Rafet Rudi: Bahri Çela – misionar i paepur i një kohe të shëmtuar
In Memoriam – me rastin e vdekjes së dirigjentit Bahri Çela
Ky emërtim që mëton të shpreh me një fjalë, vështëristë dhe tragjikën e, së paku pesëdhjetë vjetëve të shkuara, të jetës muzikore në Kosovë, pa vështërësi dhe me të drejt, do të mund, t’i atribuohej edhe disa kolegëve tjerë të gjeneratës së dirigjentit Bahri Çela, gjeneratës së parë të muziktarëve profesionistë në Kosovë. Megjithatë, kur është fjala për figurën e dirigjentit profesionist, ky titull domosdoshmërisht i flenë pikërisht figurës dhe personalitetit të dirigjentit tonë të parë profesional, Bahri Çelës. Dhe, nëse një herë synohet të shkruhet historia e vërtet, e plotë e muzikës orkestrale (simfonike) në Kosovë, ajo nuk bën të shkruhet pa emrin e Bahri Çelës.
Bahri Çela e filloi karierën e tij prej muziktari (dirigjenti), në pjesën e dytë të viteve ‘60-ta, pasi që kishte diplomuar dirigjimin në Akademinë (atëherë) prestigjioze të Beogradit, në klasën e Prof. Mihajlo Vukdragoviç (nxënës i dirigjentit të famshëm çek Vacllav Talich, i periudhës në mes dy luftërave boterore). Po e e akcentoj qëllimisht këtë vij të ngitjes pedagogjike (Talich-Vukdragoviq-Çela), të formimit shumë të mirë profesional të Bahri Çelës si dirigjent, meqë në këtë zeje ky element, shpeshëherë, mund të jetë element determinant.
Pra vitet ’60-ta dhe -70-ta, kur Bahri Çela filloi karierën e tij, janë vite të një kthese të madhe në fushën e kulturës tek ne, të influencuara nga ndryshimet shumë të mëdha politike të asaj kohe. Në ato vite të turbullta, që nga intelektualët tanë përjetoheshin si një ringjallje kombëtare, kultura jonë kishte nevojë për kuadro kompetente, për profesionistë të vërtet për të zënë, më në fund, “kohën e humbur”. Së këndejmi gjenerata e parë e muziktarëve tanë profesionistë, e cila kishte filluar, tashti për herë të parë, të orientoheshin në degët përkatëse (tepër deficitare) të kompozimit dhe të dirigjimit (e jo vetëm atë të pedagogjisë së përgjithshme muzikore!), kishte detyra specifike në atë kontekst – ata ishin misionarë në propagimin e muzikës artistike (klasike) tek ne, për shkak se ajo, për dallim nga të gjitha qendrat të tjera në ish Jugosllavi, nuk kishte, të thuash asnjë traditë të qëndrueshme. Ata kishin detyrë të formonin institucionet e larta arsimore, të parat tek ne.
Pra, në këtë moment historik, Bahri Çela filloi të shfaqet si dirigjenti dhe si pedagog autoritativ së pari në Shkollën e muzikës e më vonë në Shkollën e lartë pedagogjike dhe në Akademinë e muzikës (nga viti 1978). Ai kishte stil të veçantë të punës, ku dominonte organizimi i mirë i Korit të shkollës dhe mbi të gjitha disciplina ekzemplare. Pikërisht rezultat i kësaj pune ishte stolisja me vend të parë, si Kori më i mirë në ish Jugosllavi të një shkolle “provinciale” nga Kosova. Ishte kjo krejtësisht befasuese. Nga perspektivë e sotme, kur të rinjtë tanë bëjnë depërtime të shenueshme në botë, kjo na duket hap i vogël, por në një kontekst të atëhershëm, kur Kosova vështrohej me përbuzje, kjo ka pasë domethënje të madhe.
Në vitet 1972-75, Bahriun e gjejmë në orvatjet idealiste prej djaloshi të ri e ambicioz, që të (ri)formoj celulat e para të orkestrës së Radio-Prishtinës, një orkestre që kohë pas kohe kishte zhvilluar aktivitete (jo në kontinuitet!) edhe më parë, me muziktarë e dirigjentë që vinin nga Maqedonia, Serbia, Vojvodina etj., si Bogoljub Vojnoviq, Oliver Ristic, Todor Petronja, pastaj nga Vanço Çavdarski e Todor Skalovski e ndonjë tjetër.
