Metamorfoza

  • Metamorfoza vepër për 3 solistë, flautë, piano, mexosopran dhe orkestër harkor

 Vepra Metamorfoza, është kompozuar në vitin 1979, në një etapë specifike për mua të ndryshimit të gjuhës sime të shprehjes. Është kjo periudhë kur unë kisha braktisur periudhën “neoklasike” (përmes veprës “Kohë koncertante për piano e orkestër”), dhe bëja përpjekje ta definoj më qartë hapësirën time të re krijuese, në familjarizimin më të madh me rrymat avangarde të cilat unë në atë kohë i synoja. Të përkujtoj se njohja ime me veprat e shkollës së re polake, të asaj kohe, “zbulimi” i veprave të Lutosllavskit, Pendereckit, Serockit etj., kishte luajtur rol të madh në rrugën drejt ndryshimit të bindjeve të mia estetike ndaj muzikës, por edhe artit në përgjithësi. Sidoqoftë, edhe më tutje, dilemat dhe oscilimet në pikëpamjet estetike ishin prezente.

Pikërisht në këtë kohë, (ishte një fazë ndoshta dyvjeçare), unë iu kisha kthyer leximit të veprës së Kafkës, me shumë zell dhe fascinim të madh. Ç’është e vërteta, literatura (romani) edhe më parë, kishte luajt rol kryesor deri atëherë, në formimin tim dhe më ndihmonte në kalitjen tim si kompozitor, shumë më tepër se artet tjera. Ndërkaq, papritmaz, njohja me veprën e e Kafkës ishte për mua një befasi krejtësisht e re, dhe të thuash, shokante. Më entuziazmonte jo vetëm mënyra (për mua) e re e rëfimit, trajtimi i çuditshëm i personazheve, krijimi i situatave absurde për personazhet e tij dhe në masë më të madhe nuancimi i kujdesshëm, i kontrolluar në shprehje në planin emocional… Pastaj, më dukej eksituese sesi narativa e veprës përcjellte ligjshmëritë që hasen në procesin e ëndrrës (si process psiqik). Vepra ndërtohet si emanacion i ëndërrës. Zhvendosja apo transformimi i personazheve nga një situatë në situatë tjetër, pa motivacion të qartë, që e hasim në veprën e Kafkës, e që ndonjëherë duket paradoksal dhe absurd, është pamëdyshje një projekcion (dhe fenomen) i ëndërrës. Pastaj situatat absurde në të cilën gjenden personazhet e tij; mënyra allegorike e vazhdueshme në teknikën e rëfimit, ishin të çuditshme; dialogjet e papërfunduara apo të devijuara në një drejtim të papritur; mungesa e përfundimeve ta zakonshme të storieve absurde etj. Në përgjithësi, e konsideroja veprën e Kafkë si far ndriçues në rrugën time dhe gjejsha në të përgjigje ndaj “paqartësive” që unë i kisha kundruall muzikës së re (anagarde). 

Njohja ime me veprat e Kafkës, me shtresat më të thella të saj, ka rol kyq për mua në drejtim të “hyrjes” time definitive në botën e muzikës avangarde. Opusi e tij për mua ishte katalizator në ndryshimin fundamental të pikëpamjeve të mia ndaj artit modern, në përgjithësi.

Pikërisht, si refleks i preokupimit tim 2-3 vjeçar me veprën e tij, ka lind vepra Metamorfoza, e emërtuar qëllimisht me këtë emër, si frymëzim direkt nga novela me të tjejtin emër të këtij autori.

                                                           

Trishtimi i personazhit Gregori Sams, të novelës impresive “Metamorfoza” e Franc Kafkës, në momentin kur ai kupton, i zgjuar nga një ëndërr e rëndë, se trupi i tij është transformuar në insekt; adaptimi dhe përshtatja graduale në një situatë të re, përkundër faktit se si instinkt njerëzor te ai shfaqet, herë pas here; pikëllimi që e mbërthen atë, kur e dëgjon motrën e vet duke luajtur në violinë, për shkak se ndjen përgjegjësi se nuk mund ta dërgon motrën e vet në Konzervator (për shkak të situatës së re), ashtu siq i ka premtuar, si jehonë nostalgjike. Me vështirësi e pranon situatën ambivalente, në të cilën gjendet,

Kjo situatë kontarverze, (si një ambivalencë filozofike, që njeriun e shoqëron tërë jetën, në përpjekjen e vazhdueshme të njeriut që të balancon kohën e shkuar dhe kohën e tashme), ka qenë një motiv nxitës dhe deciziv për kompozimin e veprës. Vepra, paraqitet si homazh për “Metamorfozën” e Kafkës.

Si reflektim i këtij qëndrimi tim adhurues ndaj Kafkën, vendosa që të shkruaj një vepër të re, duke e pasur për bazë “kontradiksionin psikologjik” e përhershëm të njeriut që ta pajtoj të shkuarën dhe të tashmën. Ndaj, unë nisa të hulumtoj ndonjë tekst poetik, që do të ishte i përshtatshëm për vepër. Në kërkim e sipër, hasa në një sentencë  filozofike të Anatol Frans, që më ka tërhjekur posaqërisht, dhe që ka koincidu me atmosferën e novelës së Kafkës. Meqë kësaj sentence filozofike të Anatol Frans-it mungonte dimensioni poetik, Jusuf Gërvalla, bëri një ndërhyrje në tekst duke i dhënë tekstit frymë poetike.

Anatol Frans

Çdo ndërrim pikëllon

Se ç’lamë njëherë pas

Pjesë e jona është

 

Bëre të vdekur një jetë

Për të hyr’ në tjetrën

 

Se ç’lamë njëherë pas

Pjesë e jona është

Tre solistët (flauti, pianoja dhe mexosoprani), që janë bartëse kryesor të dramaturgjisë muzikore, paraqesin tri situata të të vetmit personazh i cili pashmangëshmërisht duhet të ndryshojë (“Bëre të vdekur një jetë, për të hyr’ në tjetrën”), ndonëse, ky personazh, mbanë në vetë kujtimet, dashuritë, vragët e dhembjeve të shkuara por edhe shpresën dhe mallin  se njëherë do të kthehet në trajtën e parë, asaj njerëzore (“se ç’lamë njëherë pas, pjesë e jona është”). Atmosfera melankolike e pjesës së fundit të veprës, në Coda, simbolizon një rënkim mortor të personazhit (i ngjashëmme personazhin e Kafkës, Gregori Sams, i cili “vendos” të vdes). E forma e vdekjes është fare banale: ai do të vdes nga pasojat e një molle të kalbur që ishte bllokuar në supet e tia, me të cilën njëherë është goditur nga babai i tij).

Së këndejmi, syzheja filozofike, në këtë rast nuk ka vetëm rol të motivimit të thjeshtë për të kompozuar një vepër, por ky syzhe, në masë të konsiderueshmë determinon strukturën formale të veprës.

 

Vepra është kompozuar 1979. Premiera e veprës ka qenë në Festivalin e muzikës bashkëkohore në Opati (Kroaci) Tribuna e  Krijimtarisë muzikore Jugosllave më 1981, nga Orkestra e Filharmonisë Maqedone me 3 solistë kosovarë

WordPress Image Lightbox