Concerto Fantasy

Concerto – Fantasy  për Violinë dhe Kor – 2011

 Vepra ‘Concerto-Fantasy’ (ose edhe më saktë ‘Fantasia concertante’) për violinë dhe kor e R.Rudit, përnga gjinia është jo e zakonshme dhe shumë e rrallë në literaturën violinistike. Vepra është shkruar si vepër e pestë, në rradhën e cilklit të titulluar AFRESK ARBËRESH V, cikël që kompozitori është duke e kompozuar që nga viti 1993.

Pikënisja për të kompozuar një cikël, siq e spjegon autori, ka qenë të thuash i rastësishëm: “Ndeshja ime e parë me një libër të këndimeve kishtare arbëreshe të jugut të Italisë, i titulluar ”Këndimet tradicionale liturgjike arbëreshe”), për mua ka qenë ndeshje e parë e imja me një botë fascinante tingullore. Sidomos tërheqëse më janë dukur modet që përdoren në këtë këndim. Për më tepër, segmentet e caktuara në strukturën melodike më janë dukur analoge me disa këngë shqipe. Me një ballafaqim permanent disamujor me këtë botë arkaike tingujsh, është ngjizur ideja që të shkruaj një vepër duke u bazuar në këtë botë tingullore. Kështu ka lindur vepra ‘Preludium për kitarë solo’ (një vepër që më vonë e kam adaptuar dhe transformuar në një vepër të re për piano, me titull ”Këmbana arbëreshe”). Në vitet në vijim, nuk më është zbehur interesimi për këtë muzikë, së këndejmi, kanë lindur disa vepra të cilat, më në fund, i kam formësuar në një cikël, të cilin e quajta AFRESK ARBËRESH”. Motivim i shtuar nxitës në këtë përpjekje ka qenë idea se arbëreshët, paraqesin një pjesë të popullatës shqiptare të cilët kanë filluar të ikin 500 vjet më parë nga trojet e tyre të pushtuara nga otomanët (fill pas vdekjes së prijësit tyre Skenderbeut, i cili për 25 vjet me radhë i rezistoi otomanëve), me qëllim të ruajtes së besimit dhe gjuhës së tyre! Është impresionuese dhe njëkohësisht e pabesueshme se me çfarë dashurie dhe bindje,  ata kanë ruajtur kulturën e tyre dhe  gjuhën në çdo segment. Është e pritur që, në këtë mënyrë ata kanë ruajtur edhe këngët e të parëve të tyre me të gjitha veçoritë specifike të këtij këndimi. Pikërisht, nga kjo bindje,  jam zhytur në analizën e këtij këndimi dhe këtyre modeve specifike që ata në liturgjinë e tyre përdorin. Të përkujtoj se ata, edhe sot e kësaj dite, i ruajnë këto tipare arkaike të këtyre këndimeve, të një bote të shkuar,  që në themel, i takojnë traditës të kishës së lindjes.“

Moment tjetër i rëndësishëm në precizimin e resurseve tingullore mbi të cilat ndërtohet vepra ‘Fantazi koncertante’ është pamëdyshje kontakti që Rudi ka në dhjetëvjetëshin e fundit me muzikën e Jan Kukuzelit. Në koralet e këtij kompozitori reformator të kishës lindore (i cili lindi në qytetin shqipëtar Durrës), dallojmë modet që janë koincidente me muzikëne tradicionale të arbëreshëve (si pjesë e shtrirjes tingullore të muzikës bizantine) dhe, në anën tjetër kompozitori Rudi ka  identifikuar floskula tingullore në strukturën melodike të këtyre psalmeve, të cilat gjenden edhe në muzikën tradicionale shqiptare (të pjesës së saj veriore). Pikërisht ky trekëndësh (Muzika liturgjike arbëreshe – Muzika e Kukuzelit  – Muzika tradicionale shqipe) e bën shtratin mbi të cilat ndërtohet bota tingullore e veprës.

Thelbi i këtij universi tingullor, të cilin, kompozitori tenton ta formulon si gjendje shpirtërore të kësaj pjese të ballkanit, vërehet në meloditë e gjata të violinës në pjesën e parë të veprës si dhe në kadencën violinistike ku autori, përpos tjerash, ngërthen këngën popullore ‘Kalaja e Shkodrës’ (të marr nga folklori i pasur verior i shqiptarëve).

Duke qenë se kompozitori Rudi ka një formim kompozitorial plotësisht mbi bazën e muzikës perendimore dhe traditën pedagogjike perendimore (studjoi kompozimin, përpos tjerash edhe në Paris), do të vërejmë se kjo përvojë vërehet në të gjitha segmentet e ndërtimit të veprës, qoftë të vendosjes së partit koral qoftë në trajtimin e partit solistik. Shiquar në këtë prizmë, vepra ‘Fantazi koncertante’ e qet në pah një dimension tjetër të opusit të kompozitorit e që është preokupim permanent i tij – dëshira që të “bashkojë” dy botëra që e preokupojnë njeriun shqiptar të Kosovës, dhe përgjithësisht njeriun e ballkanit. Themelet e kulturës kombëtare shqiptare, historikisht, qëndrojnë në traditën perendimore, por gjithashtu, kjo kulturë në vete ka primesë të botës lindore, për shkak të pozicionit gjeografik. Në veprën Fantazi koncertante, “gjurmët” e traditës kishtare lindore dalin në pah në fillim të veprës, përmes tingullit mbajtës të ultë (mi) si dhe te këndimi i korit të meshkujve. Gjithashtu këtë e vërejmë edhe  te parti violinistik.  Në anën tjetër, bota “perendimore” dallohet te trajtimi i vertikalitetit  në partin koral, që është plotësisht në traditën e përvojës perendimore. Pos kësaj, vetë teksti i përdorur është tekst latin (i marr nga Psalmi 150). Së këndejmi, mund të thuhet se vepra sikur përpiqet të bëj një “trajtim kulturologjik’ muzikor të traditës sonë, duke e vështruar traditën tonë kombëtare si një sintezë e ndikimeve që  ajo pëson nga “kulturat e mëdha”, në afërsi të të cilave ajo është ngritur – të botës ( kishës) perendimore dhe asaj lindore. 

Vepra, ka trajtim koncertant, dhe si e till, paraqet, në të vërtet, një koncert violinistik i koncipuar në formën e fantazisë. Me trajtimin virtuoz të partit të violinës, vepra ndjekë traditën e koncerteve violinistike postromantike. 

Kjo vepër e shkruar në vitim 2011, si dedikim për violinisten kosovare, Sihana Badivukun.

WordPress Image Lightbox