Rafet Rudi : Shtigjet për analizën e veprës së Rexho Mulliqit- Nismëtarit të muzikës artistike te ne

Të flasësh për veprimtarinë e nismëtarëve të një fushe të caktuar të artit dhe të fitosh një ide objektive për vlerën e saj nevojitet një analizë komplekse dhe një vlerësim i veprës përmes disa parametra, qofshin ato ndonjëherë edhe jashtëartistikë. Sëkëndejmi, duhet filluar gjthsesi nga vlera reale estetike e veprës, por njëkohësisht vepra duhet të vlerësohet në raport me kohën dhe rrethanat në të cilat krijohet ajo, të vlerësohet në kontekst historik të krijimtarisë që i përket etj. Pra, vështrimi i veprës nga disa kënde është sa i drejt aq edhe i domosdoshëm që të mos kalohet në dy ekstreme të mundshme a) të nënçmohet vepra (vlerësimi vetëm me kritere absolute estetike) apo të b) mbiçmohet ajo (vlerësim vetëm i fenomeneve perreth veprës e jo edhe vlerësim i fenomenit estetik të veprës). S’do mend, kjo implikon një qasje dhe analizë subtile profesionale që të mbahet drejtpeshimi i duhur në mes të këtyre dy parametrave në vlerësim.

Pa mëdyshje, Rexho Mulliqi hyn në rradhën e krijuesve, vepra e të cilit kërkon një trajtim të till, pra, një shqyrtim kompleks, të themelt, dhe mbi të gjitha, kërkon një analizë të kujdesshme e cila me përgjegjësi do të vërente vlerën e veprës në të gjitha nuvelet e saja.

Një analizë kësisoji shumështresore për veprën e Rexhos ende nuk e kemi. Për të është shkruar me respekt nga disa autorëve tanë, por me atë rast ose është kapur vepra e tij prej një “largësie” (shpeshherë duke iu bërë një qasje retrospektive), apo është shqyrtuar e segmentizuar duke u shyqyrtuar vetëm ndonjëra prej çështjeve të rëndësishme të veprimtarisë së tij.

Rexho Mulliqi dhe tendencat e reja të muzikës bashkëkohore

Cila ishte krijimtaria e Rexhos në raport me muzikën që krijohet aso kohe (sidomos periudha e parë e krijimtarisë së tij). Pra shikuar në këtë perspektivë, ku qëndron muzika e Rexhos, çfarë karakteristikash mban ajo?

Ndonëse Rexhoja, në kohën kur i bënte hapat e parë në krijimtari, nuk ka mundur plotësisht të jetë në korrent me aktualitetet muzikore në botë, për shkak të jetës së varfër muzikore që ekzistonte atëherë këtu, nga analiza që mund t’u bëhet partiturave nga opusi i tij i asaj kohe, lehtë mund të vërejmë se Rexhoja kishte, megjithatë,  njohje edhe për veprimtarinë e kompozitorëve bashkëkohorë, por më tepër atyre të krahut “më të përmbajtur” (Haçaturianit, Rahmanjinovit, Shostakoviqit etj.), sesa atyre “radikalistëve” të tipit të treshit vjenez (Shoenbergut, Bergut, Vebernit). Kurse, të thuash, njihte shumë pak apo më mirë thënë ishte krejtësisht larg muzikës së atëhershme aktuale, muzikës së postvebernistëve të kohës (Boulezit, Schtokhauzenit) të cilët ai i konsideronte, të thuash, “kundërshtar ideologjik”. Pra, ai kishte një njohje të mirë të atyre kompozitorëve, që idiomin e tyre krijues e formonin në bindje të thellë në muzikën tonale (sistem që zhvillohet që nga shekulli XVII deri në fillim të shekullit tonë), apo për muzikën në të cilën përfshihen drejtimet që paraqesin një lloj restaurimi të së kaluarës (neoromantizmi, neobaroku etj.), shpeshherë me konotacione të muzikës nacionale. Rexhoja në strukturimin harmonik, melo–ritmik dhe në organizimin formal të veprës së tij qëndron në suaza të krijimtarisë së këtyre kompozitorëve, duke mos tentuar seriozisht ta bëjë një hap më tej jashtë bazave të këtij sistemi. Përse Rexhoja veproi kështu? Arsyet janë të shumta. Do të theksoja së pari se rrethanat në të cilat ai krijoi, nuk i mundësuan një kontakt më të dendur më krijimtarinë më të avancuar që krijohej atë kohë në botë (që do të nënkuptonte një afërsi, interesim dhe ndoshta ndikim nga ajo) Rexhoja ndjente dashuri dhe pietet të madh për veprimtarinë muzikore të këtyre shekujve të mëparshëm (sidomos asaj romantike) Ajo ishte një preokupim i përhershëm i tij – muzikën e till ai e çmonte, e ndjente  e dëgjonte, dhe e adhuronte. S’do mend, nga analiza e veprës së tij do të vërejmë se këto periudha lanë gjurmë në konstituimin e universit të tij krijues; si duket ai kishte një besim të thellë në “amshueshmërinë” e sistemit tonal, dhe muzikës së shekullit XX që e supozonte një  sistem të till, andaj çdo “shetitje “ jashtë këtij sistemi e konsideronte si punë të kotë.