Ja dromca të një shkrimi më të gjatë lidhur me këtë periudhë dhe rolin që Bahriu luajti në këtë periudhë:
“Organizimi i dytë i Orkestrës u bë në fillim të viteve ’70-ta, në kushte krejtësisht të tjera, shumë më stabile dhe më të qëndrueshme. Kështu, në gjysmën e parë të vitit 1974, në saje të një përkrahjeje të madhe të muzicientëve që vepronin në atë kohë, që tash ishin në një numër të konsiderueshëm (instrumentistëve, kompozitorëve, pedagogëve muzikorë) dhe në saje të një vetëdije më të madhe të njerëzve të kulturës, u mor iniciativa për formimin orkestrës. Në fillim ky formacion kishte përbërje kamertale, kurse në krye të tij erdhi dirigjenti Bahri Çela, dirigjent ynë i parë i diplomuar… Rifillimin e veprimtarisë së orkestrës duhet parë në kontekst të zhvillimeve politike dhe shoqërore të asaj kohë. Riaktivizimi ishte fryt i një shkalle relativisht të lartë të vetëadministrimit që Kosova kishte arritur në këtë kohë dhe që më së shumti vërehej në rrafshin kulturor. Pra, në një ringjallje të përgjithshme nacionale, ku me vetëbesim formoheshin institucionet të ndryshme kulturore të rëndësisë së madhe kombëtare, ri/lindja e orkestrës ishte e logjikshme dhe shumë e mirëseardhur. Ishin edhe disa faktorë tjerë, determinues, që këtë fillim e bëjnë më të qëndrueshëm. Konstituimi i Radio-televizionit të Prishtinës si dhe rritja e rolit të kësaj shtëpie në fushën e jetës publike shoqërore dhe kulturore, ishte një moment i rëndësishëm në zhvillimin e kësaj trupe. Orkestra, që tashmë kishte emër të ri dhe të plot, Orkestra Simfonike e RTP-së, u fut plotësisht nën ombrellën e këtij institucioni /shtetëror/. Shumë shpejt, pas punës së rëndësishme që bëri Bahri Çela, drejtimi i orkestrës iu besua dirigjentit Bajar Berisha, i cili në atë kohë (1975), sapo kishte filluar punën e rregullt në RTP, pikërisht në këtë cilësi.” (R.RUDI)
Që nga themelimi (1975) e deri në ndërprerjen e dhunshme në vitin 1990, me orkestrën punuan një mori dirigjentësh. Në mesin e tyre, natyrisht ishte edhe Bahri Çela. Ai në prova të orkestrës shquhej me punë ambicioze, me modesti dhe saktësi në transmetimin e kërkesave prej dirigjenti si dhe me disciplinë në organizimin e provave. Kurse në paraqitjet publikut, në koncerte, Bahriu shquhej me qëndrim autoritativ, pamjen atraktive në dirigjim, dhe sidomos shquhej me elegancën e tij manuale, që dëshmon qartë posedimin e një shkolle të mirë të dirigjimit. Për shkak të temperamenti të tij unik, natyrës së tij eksplozive (që aq shumë e pëlqenin miqtë e tij, meqë ishin karakteristika tw qëndrimit tij të sinqert dhe konsekuent), shpeshherë vinin deri të mospajtimet me orkestrantët dhe sidomos me udhëheqësit e Orkestrës simfonike të RTP-së, dhe mu për këtë, kishte edhe ndërprerje të shumta në veprimtarinë së tij si dirigjent. Përkundër kësaj, ai u prezentua me sukses si dirigjent, me Orkestrën, në festivale të ndryshme të ish Jugosllavisë. Por, ishte gjithashtu puna e tij në Akademinë e Muzikës, ku vërehej aktiviteti dhe kontributi i tij i madh si pedagog.
Pas luftës, në vitin 2000, në përpjekjet tona të para për aktivizimin e Orkestrës simfonike, pas mbledhjeve të pafundme që bënim me udheheqësit tanë politik dhe me personat e sektorit të kulturës pranë UNMIK-ut, u arrit ujdia që të rithemelohet Orkestra, por tash si institucion i pavarur, i cili do të quhej Filharmonia e Kosovës. Edhe në këtë fillim të tretë të Orkestrës sonë, Bahri Çela dha kontribut të vlefshëm. Koncerti i parë i Orkestrës së Filharmonisë, u mbajt më 27 shtator të viti 2000, në sallën e Galerisë së Pallatit të Rinisë (hapësirë përballë Sallës së Kuqe). Dirigjent ishte Bahri Qela.
Ai vazhdoi edhe disa vite të punon si dirigjent i kësaj orkestre, por kontributi i tij dhënë jetës sonë muzikore ishte i shtrirë edhe në aktivitetet e shumta në kuadër të Fakultetit të Arteve. Në vitet e fundit, Bahriu ishte shkëputur nga ambienti ynë, meqë ai jetonte pranë familjes së tij të ngusht, në Angli.
Dje ishte koncerti i hapjes së sezonit të nëntëmbëdhjetë të Filharmonisë së Kosovës. Në fillim të Koncertit, publikut prezent iu kumtua lajmi i kobshëm që pikërisht në këtë ditë pushoi së rahurit zemra e bartësit të koncertit të parë të kësaj orkestre, Bahri Çelës. Drejtori i Filharmonisë, me pijetet dhe fjalë të zgjedhura, e përkujtoj biografinë e tij të pasur artistike.
Në fund të këtij përkujtimi, me pikëllim e shenoj faktin se ne si shoqëri – as Filharmonia e Kosovës, as ne si komunitet kulturor, më në fund, edhe si miq të tij, nuk arritëm, ta nderojmë atë për kontributin e dhënë. Kemi mundur me arsye ta shenojmë, së paku 70 vjetorin apo 75 vjetorin e jetës së dirigjentit tonë të parë profesional në Kosovë. Në tetë vjet të fundit, Bahriu nuk dirigjoj.
Prishtinë
1 tetor 2018
Recent Comments