Rafet Rudi: Thellësia historike e muzikës shqiptare

Simfonia e parë në muzikën shqiptare është shkruar më 1956 apo më 1922? Deri më tash shtruarja e një pyetjeje të tillë do të ishte krejtësisht e deplasuar. Në historiografinë tonë lidhur me këtë as që ka pasur ndonjëherë dilemë, madje së paku kjo çështje asnjëherë nuk është shtruar. Në të është precizuar qartë se Simfoninë e parë në muzikën tonë e kompozoi Çesk Zadeja më 1956* dhe po atë vit kjo është ekzekutuar. U mor vesh, kjo datë qëndron në të gjithë librat dhe në të gjitha tekstet tona të muzikës.

Heshtja e së kaluarës

Viti 1922, që po e theksojmë, i referohet veprës së kompozitorit tonë të njohur Martin Gjo-ka (1880-1940) Dy lule mbi varrin e Skenderbeut, të cilën autori e quan Simfoni. Vepra është shkruar për orkestër të madh simfonik, ka dy kohë (e jo katër sa i ka zakonisht simfonia). Të gjitha këto detaje natyrisht kanë qenë të njohura në Shqipëri, por, gjë që shihet qartë, nuk janë përfillur. Kjo do të ketë ndodhur për, së paku, dy arsye. Së pari, për shkak se Simfonia e Çesk Zadesë, në krahasim me veprën e Martin Gjokës, për nga trajtimi tekniko-kompozicional, për nga orkestracioni e sidomos për nga simfonizmi i shprehur në relievin dramaturgjik të saj, është, pa mëdyshje, një realizim i kompletuar, i thelluar dhe vepër që denjësisht e shënon nismën e muzikës simfonike tek ne. Arsyeja e dytë pse nuk është përfillur vlera historike e Simfonisë së M.Gjokës qëndron në një botëkuptim të kohës, në një mentalitet të formuar në një periudhë të caktuar historike, që të gjitha të arriturat t’i visheshin kohës së “ndërtimit socialist”. Andaj, fakti se krijimi i simfonisë së parë i takon pikërisht kësaj kohe, ka qenë tepër joshës (mos të themi i vetmi fakt i pranueshëm), së këndejmi, edhe vendimtar që “të harrohet” një datë e një kohe edhe ashtu “të dyshimtë”. Natyrisht, ne nga një kontekst kohor dhe sidomos hapësinor e kemi vështirë të konkludojmë se cili fakor ka qenë determinues. Tekefundit, për këtë gjë edhe më tutje mund të zhvillohet debati, por indikative është arsyeja e dytë e përcaktimit të vlerës së veprës.

Ndoshta edhe nuk do t’ia vlente të flitet më tepër lidhur me këtë temë, po të mos shfaqej në formë dukurie tendenca që faktori jashtartistik, më saktësisht, ai politik (ideologjik) si determinantë supreme në sajimin e konfiguracionit historik në fushën e artit të caktuar. Është kjo një rrugë me kahe të çuditshme, ku në vend se në mënyrë analitike-hulumtuese të zgjerohet spektri i datave të rëndësishme, duke depërtuar sa më thellë në trashëgëminë kulturore historike, shfaqet tendenca që në masë të madhe, përmes theksimit të tepruar dhe në të shumtën e rasteve tendencioz, të emrave dhe të datave nga koha e “ndërtimit socialist”, të ngushtohet gjatësia jetësore e kulturës sonë (muzikore). Në këto raste zakonisht sheshohet arsyeja shkencore (artistike), kurse në mënyrë latente, determinuese ka qenë diçka tjetër. Shembuj analogë si ky i simfonisë në muzikën tonë mund të gjenden mjaft. P.sh., mendohet se Harallamb Kristo Koçi (emër i rëdësishëm i Rilindjes Kombëtare, i cili qysh më 1878 ishte shpërngulur në Odesë, ku dhe veproi) kompozoi nga fundi i shekullit XIX një operë për Skënderbeun. Kjo vepër, pos disa shënimeve të pakta të Milto Sotir Gurrës, më tepër nuk është hulumtuar. Si datë e pakontestueshme e krijimit të operës së parë tek ne merret viti 1958, do të thotë një datë 60 vjet më e vonë.

Po në këtë mënyrë është harruar durrësaku Jan Kukuzeli, një kompozitor shumë i rëndësishëm reformator nga shekulli XIII. Eshtë periferizuar për të vetmen arsye se veproi në kuadër të kulturës (kishës) bizantine (pra, jo në ambientin “tonë” politik). Janë harruar Sorgët, (Sorkoçeviq), një familje e famshme muziktarësh nga shekulli XVIII në Kroaci, pse vepruan në Dubrovnik (!). Shembujë të till ka shumë. Mund ta marrim me mend se po të aplikohej kjo metodë (logjikë) në historiografinë rumune, bullgare, kroate, serbe apo sllovene, ajo do të cenonte spiralen e thellësisë historike të kulturës së tyre kombëtare. P.sh., të gjithë kompozitorët mesjetarë (bizantinë), që e kanë prejardhjen bullgare, serbe, maqedonase, figurojnë në historinë e muzikës bullgare, serbe, madje edhe maqedonase dhe formojnë njësi të veçantë “Muzika mesjetare”, ndonëse është krejtësisht e qartë se muzikë bullgare, serbe dhe maqedonase të profiluar dhe të definuar si kulturë dhe entitet kulturor kombëtar, nuk ka ekzistuar.

