Rafet Rudi: “7 shkronjat”

        Salla koncertale, edhe më tutje mbetet lëngatë parësore e jetës, gjithnjë më intensive, muzikore në Prishtinë. Për të flitet (në qarqe muzikore), për të merren vendimet (në nivele të ndryshme politike), të cilat nuk realizohen asnjëherë (!). Fillon ndërtimi i sallës së Teatrit të operës me bindje se ka fillue së ndërtuari salla e koncerteve(?!). , dhe pas një kohe të shkurtur ato punime ndërpriten… Në tërë këtë konfuzion, ajo që befason dhe që më duket më trishtuese, është se njerëzit që marrin vendime (ndër ta edhe personalitetet e artit, ndonjëherë!), nuk e kanë të qartë se çka, në të vërtet, është salla koncertale. Në ambientin tonë kulturor ende nuk bëhet dallimi në mes sallës koncertale dhe sallave të tjera, si tipi i sallës universale apo sallës së operës (!) etj.

Koncertet simfonike dhe kamertale nuk mbahen në mënyrë cilësore në sallat universale (që janë të dedikuar edhe për variete) apo në sallën e teatrit. Gjiri i tyre i natyrshëm është vetëm salla koncertale me parametra akustik specifik dhe tejet preciz.

        Provincializmi është rrezik permanent i kullturave të vogla, kulturave të paformuara dhe të pa profilizuara deri në fund, siq është kjo e jona. Si pasojë e ngecjes historike; si pasojë e investimeve të mjerueshme, kultura jonë e ka vështirë t’i ikë kritereve dhe standardeve provinciale. Ajo sot është në një udhëkryq të madh dhe medoemos duhet të përcaktohet në mes dy rrugëve, krejtësisht diferente. Rruga e parë është rrugë e guximshme e shkëmbimit kulturor dhe përballjes së saj me konkurencë valide ndërkombëtare dhe futjes sa më shpejt ne jetë të kritereve /absolute/ të vlerësimit artistik. Rruga tjetër është – rruga provincialiste që për qëllim rruajtjen e një sistemi vlerash të veçanta të shkëputur nga bota, ku mediokritetet zënë vend të merituar dhe formojnë autoritete.

Muzika klasike tek ne, edhepse me zhvillim më të vonshëm, në këtë drejtim ka bërë hapin më qenësor. Për dallim nga fushta tjera të artit, nga artet figurative, nga filmi, nga teatri e sidomos nga letërsia e cila është të thuash tek ne e mbyllur ne vetëvete, fusha e muzikës klasike tek ne e ka intensitetin më të lartë të shkëmbimit kulturor. Dëshmi për këtë nuk janë vetëm emrat si Ramë Lahaj, Petrit Çeku, Elbenita Kajtazi, Besa, Marigona e shumë të tjerë /që frekuentojnë sallat e rëndësishme në botë/ por, para se gjithash, prezenca e artistëve  me renome ndërkombëtare në skenën tonë muzikore. Mbrenda sezonit, në podiumet tona koncertale janë prezent me dhjetra e dhjetra artistë me renome ndërkombëtare.

        Xhaz muzika është një gjini , deri para disa vitesh e pavërejetur tek ne. Ajo jetonte në një dimension tjetër, e shkëputër nga përditshmëria jonë. Se te ne ka publik  që intersohet për një gjini të till e kemi kuptuar, pasi që Ilir Bajri (një krijues emblematik, tek ne, i kësaj muzike), dhjetë vite më parë filloi me organizimin e festivalit të parë tek në të muzikës xhaz. Gjërat në ndërkoh kanë ndryshuar shumë. Vala e artistëve  të rinj  ngadal po e vërshon  jetën tonë kulturore.  Përshtypja mbetet se është duke u profiluar një  shtresë e re, shume serioze,  e artistëve. Pikërisht në këtë vazhdë e vështroj koncertin e disa ditëve më parë të Trios së xhaz pianistit të talentuar Arben Ramadanit në  Teatrin Oda.  I shkolluar në njërën prej xhaz-akademive kompetente  europiane- në Holandë,  Arben Ramadani, jeton edhe më tutje  në këtë vend, dhe vepron me sukses.