Rexhoja dhe kënga popullore shqipe

Pse ky raport theksohet si çështje më rëndësi? Jo rastësisht. Do të thosha se kjo është e paevitueshme nëse do të diskutohej për tiparet stilistike të muzikës së tij. Ai këngën shqipe e dëgjonte, e admironte, me të ishte i lidhur në punën e përditshme (si redaktor i muzikës në Radio-Prishtinë). Ai në mënyrë active u mor me të. Shkruante aranzhmane, stilizonte këngën popullore dhe, më në fund, krijonte në këtë zhanër.

S’do mend, këngën popullore Rexhoja e absorboi në atë masë, saqë nuk gjejmë vepërt të tij (në zhanrin e muzikës serioze), e cila sadopak, nuk është e mbështjellur me petkun e kësaj muzike. Se në ç’ masë dhe në ç’ mënyrë, shikuar nga ana estetike, e përvetëson at, është çështje për një shqyrtim më të thukët, sikur që është për t’u diskutuar edhe animi i lehtë i tij kah shfrytëzimi i elementeve orientale të këngës shqipe (!). Por s’ka dyshim, kënga popullore shqipe, ndikon drejtëpërdrejti në formimin e gjuhës shprehëse të tij. Gjithsesi ky raport është qenësor në zbërthimin e stilit dhe të origjinalitetit të muzikë së tij.

 Aspekti historik i veprës së Rexhos

Do të ishte vlerësimi i mëngët nëse opusin e Rexhos nuk e shikojmë në kontekst të kohës dhe hapësirës që ajo u krijua, rrethanave që ekzistonin në atë kohë dhe rolin që vepra e tij ushtroi në kontekstin kulturor të atëhershëm.

Me të kthyer nga Beogradi, ku studjoi në degën e kompozimit në Akademinë e atëhershme, Rexhoja gjeti këtu një nivel shumë të ulët të jetës muzikore te ne, sidomos në lëmin e muzikës artistike: mungonin ansamblet muzikore, mungonte orkestra, mungonin instrumentistët, mungonte jeta sadopak e gjallë muzikore që do të nxitnin kureshtjen e tij për kompozimin e veprave më ambicioze. Ai ishte i shtrënguar t’i përshtatej presionit të rrethanave ekzistuese. Sëkëndejmi merret me punë më të “lehta”, si shkruarja e aranzhmaneve për ansamble të ndryshme, përpunime të ndryshme, kompozimi I veprave të thjeshta korale, “këngë masash” etj. Një kohë u muar edhe me punë pedagogjike (si arsimtar i Shkollës së mesme të muzikës në Prizren). Ishin këto punë të rëndomta, që nuk çonin shumë peshë në ngritjen e tij profesionale si kompozitor. S’do mend ngarkesa me punë të ndryshme, medoemos bën që të gllabërohen në një masë bindjet artistike të tij, ato që i kishte formuar gjatë studimeve e që ishin më të avancuara. Po në anën tjetër, ai bënte një punë humane në ngritje e nivelit të përgjithshëm të kulturës muzikore tek ne, punë që në mënyrë serioze vë themelet e muzikës artistike te ne.

I shtënguar nga rrethi që të merret me një lloj të caktuar të muzikës, e në anën tjetër ambiciet e tija krijuese, që ishin gjithsesi më të avancuara, bëjnë që tërë jeta e tij krijuese të kalojë në kërkimin e një rruge të përshtatshme , rrugë që do të zbusë këtë mospëputhje të rrethanave, që për të ishin të disfavorshme, dhe kureshtjes së tij profesionale,  e cila ishte jo e vogël. Duke përfillur me kujdes “zërin” e mesit , nevojat e tij praktike, deri në fund të jetës së tij krijuese një nivel artistike të veprës së tij.

Ndonëse Rexhoja nuk shkroi shumë vepra, rëndësia e tyre është e shumëfisht. Nëse atë e vështrojmë në pajtim me gjithë atë që thamë më lart, do të konkludojmë se Rexhoja:

– krijoi vepra të aso rëndësie që për këtu te ne ato shënojnë fillet në disa gjini (muzika e tij simfonike, kamertale pastaj vokalo-istrumentale etj);

– si kompozitor ynë i parë i arsimuar bëri shumë në konstituimin e muzikës artistike te ne, duke u kujdesur dhe përpjekur që atë ta ngrisë në nivel nga i cili do të thyente atë inferioritet, që kishte ky zhanër i muzikës te ne në atë kohë në raport me atë që krijohej gjetiu

– Ishte i pari ndër ne që kishte mundësi t’ua afrojë muzikën tonë artistike rrjedhave të muzikës bashkëkohore. Së këndejmi, disa prej veprave të tij mund të futen lirisht në koordinatat e kohës në të cilën janë krijuar;

– Përmes veprës së tij kontribuoi dukshëm në formimin e një stadi të caktuar të identitetit të muzikës artistike tek ne. Muzika e tij, e cila mbështetej gjithmonë në folklorin e kësaj treve, s’do mend, bëri një hap të madh përpara në krijimin e një muzike autoktone.

 Kumtesë e lexuar në Tribunën kushtuar veprës së Rexho Mulliqit në kuadër të Festivalit “Ditët e Muzikës Kosovare” 1991

 

WordPress Image Lightbox