Jakob Gallus (shek.XVI), nga Sllovenia, një kompozitor i madh i renesansës së një kulture të kristianizmit perëndimor, i cili nuk veproi fare në mesin e bashkëkombësve të vet (për italianët, austriakët, gjermanët, Gallusi është tepër i çmuar, por ata nuk kanë të dhëna për origjinën e tij sllovene). Ndërkaq, sllovenët e kanë integruar mirë në kulturën e tyre dhe kanë arritur përmes ndriçimit të momenteve të rëndësishme historike prej kohës së rilindjes, kur ai jetoi, e deri te koha e sotme, ta definojnë kontinuitetin me kohën shumë më të vonshme, kur ata e artikulojnë qartë dhe definitivisht entitetin e tyre nacional. Madje përmes studimeve të shumta që kanë bërë për të dhe për veprën e tij, kanë zbuluar që në strukturën e kompozimeve të tij (që i takojnë ekskluzivisht një polifonie të traditës evropiane) të ketë elemente të muzikës popullore të Kranjskës, të vendlindjes së tij.

Rishqyrtimi i trashëgimisë muzikore

Fakti se çdo formë e muzikës së kultivuar është shtrirë në organizmin e ndonjërës prej kulturave të mëdha (kulturës së kishës së Lindjes apo të asaj të Perëndimit), nuk do të thotë se automatikisht ato nuk kanë primesa kombëtare (kështu edhe nuk do të thotë se nuk duhet kombëtarisht të integrohen në kulturën e veçantë). Kjo ka qenë e njohur edhe për teorikët dhe muziktarët e asaj kohe dhe siç mund të konkludohet në bazë të shkrimeve të asaj kohe, nuk ka qenë temë tabu. Lidhur me të ekzistojnë edhe shkrime. Ta zëmë, qysh në shekullin XV, teoriku Gaffurius vërente dallimin në këndimin e koralit gregorian në vende të ndryshme. Këtë këndimi njëzanor (një këndim oficiel dhe tepër i kanonizuar i kishës katolike) përshkruante ai, ndryshe po e këndojnë francezët, ndryshe spanjollët e ndryshe gjermanët… D.m.th. edhe në një ambient kulturor konservativ, në një ambient ku nuk kanë ekzistuar definime të qarta nacionale, së paku jo për “popujt e vegjël” të Evropës, janë pranuar disa karakteristika (përcaktime) territoriale dhe nacionale. Dhe ja, nga këto pak elemente, disa shekuj më vonë, është ndërtuar historiografia kombëtare.

Kur t’i kemi parasysh të gjitha këto që i thamë, dalim te një çështje tejet e rëndësishme se deri në çfarë thellësie historike mund ta gjejmë muzikën shqiptare. Në ç‘masë ato do të mund të ndikojnë që të shërohet indi i gjallë i kulturës sonë për të cilin ne supozojmë se zë fill shumë herët në histori, sesa dëshmojnë të dhënat që qarkullojnë në librat dhe tekstet tona aktuale. Në ç’masë dhe në ç’mënyrë do të “integrohen” në kulturën shqiptare Jan Kukuzeli, nga shekulli XI, madje Niketë Dardani nga shekulli IV (por edhe shumë të tjerë të kohës së mëvonshme, që nuk i përmendëm me kë të rast) në vazhdimësinë e historisë së muzikë (e të kulturës) shqiptare.

Pyetja e bërë në fillim se kur është shkruar simfonia e parë në muzikën shqiptare, duhet të kuptohet vetëm si një pyetje retorike, pyetje që hap një varg problemesh që konsistojnë në rishqyrtimin e pozicionit tonë ndaj trashëgimisë kulturore./botuar në KOHA 1994/

Artikulli është shkruar në vitin 1994, kur ende nuk dihej për Simfoninë Nr.1, e kompozitorit kosovar, Rexho Mulliqi.

Resho Mulliqi, Simfoninë e tij të parë, konsiderohet se e ka kompozuar në vitin 1953. Partitura e saj, për të cilën është menduar që është humbur, përgjithmonë, është gjetur në vitin 2007. Rrjedhimisht kësaj, viti 1956, si vit i lindjes së Simfonisë së parë në muzikën shqiptare, bëhet edhe më i kontestueshëm.

 

WordPress Image Lightbox