komunikativ për vlerat universale, personalitet artistik që ishte krejtësisht kundër provincializmit.
Ai ishte njeri që zgjidhjen e problemit kombëtar e vështronte, gjithashtu, nga një nivel i lartë intelektual, gjithmonë nga konteksti humanist e universal.
Mendoj se këto, pikërisht pikëpamje të tia ndaj artit, posaqërisht ndaj artit muzikor, artit gjithmonë të hapur e modern, janë në esencë fundament i bindjeve dhe i veprimtarisë së tij kombëtare.
Në vazhdën e kësaj më duken të çuditshme dhe jo qëllim mira përpjekjet, kohë pas kohë të disa njerëzve që atë t’a vendosin në kontekstin e relacioneve të sotme, bile në mënyrë perfide t’i mveshin atributet e njërës apo tjetrës parti. Mendoj se këto përpjekje janë krejtësisht të pakuptimta. Ato vetëm dëshmojnë se sa pak e kanë njohur dhe kuptuar natyrën e vërtet të Jusufit si patriot.
Të them në fund se për aq sa jemi të pikëlluar që ai herët (si i ri) përfundoi veprimtarinë e ti patriotike, për aq do të na dhimbet që ai nuk arriti të realizojë potencialin e tij madh kreativ, ta shpreh artistikisht atë botë të ndjeshme të tij të mbrendshme-të veçantë dhe madhështore në finesat dhe subtilitetin e saj, atë botë që, jam i bindur, ka qenë e destinuar t’i takojë artit dhe vetëm artit.
17.01.2007 gazeta ‘LAJM’