Rafet Rudi: Rrugë e mbarë në mesin e të mëdhenjëve

-me rastin e koncertit të kitaristit Petrit Çeku

Ditë më parë, në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë, u mbajt koncerti i kitaristit ti ri Petrit Çekut. Shpërblimet e shumta të fituara në Kroaci ku ai studjon (është student në Akademinë e Muzikës të Zagrebit në klasin e profesorit me renome Darko Petrinjak) e gjetiu, ndër to edhe ato në Konkurse të rëndësishme në Itali, Gjermani etj., na bëri  që me kërshëri të shtuar ta dëgjojmë prezentimin e tij. Që në tingujt e parë u vërejt se çmimet e fituar nuk janë fare të rastësishme. Është fjala për një potencial jo të zakonshëm, të një artisti të ardhshëm të madh, që hetohet në kontakt të parë me të. Duke filluar nga vepra e parë (Sonata II  BWV 1003 e Bahut) e deri te vepra e fundit (Suita Valenciana e Asencios) te ai u vërejt një fuqi e madhe koncentrimi i cili i mundëson  realizimin e programit  “në një frymë”, pa ramje ndonjëherë të zakonshme dhe të pritura për këso raste.

Në pikën e parë, në Sonatën e Bahut, u vërejt një kontrollim shumë  i mirë i intenzitetit tingullor i të të gjitha vijave diferente melodike të polifonisë komplekse të këtij kompozitori (sidomos kjo u vërejt te Fuga nga koha e dytë), pastaj u vërejt insistimi në arritjen e motorikës karakteristike barokiene të kohës së katërt, por edhe qetësisë sakrale e kohës së dytë. Ndoshta te kjo kohë (te koha e dytë) në momente pengonte vibratoja dhe ekspresiviteti jo stilistikisht i arsyetuar te disa tingujë.

Në variacionet e Fernando Sori-it ishte interesante ndjeshmëria e Petritit për të profiluar mirë “situata” në një hapësirë relativisht të vogël siq është nji variacion i vetëm. Ai në këtë vepër thjeshtë kishte qasje të një dramaturgu. Në Sonatën giocosa të Rodrigos u shqua tingulli i madh, sidomos ni regjistrin e poshtëm (teli i gjashtë), pra një ton ekspresiv dhe temperament që ai e arrinte me funksionim energjik, të fortë dhe mirë të dozuar të dorës së djadhtë. Mbeti përshtypja që ishte kjo vepër (bashkë me Suitën Valenciana të Asencios) vepër që “i flinte” më së shumti. Gjithashtu edhe në këtë vepër, në kohën e dytë të një shtimungu tragjik, ai nuk heq dorë nga profilimi i atmosferave, që do ta vërejmë dhe do të bindemi edhe më shumë në “pikturimin” e atmosferës sentimentale (të thuash të një nokturnali) nga valsi i kompozitorit Mangoré.  Tërë kjo vërteton ndjenjën e mirë të tij (jo të shpeshtë për moshatarët e tij) për dramaturgji të veprës por njëkohësisht dëshmon se kemi të bëjmë me një artist që formon qëndrim personal ndaj veprës dhe posedon kreativitet të jashtëzakonshëm e që nuk është një “reprodukues” i thjeshtë.  

Në tërë programin (e edhe në veprën e fundit, në Suitën e V. Asencios ) ishte e vërejtshme dhe impressive konstruksion i çuditshëm i dorës (së madhe) të Petritit që ia mundëson realizimin e lehtë të disa pozicioneve akordike, që te kitaristët të tjerë realizimi është shumë e vështirë ose i pamundshëm fizikisht.

Vepra (improvizimi) që ai ekzekutoi në bis, në fund të programit ishte jo e qëlluar dhe e panevojshme.

