Rrojtja

Rrojtja (1978) për kitarë dhe harkor

Vepra është shkruar në vitin 1978, kurse premiera e saj ka qenë Festivalin e muzikës moderne në Opati (Tribuna e Krijimtarisë Muzikore Jugosllave) në nëntor të vitit 1982 nga Darko Petrinjak, kitarë-Zagreb dhe Ansambli “Solistët e Zagrebit”, dhe inçizuar nga interpretë të njejtë për Radio-Zagreb.

Fillimisht vepra është shkruar për kitarë dhe Kuartet harkor (version i parealizuar deri më tash). Në vepër ndihet një ndikim i lehtë që kompozitori përjeton në këtë kohë nga njohja me veprat e kompozitorëve udhëheqës të “shkollës polake” (Lutoslavski, Penderecki, Serocki, Baird etj.)

Vepra është e përbërë nga tri kohë  të shkurtëra të lidhura attacca. Materiali i eksponuar në fillim të veprës në partin e solistit do të jetë material bazë për të tri kohët (seksionet) e saj. Kompozitori në komentin e veprës shquan rolin e agogjikës dhe dinamikës në muzikën tradicionale (shqiptare), elemente të cilat në bashkëveprim dhe me futjen e tyre në kontekstin tingullor bashkëkohor formon sintezën e dëshiruar të autorit dhe sintezë mbi të cilën ndërtohet fundamenti i tërë veprës. Trajtim i materialit është koncertant, me çka vepra  paraqet një lloj koncerti për solist dhe orkestër, ndonëse nuk është e cekur si e till. Bashkë me veprën tjetër të kësaj kohe “Metamorfoza” për orkestër harkor, në veprën “Rrojtja” kompozitori braktis orientimin  neoklasik të gjuhës së tij shprehëse të shfaqur në fazën e parë të krijimtarisë. Ky proces i shkëputjes nga neoklasicizmi i periudhës së parë të krijimtarisë hetohet qysh në  veprën tjetër koncertante “Kohë koncertante për piano dhe orkestër të madh” nga viti 1975, vepër në të cilën kompozitori për herë të parë përdor  një seri dodekafonike.

WordPress Image Lightbox