Në këtë mbrëmje të mrekullueshme, u paraqit si mysafire edhe Rona Nishliu. Me invencion të jashtëzakonshëm, me fuqi ekzemplare të koncentrimit në interpretim, Rona po profilohet në një ariste unike tek ne. Sesa është ajo e veçantë për ambientin tonë më së miri e tregoi vet Arbeni në këtë mbrëmje. Me të dëgjuar për herë të parë zërin e saj, siq tha ai,  “Rona i është dukur se ka zbritur nga nje planet tjetër”.

         Sezoni koncertor ekziston apo nuk ekziston te ne, është pyetje që vështirë mundet dikush me saktësi të përgjigjet. Ne në të vërtet ne nuk kemi sezon koncertor në kuptimin e plotë të fjalës për shkak se sezoni koncertor ekziston atëherë kur paraprakisht ai planifikohet; atëherë kur kontraktohen me kohë koncertet me artistë, me ansamble etj., dhe atëherë kur ato koncerte paralajmërohen me publikime përkatëse, ku figurojnë në mënyrë të saktë informacionet për bartësitë e programit dhe si i till t’u ofrohet melomanëve dhe abonentëve.

Në rrethana në të cilat momentalisht zhvillohen aktivitet muzikore, sezoni koncertor, në kuptimin e plotë të fjalës, praktikisht është e pamundur të ekzistojë. Kjo mund të bëhet me ndërhyrjen, planifikimin dhe koordinimin e ndonjë agjensie e specializuar për organizimin e koncerteve, e cila te ne nuk ekziston. Këso agjensish ekzistojnë në të gjitha vendet me jetë të konsoliduar kulturore.

         Festivalet tek ne (së paku ato kryesoret), janë të vetmet që veprojnë me planifikim paraprak, të sakt dhe preciz. Praktikisht, jetën muzikore në vend (me rreth 50-60 koncerte në vit), e konstituojnë, para se gjithash, këto festivale ekzistuese.  Mesin tonë, në saje të disa festivaleve tona, e njohin me qindra artistë të huaj, në mesin e tyre edhe emra me renome te qëndrueshme ndërkombëtare. Ato e bëjnë punën që do të duhej ta bënte Ministria përmes ndonjë agjensioni të specializuar për organizimin e koncerteve. Ironia e fatit është që ato sot kontestohen prej pushtetarëve.

        Mecenët gjithmonë kanë qenë përcjellës më të mirë të artit. Muzika e mirëfillt artistike edhe në kohën e gjigantëve si Moxarti, Bethoveni, Çajkovskit etj., tradicionalisht ka jetuar nga mecenët. Me kohën moderne, rolin e mecenëve e merr shteti. Së këndejmi kompozitorët modern varen plotësisht prej shtetit. Si një fushë që nuk zgjon interesin e publikut të gjërë, muzika e re (në gjitin e muzikës klasike!), gjithmonë ka nevojë për një kujdes të veçant.  Në vendet ku institucionet kujdesen për shëndetin kulturor të përgjithshëm, krijimtaria e re ka tretman të veçantë. Kjo manifestohet me stimulime të ndryshme, në formë  donacioneve të ndryshme, në formë të kunkurseve blerëse etj. Në vendin tonë, ashtu si edhe në vendet që na rrethojnë, ku institucionet janë të varura plotësisht nga shteti (nga buxheti shtetëror) dhe ku akomulim i fuqisë vendimarrëse është më i madh dhe shpeshherë autoritar (mbase nga mungesa e kulturës demokratike?), vetëm sa i shkakton probleme reale krijimtarisë së re. Me financimin (shpeshherë) e pa kontrolluar në fusha të tjera dhe shpeshherë diskriminuese, muzika moderne (e re) qëndron në margjina të ambientit kulturor.

       Jetën kulturore, pjesën e madhe të aktiviteteve në të edhe në vëllim edhe në cilësi  e zhvillojnë organizatat e pavarura joqeveritare, të cilat ndonëse me buxhet jashtëzakonisht të vogël zhvillojnë në mënyrë të efektshme një mori aktivitetesh. Te ne, koncertet të cilësisë të lartë organizohen jo nga institucionet publike por nga organizatat joqeveritare.  Por këto iniciativa, përkundër suksesit të pamohueshëm, shiqohen me mosbesim nga pushtetarët, për shkak se janë iniciativa “private’. Të përkujtoj se në mentalitetin tonë fjala “private” ende ka konotacion  të plotë të herezisë.    

 

’KOHA Ditore’ 23 prill 2015

WordPress Image Lightbox