Koherencë interpretative

Të shtojmë gjithashtu se në koncertet e artistëve të ri, të cilët janë ende në zhvillim, shumë lehtë vërehen debalansimet në elementet e nevojshme interpretuese – në mes tonit, ndjenjës për frazim, temperamentit, efektshmërisë së njerës apo dorës tjetër, deri te ato elemente që apriori duhet të nënkuptohen si ritmi, pastërtia intonative, respektimi i saktësisë të tekstit notal etj. Më duket se nuk kam pasur rast të dëgjoj një artist të ri që ka të balancuara dhe të harmonizuara të gjitha elementet e nevojshme për t’u bërë një artist i madh – muzikalitetin, kreativitetin dhe temperamentin deri te predisopozicionet fizike eksepsionale të dorës. Thjeshtë ai është i predisponuar për një karierë të madhe koncertale. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë, duhet me kujdes dhe racionalitet t’i përshtatet këtij qëllimi duke mos bërë asnjë koncesion. Kurse institucionet tona ndaj të rinjve të till duhet të kenë trajtim të posaqëm dhe adekuat. Për një karierë e cila e pret Petritin hapi i parë i institucioneve tona është blerja e instrumentit cilësor (çmimi i një kitare të till vështirë përballohet individualisht) dhe mbulimi i të gjitha shpenzimeve të studimit dhe udhëtimeve në Konkurse botërore. Ky artist i ri i veçantë kërkon një trajtim të veçantë.

Postscriptum

Çështje tjetër që të shtynë të mendosh në këtë rast e që lidhet edhe me një muziktar  të ri të talentuar, është diskursi i përdorur në përditshmërinë tonë kulturore dhe diskursi  i kritikës në të. Terminologjia që përdoret në “kritikën” tonë /në të gjitha artet/ në ambientin tonë kuturor, frazeologjia e pasaktë, jo aq e nuancuar dhe jo adekuate në spjegimin e arritjes të një rezultati profesional, është i till saqë ndonjëherë jo vetëm që nuk e sqarojnë çështjen por përkundrazi atë e ngatrojnë pamasë dhe rrjedhimisht relativizojnë në masë të madhe vlerat që ndonjëherë vërtetë ekzistojnë. Situata vjen e bëhet edhe më e paqartë në rrafshin e muzikës për shkak të përzirjes së qëllimtë të zhanreve. Ta zëmë, është e padurueshme kur të rastis të dëgjosh në promocionet e CD-ve ordinare të estradës sonë, në promocionet televizive estradeske të këngëve /zakonisht “infantile”/  të përdoret terminologjia e njejtë si për një artistë të vërtet – si psh., termi “krijimtari”, “arritje kulmore” apo fraza si “krijimtaria e artistit të madh” “kontribut për kulturën tonë muzikore” e tjera dokra.

Dhe kur ndodhin ngjarjet e tilla, të papritura si ky koncert i mrekullueshëm i kitaristit Petrit Çeku, është e frikshme fakti që fjalët e thëna janë të njejta si ato që përdoren në botën e estradës tonë të kotë, fjalë që nuk e sigurojnë me asgjë se edhe kjo ngjarje , siq ishte koncerti i përmbrëmshëm, nuk do të humbet në vorbullin e tmershëm të informatave për “talentët dhe për ngjarjet e mëdhaja kulturore” të trilluara nga ambienti i ynë jo gjithmonë i konsoliduar.    

Sidoqoftë të themi në fund se shanset e Petritit për një karierë ndërkombëtare janë krejtësisht reale, bile shume më të favorshme se, ta zëmë, për një violinist apo për një pianist të kalibrit të njejtë, për të cilët konkurenca në botë është e tmerësisht e madhe. Psh., për një violinist apo  pianist të ri të gjitha variantat përpos posedimit të gjenialitetit, nuk i sigurojnë atij një karierë të madhe dhe të sigurt). Fusha e kitarës është diçka tjetër. Petriti duhet ta dijë këtë. Ai duhet të punojë me përkushtuim kurse ne e porosisim Petritin – rrugë e mbarë në mesin  e  të  mëdhenjëve.

Koha Ditore 17 maj 2005

WordPress Image Lightbox