Rafet Rudi: Thesari ynë i papublikuar!

Disa vite më parë në Tiranë u promovua CD-ja me veprat e Martin Gjokës, Thoma Nasit, Fan Nolit dhe Murat Shehut, botuar nga një shtëpi botuese ruse (!). Të gjitha veprat (pos disa miniaturave për violinë e piano të Thoma Nasit) janë realizim i Orkestrës simfonike të Radio-televizionit shqiptar nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur Eno Koços, të bëra shumë kohë më parë, më saktësisht në vitet ’80, të cilat dirigjenti i ka mbledhur me kujdes dhe ka sajuar këtë CD. Rëndësia e këtij programi  është pamëdyshje se publikut tonë i ofrohet mundësia që të njeh (të thuash, për herë të pare) një trashëgimi të rëndësishme të kulturës sonë muzikore të krijuar pas luftës së parë botërore, muzikë e krijuar në vitet ’20 dhe ’30. Kështu, dirigjenti Eno Koço ka sajuar një botim në të cilën në mënyrë përmbledhëse shenohet periudha e parë e krijimit të muzikës sonë orkestrale-simfonike dhe në anën tjetër me këtë botim në mënyrë shembullore shenohet 600 vjetori i heroit tonë kombëtarë Gjergj Kastriot Skenderbeu në fushën e muzikës, meqë dy prej veprave kryesore të përfshira në CD lidhen me emrin e tij (Simfonia “Dy lule mbi varrin e Skenderbeut” e Martin Gjokës dhe Poema simfonike “Skenderbeg” e Fan Nolit). Përmbajtja e CD-së, përpos këtyre veprave, përfshinë edhe veprën “Gaspari i gjorë” për tenor dhe orkestër të Fan Nolit, “Rapsodinë shqiptare” të Murat Shehut (vepër dhe autor pak e njohur për publikun kosovar), dhe disa miniatura për violinë dhe piano.

Për  rëndësinë historike të veprave

Këto vepra ashtu sic mund të pritet, janë krijime tejet modeste përnga trajtimi kompozicional dhe sidomos përnga shtjellimi orkestral. Por në anën tjetër, këto vepra kanë rëndësinë e tyre historike dhe kjo supozojmë ka qenë moment deciziv për të realizuar këtë botim me këtë program. Gjithashtu duhet shtuar se janë këto vepra për të cilat muzikologjia ende ka çka të thot dhe ky është ndoshta rast i mirë që këtë ta bëj. Ato ende nuk kanë trajtim adekuat profesional. Ajo që bien në sy në shkrimet e deritanishme lidhur me këto vepra, është akcentimi ndonjëherë i tepruar i komponentës historike (që sigurisht është i rëndësishëm dhe është element dallues për to). Tek e fundit për një mori veprash historikisht të rëndësishme, muzikologjia shqiptare nuk ka trajtim professional të kompletuar dhe të baraspeshuar. Ndriçimi i drejt profesional–estetik i vlerës së tyre, vështrimi i veprës në kontekst të kohës së krijuar, zakonisht është heshtur për qëllime pragmatike, duke shquar pamasë elementin dhe rëndësinë historike. Natyrisht në një kulturë si kjo e jona, që me vonesë të madhe është duke e krijuar thesarin e vet (sidomos në fushën e muzikës artistike) komponenta historike duhet me kujdes, ndjeshmëri dhe respekt të madh të trajtohet. Por vepra nuk do të humb në rëndësinë primare të vet nëse vehet paralelja e duhur me vlerat e përbotshme që krijohen  në atë kohë në botë, sidomos në orientimin stilistik i cili zakonisht është në një disproporcion të madh. Kjo asesi nuk do të minimizonte veprën, për më tepër, do të dëshmonte pjekurinë dhe stadin më të zhvilluar të vetëdijes dhe përgjegjësisë sonë ndaj kulturës sonë.

Veçantia e këtij botimi

Interpretimi i këtyre veprave të kësaj CD-je është modest për shkak arsyve të shumta. Edhe në këtë rast dëgjuesi mund të vërtetohet për një kontradiktë që ka ekzistuar  në Shqipëri në mes nivelit individual të instrumentistëve (që tradicionalisht ka qenë i konsiderueshëm  dhe për çdo lavdatë) dhe në anën tjetër të nivelit të orkestrave që ishin tejet modeste (për këtë kemi shkruar disa herë me rradhë). Arsyet kanë mundur të jenë të shumta, kurse ajo që është e sigurt dhe që e ka damtuar zhvillimin  dhe krijimin e ansambleve të mira ka qenë sajimi i repertorit me vepra të imponuar të nivelit amatoreske  (ndonjëherë përzierja e madhe zhanrore e repertorit me muzikë popullore etj.) me të cilat vetëm është penguar kultivimi i shijes së mirë, interpretimit të drejt dhe estetikisht të arsyetuar. Me vështirësi të madhe dirigjentët të kalibrit të lartë si të Eno Koços apo të Ermir Krantjës e ndnjë tjetër, kanë mundur të mbajnë nivelin e duhur në fushën e interpretimit.

Kjo kohë pikërisht me këto vepra i lidh edhe një fakt tjetër që e pasqyron gjendjen në të cilën ka qenë jeta muzikore në Shqipëri. Sic shkruan në raste të ndryshme dirigjenti Eno Koço, inçizimet e këtyre veprave janë realizuar me vështërësi të mëdha, meqë atij iu është dashur të kërkojë leje të posaqme që partiturat e ngujuara në arkiva shtetëror të nxjerren nga sirtarët dhe të inçizohen veprat. Këta emra autorësh që figurojnë në CD, një kohë të gjatë (në kohën e monizmit) kanë qenë të ndaluar për shkak të pozicioneve politike të autorëve në periudha të ndryshme kohore.

Megjithatë veçantia e këtij botimi, pamëdyshje qëndron në faktin se është kjo një prej CD-vë të rralla të botuara nga fusha e muzikës artistike (klasike). Sic dihet, përkundër mundësive teknike, në vitet e fundit, të lehtësuar për botime të këtilla (audio), gjendja në këtë drejtim fare nuk është duke ndryshuar pozitivisht, qoftë për shkak të mosinteresimit të botuesve për botime të tilla joprofitabile, qoftë për ndiferencën e madhe të institucioneve kulturore që të ndihmojnë botime të tilla me interes kombëtar. Gjendja është e keqe në Shqipëri, kurse në Kosovë, botime të till, praktikisht  nuk ekzistojnë fare. Mosinteresimi i institucioneve tonë për një formë të till të promocionit (dhe të rruajtjes) së kulturës sonë në fushën e muzikës së mirëfillt (muzikës serioze) është trishtuese. Edhe më tutje thesari ynë muzikor (si psh. veprat e Rexho Mulliqit, Lorenc Antonit, Zeqirja Ballatës, Esat Rizvanollit, Fahri Beqirit e shumë të tjerëve) mbeten të pabotuara dhe larg dëgjuesit të sotëm. Për të nuk ka kush të mendojë. Pikërisht për të gjitha këto elemente dalluese të këtij botimi na duket edhe më e rëndësishme, më domethënëse dhe më kuptimplote iniciativa fisnike e dirigjentit Eno Koço.

KOHA Ditore 21 janar 2006

WordPress Image Lightbox